Për 15 vjet e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës kishte qëndruar e mbyllur dhe pa asnjë ndihmë psikologjike e mjekësore.
Rasti i saj i dhunimit ka triumfuar sot para drejtësisë, ku dy ish-policë janë dënuar me nga 15 vjet burgim.
Dënimi i Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq është aktgjykimi i parë në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës. Ky rast është raportuar dhe përfaqësuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), për çka pas shpalljes së aktgjykimit është mirëpritur.
Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë shpallur sot fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për dhunim seksual gjatë luftës.
Rasti i dhunimit seksual ka ndodhur në Prishtinë dhe mbijetuara e këtij krimi u dhunua para syve të burrit të saj, i cili ka qenë dëshmitari kryesor i rastit.
Fatmire Haliti nga QKRMT tha se nuk dyshojnë se në atë lagje të Prishtinës ka pasur edhe viktima të tjera të dhunës seksuale.
Haliti: E mbijetuara ka qëndruar e mbyllur për 15 vjet, pa asnjë ndihmë psikologjike dhe mjekësore
“Rasti ku sot u shpall fajtorë të dy të dënuarit për 15 vjet kishte qëndruar e mbyllur pa asnjë ndihmë as psikologjike as mjekësore. Në vitin 2014, pas një njoftimi të anëtarëve të familjes, ekipi jonë shkoi në shtëpinë e asaj gruaje dhe filloi seancat dhe trajtimin e saj, i cili ishte i domosdoshëm në atë kohë dhe fatmirësisht falë një pune, falë një angazhimi të përbashkët me gjithë ekipin, ajo ka arritur të rimëkëmbet dhe të vijë të kërkojë drejtësi dhe sot kryerësit e saj të shpallen fajtorë. Për më tepër, të dy këta kryerës të dhunës seksuale që sot u shpallen fajtorë, sipas vetë dëshmisë së viktimave dhe dëshmitarëve të tjerë kanë bërë çmos në gjithë lagjet e Prishtinës, ku nuk dyshojmë që ka edhe viktima të tjera të dhunës seksuale, por që fatkeqësisht ende nuk e kanë gjetur guximin dhe ndoshta nuk e kanë pasur përkrahjen familjare për të ardhur për të kërkuar ndihmë”, deklaroi Haliti.
Ani pse vendim i vonuar, Haliti theksoi se është “një shenjë që jemi në rrugën e duhur”.
Haliti: Ky vendim i sotëm - shenjë se jemi në rrugën e duhur
"Të mbijetuarat që i fitojnë këto raste nuk kanë arritur të dalin publikisht dhe tani janë me pjesën tonë të stafit duke e pritur këtë aktgjykim, i cili ka qenë i mirëseardhur. Dy të akuzuarit, siç e patë u dënuan me 15 vjet burgim, por që fatkeqësisht gjykimi është zhvilluar në mungesë në pamundësi që të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë në mënyrë që të kërkohet llogari prej tyre dhe që të shqiptohet dënimi drejtpërdrejt. Por, sidoqoftë ky vendim i sotëm është një statisfaksion për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Edhe pse janë vendime të vonshme, jemi 26 vite pas përfundimit të luftës, është një shenjë që jemi në rrugën e duhur”, deklaroi Haliti.
Ajo u ka bërë thirrje edhe viktimave të tjera të dhunës seksuale që të kërkojnë drejtësi.
Guxim të tillë kërkoi edhe burri i parë i cili foli publikisht për dhunimin seksual, Ramadan Nishori, i cili qëndroi në gjykatore gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Nishori: Këtë vendim e pritëm me shumë emocion
“E pritëm me shumë emocion [vendimin], më falni se kam edhe tani emocione. Jam shumë i gëzuar për faktin që është shqiptuar për të dytë nga 15 vjet burgim. Unë siç e kam potencuar në shumë intervista të mia, prapë i bëjë thirrje nga këtu shumë të mbijetuarve dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale që t’i lajmërojnë rastet, t’i denoncojnë në polici sepse nuk i dihet kurrë, ndoshta mund të arrestohen këta kriminelë sa më shpejt”, tha ai.
Përveç për dhunim seksual, në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, të njëjtit kanë kryer edhe krime të tjera te luftës, si maltretime, plaçkitje, tortura, por që nuk janë përfshirë në këtë aktakuzë. Po ashtu, viktimën e kanë dhunuar gjashtë persona, por vetëm këta dy janë identifikuar nga viktima.
Gjykimi është zhvilluar në mungesë, në pamundësi që të njëjtit të arrestohen.
Deri më tani janë shpallur tri aktgjykime për dhunim seksual. Zoran Vukotiq është i dënuar me 13 vjet burg, në rastin tjetër Vukotiq është liruar, dhe rasti Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënua me 15 vjet. Ndërkaq, ky është rasti i parë për gjykim në mungesë për këtë krim lufte.