Dështimi i Kuvendit/ 3 minuta punë, 24 herë bllokim

Aktuale

Dështimi i Kuvendit/ 3 minuta punë, 24 herë bllokim

Më: 31 maj 2025 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 11:06 më 31.05.2025
Foto ilustrim

Deputetët s’arrijnë ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e 24-të

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të shtunën, për të 24-tën herë radhazi, që të konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga shoqëria civile në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar që Kosova të krijojë sa më shpejt institucionet e reja.

Kuvendi i Kosovës nis për herë të 24-të përpjekjen për konstituimin e legjislaturës së nëntë

Kuvendi i Kosovës ka nisur sot përpjekjen e 24-të për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive po vazhdon nën drejtimin e kryesuesit të përkohshëm, Avni Dehari.

Pavarësisht përpjekjeve të deritashme, deputetët nuk kanë arritur të bien dakord për formimin e komisionit që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Propozimi për këtë formë votimi u bë më 1 maj nga Dehari, pas disa raundesh të pasuksesshme ku kandidatja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave.

Në seancën e kaluar, më 29 maj, deputetët e refuzuan për të 15-tën herë formimin e komisionit, duke zgjatur më tej krizën institucionale.

Bekë Berisha, AAK: Ndihna keq si deputet që nuk ka zgjidhje për konstituimin e Kuvendit

Deputeti i AAK-së, Beke Berisha ka folur para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se i vjen keq nga qytetarët që nuk kanë mundur të bëjnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.

“Ndoshta e vetmja shpresë ka mbetë tek gjykata kushtetuese ose eventualisht tek një ftesë tjetër e partive politike qe ish deshtë me ndodh nga Presiendetja. Më vjen keq prej qytetarëve, edhe prej juve besa. Siç duket neve na kanë nejtë gati qeto ambasada, sepse ne si politikanë nuk kemi mujtë me iu dhanë orientim momenteve politike, por veç na kanë nejtë gati. Ndihna keq si deputet dhe si përfaqësues për mos me pasë zotësi me u mledh njerëzit e zgjedhur për me gjetë një zgjedhje”, tha Berisha.

Ndër tjerash, Berisha tha se pagën bazë e mori 1500 euro.

“Kjo paga bazë është, se po mendojnë që marrim mëditje, e kam një pagë, e nëse juve gazetarëve iu ka mbet po jau dha. Për qeta jemi zgjedh”, tha Berisha.

Kuvendi i Kosovës sot mblidhet për herën e 24-të, në përpjekje për konstituimin e këtij institucioni. 

Haradinaj: As këtë seancë, nuk ka ndonjë ndryshim

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur para seancës së 24-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj shkurtimisht tha se “nuk do të ketë ndonjë ndryshim”.

Derisa, për media tha se do të flas pas seancës.

Kujtojmë se tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare. 

Deputetja e Nismës, Izmaku: Kuvendit i duhet një figurë siç është Fatmir Limaj

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku është deklaruar para nisjes së seancë konstituive.

Ajo tha se nuk ka asgjë të re, derisa tha se “Nisma konsideron se Kuvendit i duhet një figurë siç është Fatmir Limaj. Një figurë e cila kish sjellë konsensus, pasi që mendojmë që kryetari i Kuvendit është një udhëheqje që ka nevojë të sjellë konsensus mes deputetëve”.

Tutje ajo tha se ka frymë pozitive, por nuk ka ndonjë vendim të ri.

“Limaj sjell pozitivitet”, tha ajo.

Tahiri: Kosova ka nevojë për një qeveri që mendon për qytetarët, jo për familjarët e pushtetarëve

Para mbajtjes së seancës konstituive, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë, duke e akuzuar për neglizhencë ndaj halleve të qytetarëve dhe për favore ndaj familjarëve të këshilltarëve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Çdoherë i kemi respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse na pëlqejnë apo jo. Në radhë të parë, mendoj që Kosova e meriton një qeveri që trajton mirëqenien dhe hallet e qytetarëve. Në krye të detyrës kemi disa njerëz që nuk mendojnë për hallet e qytetarëve, përkundrazi, u kanë vendosur lakun në fyt bizneseve që mbajnë barrën kryesore në sektorin privat. Jemi këtu për ta dërguar këtë qeveri në shtëpi dhe për të sjellë një qeveri që është në krye të detyrës dhe që arrin t’i trajtojë problemet e qytetarëve.”

Ai shtoi se perspektiva në vend po hapet vetëm për njerëzit e afërt të pushtetit dhe paralajmëroi përpjekjet e opozitës për të sjellë një qeveri të re, që sipas tij, do të jetë më afër qytetarëve.

“Perspektiva e këtij vendi është duke u hapur për vëllezërit dhe motrat e këshilltarëve të kryeministrit Kurti. Sot, perspektivë kanë familjarët e tyre, jo qytetarët. Ne si deputetë, fakti që jemi çdoherë këtu dhe kundërshtojmë, besoj se tregon që jemi në krye të detyrës. Më e keqe se kjo bllokadë është nëse arrin të bëhet përsëri kryeministër Kurti.”

Hasani nuk pret ndonjë ndryshim për seancën e sotme, pret vendim nga Gjykata Kushtetuese

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka mbërritur në Kuvend për të marrë pjesë në seancën konstituive.

Ai u shpreh se nuk pret ndonjë ndryshim pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar, as nga kryetarët e partive, as nga rrugët apo thashethemet. Derisa të ketë një vendim të Kushtetueses, nuk pres ndryshim,” tha Hasani.

“Nuk besoj që do të ndryshoj ndonjë gjë, nuk kemi njoftim as kryetarët e partive e as nga mjetet e rrugëve apo thashetheme të rrugëve. Besoj që është prap e njëjta gjë, pa ardh një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim ose do të ketë ndonjë ndryshim”, theksoi ai.

Ai theksoi se pavarësisht ndarjeve partiake, deputetët mbeten kolegë në Kuvend dhe duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit.

“Raporte të shoqërisë, raporte të kaluarës jemi deputet, koleg nuk jemi armiq mes vete, nëse nuk ia zgjasim dorën njërit-tjetrit kujt kemi me ia zgjatë, në Kuvend jemi kolegë jemi të partive të ndryshme, vendime të ndryshime”, shtoi ai.

Përpjekja e 24-të sot: A do të zhbllokohet Kuvendi?

Ngërçi institucional që ka bllokuar konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës po vazhdon. Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj që nga përpjekja e parë, Kuvendi mbetet i pakonstituar, ndërsa partitë politike vazhdojnë të hedhin fajin tek njëra-tjetra për situatën e krijuar.

Sot, më 31 maj, deputetët do të mblidhen në orën 10:30, në tentativën e 24-të për ta formuar organin më të lartë ligjvënës të vendit. Ndonëse hapat për konstituimin nisën që më 15 prill, bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, pa shenja zgjidhjeje.

Ashtu si në seancat e kaluara, partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – nuk kanë propozuar anëtarë për Komisionin që do të organizojë zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit përmes votimit të fshehtë, duke pamundësuar kështu vazhdimin e procedurave.

Në vazhdimet e mëparshme të seancës, për përbërjen e këtij komisioni votuan 55 deputetë, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Në mungesë të kuorumit, Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu punën e Kuvendit.

Përplasjet ndërmjet partive politike vazhdojnë, me akuza të ndërsjella për ngërçin institucional. PDK dhe AAK kanë refuzuar kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, ndërsa LDK ka deklaruar se zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike.

Pavarësisht ftesës për koalicion që Vetëvendosje i kishte bërë LDK-së javë më parë – e që ishte refuzuar – tani nga VV-ja po theksohet se nuk kanë nevojë për partnerë për ta përfunduar konstituimin.

“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka deklaruar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri në detyrë, në një intervistë për Deutsche Wellen.

Sipas tij, “Nuk ka krizë qeveritare në Kosovë por ka pengesa në zgjedhjen e kryesuesve të Kuvendit”.

Nga radhët e VV-së nuk ka sinjale se do të tërhiqen nga kandidatura e Albulena Haxhiut, e as nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Haxhiu, në të gjitha raundet e votimit, nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje i nevojiten 61.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat