Osmani inkurajon deputetët t’i drejtohen Kushtetueses: Me shpresën për një gjyqtar tjetër
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një konference për media u ka rekomanduar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’i adresohen Gjykatës Kushtetese.
Ajo u shpreh se kjo duhet bërë me shpresën që nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues.
“Unë dua t’i inkurajojë deputetët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mandat të plotë që t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese, që pasi të publikohen vendimet në dy rastet e iniciuara nga partitë PDK dhe LDK, për çështjet që mbesin të pasqaruara dhe pas atij aktgjykimi që t’i adresohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, nën shpresën që nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues.
“Unë nuk do ta inkurajoja asnjë asnjë institucion që ta linte lëndën në Gjykatën Kushtetuese, në qoftëse gjyqtar raportues, për temë kaq sensitive është fjala, vendoset ky gjyqtar, së paku derisa të sqarohet përfundimisht nga institucionet tona të drejtësisë”, u shpreh ajo.
Këto komente të saj erdhën pas vendimit të tërheqjes së kërkesës së dorëzuar më 22 korrik në Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.
Ky vendim erdhi si pasojë e caktimit të Radomir Laban, si gjyqtar raportues për çështjen e ngritur pranë këtij institucioni nga vetë Presidentja në lidhje me ecurinë e konstituimit të Kuvendit.
Osmani për Laban: Shqetësuese se si në rastin më të rëndësishëm të dekadës të caktohet një gjyqtar i cili është vlerësuar si rrezik
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka thënë se ‘’është thellësisht shqetësuese’’ se si në rastin të cilin ajo e ka vlerësuar si ndoshta më të rëndësishmin e kësaj dekade, është caktuar për gjyqtar raportues Radomir Laban, për të cilin institucionet e sigurisë e kanë vlerësuar si rrezik për sigurinë kombëtare.
Ajo ka thënë edhe se në fund, caktimi i gjyqtarit është komplet në diskrecion të kryetarit të gjykatës Kushtetuese.
‘‘Mesazhi që dua të përçoj është pikërisht mesazhi që e përçova, gjithçka që e thash deri tash është mesazhi që dua ta përçoj. E para, kjo nuk ka të bëj me vlerësime apo perceptime e mija si presidente ka të bëj me informata zyrtare që institucionet e tona të sigurisë i kanë dorëzuar para institucioneve të tjera tri herë radhazi. Nga tre drejtor të ndryshëm të institucioneve të sigurisë, njëherë në vitin 2018, nga një udhë heqje tjetër, pastaj 2021 nga një udhëheqje tjetër, pastaj në vitin 2024. Përkundër faktit që ekziston një sistem elektronik, kjo çështje e caktimit të gjyqtarit në fund është komplet në diskresion të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Për ne është thellësisht shqetësuese se si përkundër ndarjes së informatave të tilla, që institucionet e sigurisë e kanë vlerësuar si rrezik për sigurinë kombëtare, përkundër kësaj, në rastin ndoshta më të rëndësishëm të kësaj dekade që ka të bëj jo vetëm me këto institucione, por edhe ato që do të vijnë në të ardhmen, të caktohet si gjyqtar raportues gjyqtari për të cilin ekzistojnë informata të tilla’’, ka thënë ajo.
Kushtetueses, presidentja i kishte kërkuar ta shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese” nga moskonstituimi dhe pasojat juridike të kalimit të këtij afati, që ka thënë se mund të jenë “të pariparueshme”.
Presidentja Osmani tërheq kërkesën për seancën konstituive nga Kushtetuesja, shkak gjyqtari Llaban
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit. Vendimi vjen pasi gjyqtari serb Radomir Llaban është caktuar si raportues për këtë rast.
Sipas Osmanit, ky gjyqtar është identifikuar nga raportet e institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024 si person që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari që cenojnë rendin kushtetues të vendit.
“Tërheqja e kësaj kërkese është e domosdoshme. Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona që, sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë atë.”, deklaroi Presidentja.
Ajo sqaroi se gjyqtari Llaban është emëruar në vitin 2018 nga institucionet dhe jo nga ajo, ndërsa theksoi se procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses kërkon një vendim nga dy të tretat e anëtarëve të gjykatës, gjë që e bën të pamundur ndërhyrjen e Presidencës pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.
LIVE: Konferenca e presidentes Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po zhvillon sot konferencë për media.
---------
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillojë sot konferencë për media.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media.
Aty u tha se konferenca do të fillojë në orën 16:30.
Arsyet për zhvillimin e kësaj konferencë nuk janë bërë të ditura.