Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Kaja Kallas në vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës ka takuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, liderët e partive kryesore politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ajo në një konferencë për media ka thënë se Ballkani Perëndimor është i një rëndësie strategjike dhe se zgjerimi i Bashkimit Evropian në rajon është projekti më i rëndësishëm gjeopolitik evropian.
Kallas tha se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe u bëri thirrje liderëve politikë të tejkalojnë ngërçin e krijuar politik, raporton kp.
Kallas: Kosova ka nevojë për institucione funksionale, të tejkalohet ngërçi politik
“Është mirë që anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbështetet nga shumica e njerëzve në Kosovë dhe në një spektër të gjerë politik. Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësim në BE. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme. Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe për integrimin gradual në një treg të vetëm të Bashkimit Evropian, i cili po sjell prosperitet për njerëzit. Dhe sigurisht, që kjo të ndodhë, Kosova ka nevojë për institucione funksionale që mund të zbatojnë në mënyrë efektive reformat. Prandaj i inkurajoj të gjitha palët që të thyejnë ngërçin politik dhe të formojnë shpejt një qeveri, në mënyrë që Kosova të përfitojë edhe nga mbështetja jonë”, ka thënë Kallas.
Kallas tha se BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e prezantuara, por kjo është e kushtëzuar nga de-përshkallëzimi i vazhdueshëm në veri. Ajo gjithashtu shprehu nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit.
Kallas: BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e prezantuara
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e prezantuara në qershor 2023. Vendimi hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe gjithashtu lidhje më të ngushta me Evropën. Por kjo është e kushtëzuar nga de-përshkallëzimi i vazhdueshëm në veri. Mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia në veri minon përpjekjet drejt de-përshkallëzimit. Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike në vitet e fundit dhe misioni ynë EULEX vazhdon të mbështesë sundimin e ligjit në Kosovë. Por përsëri, korniza aktuale politike dhe ngërçi po e mban Kosovën prapa”, ka thënë Kallas.
Ajo tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë Kosovën, por liderët politikë duhet të lënë mënjanë ndarjet dhe t'i japin përparësi të ardhmes së vendit.
Kryediplomatja evropiane ka folur edhe mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke thënë se Marrëveshja e Ohrit duhet të ndiqet nga të dyja palët.
Kallas: Marrëveshja e Ohrit duhet të ndiqet nga të dyja palët
“Po, siç e kam thënë, jam e gatshme të kontribuoj me kohën dhe energjinë time për këtë proces të normalizimit, sepse është në interes të popullit të Kosovës si dhe popullit të Serbisë, normalizimi i marrëdhënieve. Kemi emëruar një përfaqësues të ri special, Peter Sørensen. Jemi ulur së bashku për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo në këtë proces. Gjëja e parë është që realisht të ulemi me të dyja palët, gjë që e kemi bërë veçmas, për të diskutuar se si mund të ecim me këtë proces. Marrëveshja e Ohrit është në fuqi dhe duhet të ndiqet nga të dyja palët”, ka porositur Kallas.