32 herë rresht – Kuvendi dështon, shteti pret

Aktuale

32 herë rresht – Kuvendi dështon, shteti pret

Më: 15 qershor 2025 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 11:27 më 15.06.2025
Avni Dehari

As në tentimin e 32-të nuk u arrit konstituimi i Kuvendit

Dështoi edhe vazhdimi i 32-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Filloi njëjtë sikurse herët e kaluara: tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

Në sallë kanë qenë 80 deputetë, për kanë votuar 45, kundër një dhe asnjë nuk ka abstenuar.

Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 17 qershor, në orën 10:00.

Balje: Zgjedhjet lokale e vendosin kuvendin në çështje sekondare

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, tha se nuk ka asnjë informacione për zhvillimet e reja dhe për të dalë nga kriza institucionale.

Sipas saj, caktimi i datës për zgjedhjet lokale e vendosin kuvendin në çështje sekondare.

Ajo foli se LDK ka bërë hap konkret për të dalë nga kriza, duke propozuar një plan konkret.

Berisha: Secili mandatar që i siguron 60 vota e ka edhe votën time, nuk jam bllokues

Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tha se situata aktuale me moskonstituim e bën të ndihet keq dhe bëri të ditur se secili mandatar që i siguron 60 vota e ka edhe votën e tij.

Ai potencoi se nuk është bllokues, por partive të mëdha po iu konvenon kjo situatë.

“Asnjëri nuk e ka menduar që do të jetë kaq gjatë, e kaq e pakuptimtë, jemi në një situatë që veç po shifet në çfarë situate është bota ndërsa ne merremi me konsitutimin e Kuvendit. Unë nuk ndihem mirë në këtë situatë që jam dhe siç duket partive të mëdha po iu konvenon. Ka dy muaj që nuk kam pasur takim me asnjë parti”, tha Berisha.

Ndryshe, sot është përpjekja e 32-të që nga 15 prilli për konstituim të Kuvendit. 

Rashiq: Vija të kuqe për askënd, vetëm parime

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka thënë se nuk ka vija të kuqe për askënd.

Por, ai shtoi se ka parime, në një prononcim pak para nisjes së seancës së 32-të konstituive.

“Është normale që kryetarin për Kuvend e propozon VV-ja, ka disa muaj që përballemi me këtë problematik, por kur të vijë koha do të flasim.

Ne nuk kemi vija të kuqe më askënd, por parime, asgjë tjetër”, u shpreh Rashiq.

Deputeti i LDK-së: Është fatkeqësi çka po ndodh, Kurti s’e sheh me interes zhbllokimin e Kuvendit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Paris Guri i cili për herë të parë ka zënë ulësen e deputetit, ka thënë se është për keqardhje situate aktuale politike.

Ai ka thënë se është fatkeqësi ajo që po ndodh.

“Asnjëherë nuk e kam pritur që do të zgjas konstituimi kaq gjatë, nuk është ndjenjë e mirë me ardh për herë të 32 dhe me tentu me zhblloku situatën. Është fatkeqësi çka po ndodh, por siç e dimë i takon partisë së parë me zgjidh këtë bllokadë”,u shpreh Guri.

Guri tha se përderisa kemi një kryeministër që mendon se nuk është në interes për tu zgjidhur kjo situatë, atëherë nuk do të ketë ndonjë rezultat.

“Kryeministri në detyrë ka deklarua se nuk është çështje me interes për tu zgjidhur, dhe duke pasur një kryeministër me një mendësi të tillë nuk besoj shumë në një zhbllokim të shpejtë të kësaj situate”, tha ai. 

Kadrijaj: VV-së i pëlqen bllokada, po dëmtohet imazhi i Kosovës

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se nuk po sheh përpjekje reale për zgjidhje nga kjo parti, raporton Ekonomia Online.

Ajo shtoi se çdo parti tjetër që do ta synonte postin e kryetarit do të ishte angazhuar më shumë.

“As mend nuk e kemi bërë secila parti që ka synuar ta ketë partitë është angazhuar maksimalisht. Ne nuk po shohim ndonjë angazhim vetëm po shohim që po i pëlqen kjo bllokadë.

Shkelin ligje kushtetuese, ende jemi në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, vërtetë nuk ka kuptim në këtë formë po humbet imazhi i Kosovës, nuk ka interes as nga partnerët tanë.

Të presim vendimin e gjykatës dhe një reflektim të kësaj partie” u shpreh Kadrijaj. Ajo bëri thirrje për reflektim dhe respektim të Kushtetutës.

Konstituimi i Kuvendit, Haxhiu: Varet nga opozita

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se përfundimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës varet nga vullneti i partive opozitare.

Ajo e tha këtë deklaratë para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovë.

Rexha: Vetëvendosje është munduar t’i kontaktojë të gjitha partitë, konstituimi është obligim kushtetues

Para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha, tha se partia e tij ka tentuar përmes metodave të ndryshme të komunikojë me të gjitha subjektet politike për të arritur marrëveshje për votim të fshehtë dhe koalicion, përfshirë edhe LDK-në.

“Sigurisht kur ka përfunduar zgjedhjet nuk kemi pasur pasqyrë të qartë vazhdimi e seancave në këtë formë.

Gjatë këtyre kohëve VV-ja është munduar që përmes metodave të ndryshme të flas me të gjitha subjekte politike dhe për votimin e fshehtë dhe letra e dërguar e LDK-së për koalicion.

Obligimin tonë kushtetues e kemi kryer dhe konstituimin bëhet nga të gjithë deputetët sepse e kanë për obligim për votat e qytetarëve.

Do të gjinden një zgjidhje i thërras të gjithë kolegët të cilët e kanë për obligim të konsitutiojnë pastaj të shkojmë në fazën e tjetër”, ka thënë Rexha.

Sot deputetët për herë të 32-të tentojnë të zgjedhin kryetarin e Kuvendit

Kosova vazhdon të përballet me një bllokadë institucionale, ndërsa deputetët do të mblidhen sërish të dielën për të tentuar për herë të 32-të për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Përpjekja e fundit, e zhvilluar dy ditë më parë, e cila dështoi sërish, duke zgjatur edhe më tej krizën politike në vend.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, edhe kësaj here u bëri thirrje partive që të propozojnë emrat për formimin e komisionit zgjedhor, i cili është i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por, partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – nuk paraqitën asnjë propozim.

Nga gjithsej 80 deputetë të pranishëm, vetëm 47 votuan pro, duke pamundësuar kështu avancimin e mëtejmë të procesit.

Pas çdo seance të pasuksesshme, partitë politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për pengimin e formimit të institucioneve, ndërsa qytetarët mbesin pa përfaqësim funksional në Kuvend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat