Duda Balje: S’besoj që mënyra e votimit në Kuvend ia ndryshon dikujt mendjen për votimin e Haxhiut
Deputetja Duda Balje ka folur para hyrjes në seancën e radhës konstituive ka thënë se “është pak marre” për situatën politike ku gjendet vendi.
Ajo ka thënë se tashmë të gjithë po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e përpjekjes për ndërrimin e mënyrës së votimit, megjithatë Balje nuk beson që mënyra e votimit do të ndërrojë mendimine ndonjë deputeti brenda Kuvendit për kandidaturën e Haxhiut.
“Pak valla është marre. Tash krejt na po e presim vendimin e Gjykatës. Unë nuk besoj që mënyra e votimit ka me ndërru mendimin e ndonjë deputeti brenda sallës”, ka thënë Balje.
E pyetur për kandidaturën e mundshme të Fatmir Limajt, Balje ka thënë se do të ulen në parti dhe do ta diskutojnë shumë seriozisht.
Haradinaj: Kurti po qëndron në qeveri kundërligjshëm
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Albin Kurti po qëndron kundërligjshëm në krye të qeverisë, meqë po mban dy pozita.
Ai u shpreh megjithatë se qëndrimi i tyre vijon të mbetet, se AAK ka votë për konstituim vetëm nëse ndërrohet emri i kandidatit për kryeparlamentar.
”Kemi bë diçka shumë më shumë sesa zotëri Kurti në të kalumen. Pra më e rëndësishme për Kurtin është Albulena sesa konstituimi”.
”Unë kam thënë se kemi një qeveri të kundërligjshme. Ai po mban dy pozita, edhe të deputetit edhe të kryeministrit. Kjo është gabim, por…”.
”Ne kemi ofruar propozimin para se me u nominu Haxhiu. Me kalimin e kohës kjo është blloku. Ne kemi bërë një ofertë dhe i qëndrojmë asaj oferte, sot nëse ndërrohet emri i kandidatit”.
Për të 26-ën herë me radhë dështon konstituimi i Kuvendit
Edhe në seancën e sotme nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u miratua propozimi për krijimin e komisionit zgjedhor, një hap i domosdoshëm për mbajtjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi subjektet politike të propozonin anëtarët e tyre për këtë komision, por propozimi nuk kaloi, duke bërë që procesi të dështojë edhe një herë.
Kjo shënon dështimin e 26-të për konstituimin e Kuvendit.
Seanca u ndërprerë për të vazhduar më 5 qershor.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
Çeku: Vetëvendosje pranon çdo vendim të Kushtetueses
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do ta respektojë çdo vendim që do të marrë Gjykata Kushtetuese në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentes së re të vendit.
Ai theksoi se janë bërë 18 përpjekje për të themeluar komisionin për votim të fshehtë, por opozita vazhdon ta refuzojë këtë proces.
“Janë bërë 18 përpjekje për ta themeluar komisionin për votim të fshehtë, të cilin po e refuzon opozita.
Kemi kryer obligimet tona për emrin e kandidates dhe kemi ofruar zgjidhje të tjera, mirëpo refuzimi i opozitës për ta votuar këtë komision është shkelje e kushtetutës”.
Simiq: Ata që kanë organizuar protesta të dhunshme janë në qeveri
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se ata që kanë organizuar protesta të dhunshme këtu në Prishtinë dhe kanë djegur automjete ndërkombëtare, ata janë në qeveri.
“Fakti është se gjithmonë kemi bërë thirrje për paqe, do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për paqe, do t’i përgjigjemi thirrjes, jo sepse besojmë se është një proces i drejtë, por sepse e dimë që gjithmonë kemi kërkuar paqe dhe nuk kemi bërë asgjë të paligjshme.
Ndërsa ata që kanë organizuar protesta të dhunshme këtu në Prishtinë dhe kanë djegur automjete ndërkombëtare, ata janë në qeveri”, tha ai.
Bogujevci: Ka deputetë që do ta votonin Haxhiun me votim të fshehtë
Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, ka deklaruar se ka pasur deputetë që kanë shprehur gatishmëri për të votuar me votim të fshehtë kandidaten e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Në asnjë vend nuk shkruan se, ashtu si fillon seanca, duhet të vazhdojë me votim të hapur apo të mbyllur. Thjesht thuhet se në seancën konstituive mund të votohet me votim të hapur ose të fshehtë. Ne e kemi propozuar këtë, sepse ka pasur deputetë që kanë shprehur vullnet për ta zhbllokuar Kuvendin.
“Këtë e kemi diskutuar mes nesh,” – tha ajo, e pyetur nëse ka pasur deputetë që kanë shprehur gatishmëri për të votuar kandidaten e VV-së, Albulena Haxhiu.
“Ne gjithmonë presim ndryshime. I kemi dhënë të gjitha opsionet, por nuk ka pasur vullnet nga opozita. Kjo është përgjegjësi e përbashkët. Kur bëhet fjalë për çështjen e Qeverisë, është tjetër gjë”.
Tutje, ajo tha se lufta e UÇK-së është ndër më të shtrenjtat që kemi, e se sulmet ndaj saj kane qene vetem pse ajo i perket nje subjekti tjeter politik.
“I vetmi sulm është ai ndaj viktimave të luftës në Kosovë – është i turpshëm, i rëndë dhe dëmi më i madh që po bëhet”.
“Lufta e UÇK-së është ndër më të shtrenjtat që kemi. Kur individë duan të të sulmojnë vetëm pse mendon ndryshe ose i përket një subjekti tjetër politik, atëherë bëjnë sulme të tilla”, tha ajo.
Limaj: Kosova së shpejti do t’i ketë institucionet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se ngërçi institucional nuk po sjell asgjë të re, pasi propozimi për formimin e institucioneve është përsëritur tashmë 26 herë. Sipas tij, zgjidhja qëndron në krijimin e një shumice parlamentare që do t’i japë fund bllokadës.
“Tashmë që propozimi është bërë 26 herë, nuk besoj se ka diçka të re. Vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare,” ka deklaruar Limaj.
Ai shtoi se Nisma Socialdemokrate ka ofruar një mundësi për të ndihmuar në krijimin e institucioneve, sepse vendi ka nevojë për funksionalitet, pavarësisht formës së konstituimit.
“Nisma ka ofruar një mundësi për faktin se vendi ka nevojë të ketë institucione funksionale, pavarësisht se si krijohen ato. Ne kemi dashur të kontribuojmë, duke kuptuar nevojën për institucione, dhe duke qenë se ato mund të krijohen vetëm përmes një shumice parlamentare, ne si parti politike – me votën që kemi – kemi dashur të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve të Kosovës,” tha ai.
Në përfundim, Limaj u shpreh optimist, duke thënë se institucionet nuk do të vonojnë gjatë.
“Jam i bindur se Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet e saj,” përfundoi Limaj.
Sot përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit
Bllokada politike në Kuvendin e Kosovës po vazhdon edhe më tej, teksa përpjekjet për ta konstituuar legjislaturën e re po dështojnë njëra pas tjetrës.
Sot, deputetët pritet të mblidhen në ora 11:00 për vazhdimin e seancës së 26-të me radhë, në përpjekje për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për ta konstituuar institucionin ligjvënës.
Seanca e fundit, e mbajtur të hënën, përfundoi pa rezultat, pasi nuk pati dakordim për përbërjen e Komisionit Ad-hoc që do të mbikëqyrte procesin e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin. Nga 104 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 51 votuan për, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim – çka nuk mjaftoi për miratim.
Përkundër thirrjeve të përsëritura nga kryesuesi Avni Dehari që subjektet parlamentare të japin propozimet për anëtarë të komisionit zgjedhor, ato refuzuan të paraqesin emra, duke thelluar krizën politike.