Për të 28-ën herë dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës
As në seancën e sotme nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u miratua propozimi për formimin e komisionit zgjedhor, i nevojshëm për zhvillimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetares.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi subjektet politike të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por që propozimi sërish dështoi.
Ky komision do t’i hapte rrugë votimit për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, transmeton Telegrafi.
Kjo ishte tentativa e 28-të për konstituimin e Kuvendit.
Seanca u ndërprerë për të vazhduar pas 48 orësh.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Gashi: Zgjidhja është një qeveri e pakicës ose zgjedhjet – nuk ka opsion tjetër
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, është shprehur optimist për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje në lidhje me bllokadën institucionale, duke theksuar se statuskuoja është bërë e padurueshme për vendin.
Ai ka thënë se zgjedhja për të dalur nga kjo krizë është krijimi i një qeveri te pakicës ose zgjedhjet të reja.
“Ndoshta dita e Bajramit ja ka zbutur zemrën dhe sheqeri i ka ëmbëlsuar mundën me qenë pak më pozitivë. Jam optimist se duhet të gjindet një zgjidhje. Më e dëmshmja për Kosovën dhe interesin e Kosovës është statuskuoja, e ka mbërritur pikën ku është e pa durueshme.
Zgjidhja është një koalicion qeverisës, një qeveri e pakicës ose shkuarja në zgjedhje, nuk ka opsion tjetër”, tha ai.
Rexhepi: Nuk ka ndryshim, votojmë derisa Haxhiu të jetë kryetare
Zëvendëskryeministrja në detyrë nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, para tentativës së 28-të për konstituim të Kuvendit tha se nuk ka ndryshim nga Lëvizja Vetëvendosje për emrin e kandidates për kryeparlamentare.
“Nuk kemi ndryshim dhe votojmë deri sa ajo (Albulena Haxhiu) të jetë kryetare e Kuvendit”, u përgjigj shkurt për media Rexhepi.
Bllokada e Kuvendit, Tahiri: Shpresoj që Bajrami ka bërë ndikimin e vetë
Deputeti i betuar i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se shpreson që VV-ja të reflektojë dhe të marr për bazë kërkesën e partisë së tij për të ndërruar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Shpresoj që të reflektojnë dhe t’i përgjigjen kërkesës së PDK-së, në këtë rast që ta vendosin për votim një kandidat i cili është i pranueshëm për të gjithë dhe t’i hapim rrugë votimit të qeverisë pastaj”, u shpreh Tahiri.
“Shpresoj që Bajrami ka bërë ndikimin e vetë
Zemaj: Ose të hapin rrugë, ose të krijojnë mundësi – nuk mund të vazhdohet më në ngërç
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar Vetëvendosjen për mungesë të marrëveshjes për konstituimin e institucioneve.
“Nuk kemi indikacion që VV ka bërë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.
Kjo është e tepërt çka po ndodh me institucionet e Kuvendit. Ata ose duhet të hapin rrugë ose të krijojnë mundësi dhe të mos vazhdojnë më ngërçin.
Që o tu ndodh edhe një farë krize apo amullie edhe në institucionet qendrore edhe ato lokale”, tha ai.
Lushtaku: Nuk e di cili kurban duhet me u pre për t’u mbajtur një seancë konstituive që të tregohet unitet
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka kritikuar me tone ironike qasjen e mazhorancës karshi procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk e di cili kurban duhet me u pre për t’u mbajtur një seancë konstituive që të tregohet unitet.
Po tregohet komfortësi nga mazhoranca dhe nuk ka reflektim që t’i ndryshojnë edhe veprimet anti-kushtetuese dhe anti-ligjore.
Po shihet qartë se po dojnë të neglizhojnë procesin e konstituimit të Kuvendit dhe kështu po trashen në një farë forme problemet e qytetarëve. Rroga ju ec edhe deputetëve edhe qeverisë, lluksi i qeverisë po ec edhe më shumë se çdo sen”, tha ai.
Në labirintin e bllokadës – Sot përpjekja e 28-të në kërkim të konstituimit
Sot pritet të mbahet përpjekja e 28-të për zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit, sinjal për zgjidhje të ngërçit nuk ka.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndonëse ajo nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme në asnjë nga përpjekjet e mëparshme.
Nga ana tjetër, partitë opozitare mbesin të palëkundura në qëndrimin se Haxhiu “nuk është figurë konsensuale” dhe kanë bërë të ditur se do të mbështesnin kandidatë tjerë të pranueshëm nga VV-ja, nëse kjo e fundit do të shfaqte gatishmëri për të lëvizur nga pozicioni aktual.
Por partia fituese vazhdon të theksojë të drejtën e saj për të propozuar kandidatin si subjekti i parë.
Ndërkohë, seancat e shkurtra që mbahen çdo 48 orë, të cilat nuk zgjasin më shumë se disa minuta, po shoqërohen me pagesa të rregullta për deputetët, një fakt që ka shtuar zemërimin e qytetarëve.
Deputetët pritet të mblidhen sërish të shtunën. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas përpjekjes së fundit të pasuksesshme, njoftoi: “Takohemi përsëri më 7 qershor në ora 11:00.”