Dështon përpjekja e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Aktuale

Dështon përpjekja e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Më: 7 korrik 2025 Në ora: 06:26 Përditësuar në ora: 12:01 më 07.07.2025
Kuvendi i Kosovës

Peci pyetet se pse edhe OJQ-të e Presidentja po e interpretojnë ndryshe nga ta aktgjykimin e Kushtetueses: Është çështje e shijes…

Deputeti i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci tha se çështja e interpretimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është edhe “çështje e shijes”.

Ai u pyet për qëndrimet e partive të tjera politike, përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile e madje edhe presidentes Vjosa Osmani, që u tha se ka një interepretim ndryshe për aktgjykimin e Kushtetueses nga ai i LVV-së.

“Po tash… çështja e interpretimit është edhe çështje e të kuptuarit ose shijes”, tha Peci.

Më pas, me “shijen” tha se e kishte fjalën për “shijen e të kuptuarit”.

“Tash, në funksion të kësaj, kurrkund në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet që ka deri në këtë fazë shkelje të Kushtetutës”, tha Peci.

Ai tha se ndryshimi i formës së votimit për kryeparlamentar/e “nuk mund të interpretohet si shkelje e rendit të ditës në proces të konstituimit”.

Deklarata se tërhiqet nëse s’i merr 61 vota në votim të fshehtë, Haxhiu: Ishte qëndrim i imi, është respektuar nga VV

Kandidatja e VV’së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, është deklaruar para mediave pas dështimit të 43’të për konstituimin e kuvendit.

“Kishim edhe një seancë ku sërish opozita refuzoi të merr pjesë në votim. Ndoshta duhet me i trajtu edhe argumentet e opozitës se pse po vepron kësisoj. Ata thonë që e kemi ndryshuar rendin e ditës, kjo nuk qëndron, kryesuesi i seancës në përpikëri, ashtu siç shkruan në rregullore i është përmbajtur rendit të ditës dhe tani kemi mbetur te pika e  tretë. Edhe aktgjykimi i fundit Kushtetueses konfirmon që nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës.”

Ajo tha se në seancë konstituive nuk lejohet debat.

Haxhiu përsëriti deklaratën se nëse nuk i merr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqet. Për këtë, Haxhiu tha se ishte qëndrimi i saj dhe se është respektuar nga VV.

“Së pari ne kemi një komision që po përpiqemi ta formojmë që 35 herë. E dyta është e drejta e VV të bëjë propozimin për kryetar të kuvendit, nëse ne pranojmë që të tjerët të na përcaktojnë emrin e kryetarit të kuvendit, kjo bie ndesh me vullnetin e popullit. Kushtetuesja nuk ka vendosur një kriter se sa herë duhet të kandidojë një kandidat, e rëndësishme është që nëse në votim të fshehtë nuk i kam 61 vota,  kam thënë që tërhiqem. Ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi, por që është respektuar nga VV”, tha ajo.

Izmaku: S’ka takim të ri me LVV-në – mungesë totale e vullnetit politik të partive të mëdha për ta gjetur zgjidhjen

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku tha se nuk ka pasur asnjë takim të ri me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjidhjen e ngërçit politik përmes një marrëveshje politike.

Ajo tha se ka “mungesë totale të vullnetit politik” për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Ditët e fundit nuk ka pasë asnjë qëndrim të ri, asnjë takim të ri. Po duket që s’është më as procedurale, as juridike, mirëpo është më shumë morale. Ka mungesë totale të vullnetit politik të lidershipit të krejt partive të mëdha politike për ta gjetur një zgjidhje”, tha Izmaku.

Deputetja tha se “Nisma ka qenë dhe është që të krijohet një mazhorancë në tavolië”.

“Pra, të ndërtohet marrëveshje politike dhe të zgjidhen këto probleme dhe ky ngërç politik”, tha ajo.

​Dështon për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit

Konstituimi i Kuvendit dështoi edhe për herën e 43-të. Vazhdimi i kësaj seance dështoi në mungesë kuorumi për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë. Në sallë kanë qenë të pranishëm 99 deputetë, ku kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ftuar partitë politike për propozim të emrave për komision.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka bërë thirrje për paanshmëri dhe integritet nga kryesuesi, Dehari.

Musliu-Shoshi: Ju ftoj kryesues që të ushtroni detyrën tuaj pa anshmëri

“Në emër të PDK-së, dhe në emër të përgjegjësisë që kemi ndaj qytetarëve që na kanë votuar, ju ftoj kryesues që të ushtroni detyrën tuaj pa anshmëri, integritet dhe respektim të plotë të kushtetutshmërisë. Kosova ka nevojë, dhe meriton institucione”, ka thënë ajo.

Edhe, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa ka bërë thirrje të kthehen në kornizën kushtetuese dhe te tejkalojnë këtë situatë.

Mustafa: LDK ka një propozim, ju lutem kthehuni në kornizën kushtetuese

“LDK ka një propozim, ju lutem kthehuni në kornizën kushtetuese, te tejkalojmë këtë show”, ka thënë Mustafa.

Derisa, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli deputetja, Time Kadrijaj, e cila me ironi ka theksuar se kryesuesi Dehari po udhëheqë mirë seanca, dhe nuk kanë tjerë më besnik.

Kadrijaj: Meqë aq mirë zotëri Dehari po udhëheqë seancat, nuk kemi asnjë më besnik

“Ne e kemi propozuar kandidatin, nuk po e ndryshojmë, por e kemi edhe një propozim, meqë aq mirë zotëri Dehari po udhëheqë seancat, nuk kemi asnjë më besnik”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërsa, fjalën ua ndali kryesuesi, duke bërë thirrje të mos keqpërdoret mikrofoni, nëse nuk zgjidhje për të dalë nga situata.

Dahari: Ju lutem regjia të ndërpresë mikrofonin

“Ju lutem regjia të ndërpresë mikrofonin, të mos keqpërdoret mikrofoni, vetëm për ata që kontribuojnë për zgjidhjen e situatës”, ka thënë Dehari.

Dështimet për konstituimin e Kuvendit po vazhdojnë edhe pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka obliguar deputetët që ta bëjnë Kuvendin më së largu deri më 26 korrik.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, pas së cilës deputetët e zgjedhur janë betuar por nuk kanë arritur ende t’i formojnë trupat e legjislativit.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme - në votim të hapur - për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni.

Ata po kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.

Thirrje për të dalë nga kjo krizë institucionale ka brenda dhe jashtë Kosovës.

Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive politike - si përpjekje për ta zgjidhur ngërçin, por të gjitha të pasuksesshme.

Haziri i ashpër me VV-në: S’mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe me bomba edhe pa bomba

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur rreth alarmit për bombë i cili u sinjalizua pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Para mediave, ai fillimisht falënderoi policinë për reagim, por i ashpër tha se alarmet e rrejshme janë mendësi e atyre që Kosova i njeh shumë mirë.

“Nuk mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe me bomba edhe pa bomba”, tha Haziri.

“E dinë kush janë, a folin me theks sllav a krahinor të Kosovës, nuk ka rëndësi, me rëndësi që krijimi nuk ka etni. Ata që janë bashkërenduar për interesa politike me rënduar Kosovën e me dëmtuar, janë pa etni, janë armiku më i madh i Republikës sonë”, u shpreh ai.

Poashtu deputeti i LDK-së tha se cinizmi dhe ironia e kanë rënduar dhe e kanë bërë më nevrike prezencën e tyre në seanca.

“Cinizmi ka rënduar situatën, t’i kthehemi normalitetit. Ata që e fusin në opsion shpërndarjen e kuvendit dhe dënimin e deputetëve, mund t’ju them lirisht që shtynë në funksion shantazhin politike, marrëveshja bëhet me mirëbesim, vendoet një rrugë e cila ka frymë kushtetues. Në Kosova nuk ka fitues të mëdhenj, ka fitues të parë, fitues me të drejtë që të ulet dhe të punojë me njerëz, të gjejë rrugë, por këto nuk po i shohim ende. Shpërndarja e kuvendit vjen kur dështon kuvendi me zgjedh qeverinë, jo kur dështon me e konstituuar vetveten, është problem i partisë së parë”, tha ai.

Balje: Shpresoj që partitë shqiptare të bëjnë marrëveshje, gjithqysh të dalim nga kjo krizë

Deputetja Duda Balje pak para seancës se 43-të konstituive tha se shpreson që partitë shqiptare të bëjnë marrëveshje për të dalë nga ngërçi i krijuar.

Ajo shton se nëse AAK voton, atëherë problemi për vota do të zgjidhet.

“Unë shpresoj që partitë shqiptare do të bëjnë marrëveshje mes vete dhe vota ime s’ka me qenë diçka që mundet me bë ndryshim. Gjithqysh duhet me dalë prej kësaj krize, besoj se fort se një anë duhet të lëshojë pe, dhe kemi disa ditë për me pa çfarë plane ka. Nëse AAK voton, besoj që nuk ka me pas problem për vota”, tha ajo.

Derisa u pyet nëse vota e saj do të ishte vendimtare për votimin e kryeparlamentares, Balje tha se nuk e beson që një gjë e tillë do të ndodh.

Hasani: Asnjë s’është i gatshëm ta marrë iniciativën për zgjidhje

Nait Hasani nga radhët e PDK-së pak para nisjes së seancës së 43-të konstituive tha se përgjegjësia për moskonstituim bie tek të gjitha partitë.

Sipas tij, askush s’është i gatshëm të marrë hapin rreth një zgjidhje të ngërçit politik.

“Gjykata Kushtetuese ka pru një vendim, dhe jemi duke pritur a do të ketë ndryshime apo jo.

Krejt është përgjegjësi e kryetarëve të partive politike për me gjet zgjidhjen, partia e parë ka përgjegjësinë më të madhe, partitë e tjera po ashtu në nivelin e përqindjes. Asnjë s’është i gatshëm me marr iniciativën me bë zgjidhje”, tha Hasani.

Kusari- Lila: Një nga pasojat e moskonstituimit të kuvendit deri më 26 korrik mund të jetë marrja e mandateve

Deputetja e zgjedhur Mimoza Kusari- Lila para seancës konstituive ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka evidentuar shkelje.

Ajo tha se njëra nga pasojat juridike të moskonstituimit të kuvendit në afatin 30 ditësh të caktuar nga Kushtetesja është marrja e mandateve të deputetëve.

“Jemi të vetëdijshëm që pasojat juridike mund të pasojnë pas kalimit të këtij afati, nuk ka ndodhur që në një legjislaturë të merret mandati i të gjithë deputetëve, por janë 120 deptutë të legjislaturës së nëntë të cilëve mund tu merret mandati për t’u përcjellur pastaj me deputetë tjerë që janë në lista.

Kjo mendoj që mund të jetë njëra prej pasojave të mundshme”, tha ajo.

Bekë Berisha përsërit qëndrimin për ta votuar këdo nga LVV për kryeparlamentar/e: Të gjithë të njëjtë janë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit përsëriti se do ta kishte votuar cilindo kandidat për kryetar të Kuvendit që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi, sipas tij, të gjithë janë “të njëjtë”.

“Ishte dashur, nëse ka vullnet që të dilet nga kjo situatë, ishte dashur. Ne po bisedojmë ngapak, po aty ka, për shembull, merake të ndryshme – jo unë e kisha votuar atë. Unë çka dalloj nga grupi, veç që mua më duken të njëjtë, nuk ke çka të zgjedhësh aty. Cilindo ta qesin, me Kushtetutë i takon, po qitja cili të jetë (votone kushdo që është), se të njëjtë janë”, tha ai.

Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka zgjidhur as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Lëvizja Vetëvendosje po e hedh në votim çdo dy ditë një propozim për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk po i merr votat e nevojshme.

Përpjekja e partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta bërë votimin të fshehtë erdhi pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Partitë tjera kanë argumentuar se ky akgjykim e përjashton votimin e fshehtë, por në LVV thonë se ai e lejon këtë mënyrë.

Përpjekje e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovë

Sërish sot mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e 43 për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

Ndryshe seanca konstituive e Kuvendit, në vazhdimin e së shtunës filloi me njoftimin e kryesuesit Avni Dehari për telefonatën kërcënuese për një bombë në objektin e Kuvendit, gjatë paradites, e cila imponoi ndërprerjen e seancës të paraparë për orën 11:00 dhe thirrjen e saj për në orën 20:00, pas kontrolleve të kryera nga ekipi për deminimin e mjeteve eksploduese.

Tutje seanca vijoi me pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 

Kryesuesi Dehari kërkoi serish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-NISMA), që ta bëjnë këtë. 

Nga 74 deputetë të pranishëm në sallë, për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës votuan 39 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk kishte.

Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kryesuesi Dehari ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin e saj më 7 korrik, në orën 11:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat