Botuesi i gazetës “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, përmend detajin që i “parapriu” vrasjes së Bardhyl Ajetit

Aktuale

Botuesi i gazetës “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, përmend detajin që i “parapriu” vrasjes së Bardhyl Ajetit

Nga: Bota sot Më: 25 qershor 2025 Në ora: 22:08
Bardhyl Ajeti

Në përvjetorin e 20-të të ndarjes nga jeta të gazetarit Bardhyl Ajeti, botuesi i gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, ka ndarë një postim prekës në Facebook, duke risjellë në kujtesë jetën dhe idealin e një gazetari të ri, por jashtëzakonisht të guximshëm, që pagoi me jetë përkushtimin ndaj fjalës së lirë.

Xhevdet Mazrekaj e përshkruan Bardhylin si “një zë të guximshëm në mbrojtje të së vërtetës”, që nuk u tërhoq kurrë përballë presionit apo kërcënimeve. Ai e kujton si një profesionist të përkushtuar, që e njihte shumë mirë çmimin e lirisë së shprehjes dhe që qëndroi deri në fund në mbrojtje të parimeve që përfaqësonte.

Gjithashtu, Mazrekaj, ka theksuar një detaj tejet domethënës që i parapriu atentatit tragjik: zhdukjen misterioze të laptopit të Bardhylit nga redaksia e gazetës në Prishtinë, pak ditë para se ai të qëllohej me armë.

Postimi i plotë:

Në 20-vjetorin e vdekjes së Bardhyl Ajetit

Sot kujtojmë me dhembje e nderim Bardhyl Ajetin, gazetarin e "Bota Sot", i cili u vra në një atentat më 3 qershor 2005 dhe ndërroi jetë më 25 qershor. Ishte vetëm 28 vjeç.

Bardhyli ishte një zë i guximshëm në mbrojtje të së vërtetës, një profesionist që e dinte çmimin e fjalës së lirë dhe që nuk u përkul as përballë kërcënimeve. Përgjatë këtyre dy dekadave, kujtimi për të nuk është zbehur – përkundrazi, mungesa e drejtësisë e bën plagën edhe më të thellë.

Atentati ndodhi në rrugën Prishtinë–Gjilan, afër fshatit Bresalc, teksa vetura e Bardhylit – e cila ishte prishur – po tërhiqej nga një tjetër veturë. Në ato momente, një veturë tjetër në kalim u afrua dhe hapi zjarr ndaj tij, duke e plagosur rëndë.

Misteri i laptopit të tij të humbur në redaksinë e Prishtinës, pak para atentatit, dhe heshtja institucionale që pasoi, mbeten dëshmi se e vërteta për vrasjen e tij ende nuk është thënë deri në fund.

Lavdi kujtimit të Bardhyl Ajetit – një gazetari që u bë simbol i guximit në kohë frike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat