Kelmendi: Simbolet e Kosovës nuk bëjnë përçarje

Aktuale

Kelmendi: Simbolet e Kosovës nuk bëjnë përçarje

Nga: A.SH Më: 10 qershor 2025 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Profesori Muhamet Kelmendi, ka reaguar pas heqjes së flamurit me logo të UÇK-së, nga stadiumi, në ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Ai thotë se simbolet e Kosovës nuk bëjnë përçarje, madje çdo simbol ka elemente atdhetare.

Shkrimi i plotë:

Pse jam kundër veprimit të bërë në ndeshjen e Tiranës me simbolet e Kosovës

Të nderuar lexues,

Mënyra e të shprehurit dhe të vepruarit në Tiranë kundër simboleve të Kosovës nuk shkon dhe nuk përkon me realitetin.

Simbolet e Kosovës nuk bëjnë përçarje.

Çdo simbol i Kosovës ka elemente atdhetare. Vetëm flamuri i shtetit është jo adekuat në kombin tonë.

Por është flamuri i shtetit të Kosovës.

Festën nëpër stadiume nuk mund ta ndalë askush.

Kudo veprohet nga tifozët në forma të ndryshme.

Ajo është e drejtë elementare.

Edhe në shtetet me demokraci të gjatë liberale, festohet në forma atdhetare. Kudo përdoren flamuj dhe simbole të tjera të kombit dhe të shtetit.

Atje dhe në këto shtete në BE dhe në botë, ku festohet kombëtarisht, nuk qenka përzierje e sportit me politikën?

Vetëm tek ne qenka përzierje.

Mosni kështu

Ndaj, festimi nëpër stadiume i tifozëve shqiptarë me këngën e heroit tonë Adem Jasharit, me flamurin e UÇK-së etj., është e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve.

Ajo nuk ka të bëjë me përçarje.

Në të kundërtën, kush vepron dhe më cilëson mua përçarës, vetë me shkrimin e tillë krijon përçarje në komb.

Kjo, për faktin se po e fryjnë pikërisht përçarjen.

Shqiptarët janë një komb. Ata e kanë të kaluarën kombëtare të njëjtë, gjuhën dhe kulturën e njëjtë; historinë dhe formimin socio-psikologjik unik.

I kanë elementet e kombit.

Tjetër është ndarja e padrejtë që i është bërë kombit.

Prandaj, shqiptarët edhe kremtojnë bashkërisht.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat