Që nga dhjetori i vitit të kaluar, brenda tregut në Kosovë nuk është bërë asnjë kontroll i cilësisë së derivateve të naftës. Kështu thotë pronari i laboratorit "Sierra Lab", Jakup Gashi për emisionin "Shtylla", i cili është prodhim i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress,
Ndërsa, qytetarë ankohen që pësojnë – jo vetëm financiarisht, por edhe në aspektin shëndetësor.
Jakup Gashi, pronar i laboratorit për kontroll të cilësisë së naftës “Sierra Lab” thekson se operatorët e naftës janë duke vepruar në një treg të pakontrolluar. Kjo sipas tij, është me vetëdije të plotë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Gashi: Kontroll nuk ka para dhjetorit të vitit të kaluar
“Kontroll nuk ka para dhjetorit të vitit të kaluar, nga fundi nëntorit ka qenë kontrollë e fundit. Realisht, operatorët e naftës janë duke vepruar një treg i pakontrolluar. Kjo është me vetëdije të plotë nga MINT, e cila ka përgjegjësi për kontroll, e cila ka shmangë kontrollin e brendshëm. Njëkohësisht, kontrollin gjatë importit është përgjegjësi e doganës, edhe pse dogana është taksambledhës. Është për verifikim të akcizës, por jo verifikuesi i cilësisë. Ka në Republikën e Kosovës dhe kudo në shtetet tjera importohen edhe produktet tjera, atëherë pse s'e kanë kontrollin edhe produktet tjera, apo ku është arsyeja vetëm te nafta. Kjo ka qenë sistem që është krijuar me qëllim ose me vetëdije të plotë, me koordinim të plotë, me naftarët me institucionet ose me Qeverinë e Republikës së Kosovës që kjo në vete përmban edhe skandal... 8:56 Realisht të akredituam ka edhe laboratorë . Është KOSALABI, është EKSFISI, jemi edhe ne si laboratorë t'i plotësojmë kështu kriteret dhe standardet. Mirëpo përgjegjësinë e ka bartë të dogana”, deklaron ai.
Gashi tregon se mungesa e kontrollit ka hapur rrugë për manipulime me cilësinë e naftës – duke dëmtuar drejtpërdrejt automjetet dhe konsumatorët.
Gashi: Momentin kur është treg i pakontrolluar, atëherë është e lehtë mundësia e manipulimit si eksportuesve
“Momentin kur është treg i pakontrolluar, atëherë është e lehtë mundësia e manipulimit si eksportuesve, ashtu edhe importuesve, një treg i pakontrolluar edhe nuk i garantohet cilësisë. Ne nuk mund të themi edhe ajo e kontrollit, siç ka qenë deri më tani, ka ofruar një siguri, mirëpo ka pasë së paku një siguri... Tash çdo ditë kemi ankesa të ndryshme, prej qytetarëve ku ka ankesa, sa i përket përzierjes së naftës së me ujë ose cilësisë, dobët edhe ka ardhë deri te dëmtimi i makinave. Por kjo përgjegjësi bie ndesh mbi Ministrinë e Tregtisë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Tash nëse bëjmë krahasim prej 2023 deri vitin 2024 janë 70 mijë litra që janë fut më tepër dhe është ndryshe. Të ketë 70 mijë litra import duhet të ketë një zhvillim tepër të madh ekonomik, kur e dimë që ka edhe migrim të qytetarëve, shumica e qytezave janë thatë, numri i makinave është thuajse i njëjtë. Ka u shtuan ato litra”, thekson ai.
Selatin Kaçaniku nga Shoqata për mbrojtjen e konsumatorit ka kritika për mungesën e vullnetit politik në mbrojtjen e qytetarëve.
Kaçaniku: Asnjë legjislaturë qeveritare, asnjë parti politike nuk ka program për mbrojtjen e konsumatorit
“Ne për fat të keq kemi përvoja shumë të hidhura me cilësinë e dobët të naftës...Cilësia është përmirësuar dukshëm, megjithatë akoma kemi prorëm me cilësinë, dhe vet fakti se qeveria me MINT bashkë me doganën akoma nuk po bëhen rehat, nuk po mund të ja gjejnë vendin laboratorit të certifikuar për kontrollin e importeve të naftës, e dëshmon se ne nuk jemi mirë as me cilësinë e lubrikanteve, as me cilësinë e tregut...Asnjë legjislaturë qeveritare nuk e ka pasur brengen e konsumatorit, asnjë legjislaturë qeveritare, asnjë parti politike nuk ka program për mbrojtjen e konsumatorit”, thotë Kacaniku.
Në media është raportuar disa herë për dëmet që pronarët e automjeteve kanë pasur nga nafta jo cilësore me të cilën janë furnizuar.
Edhe qytetarët të cilët i kemi intervistuar, pohojnë se nafta që e përdorin nuk është cilësore.
Qytetarja Fatushe Nikaj duke kërkuar kontroll dhe inspektime të cilësisë së naftës, ka thënë se institucionet e shtetit duhet me pas kontroll për naftë.
Nikaj: Shteti duhet me pas kontroll për naftë
“Shteti duhet me pas kontroll për naftë. Duhet me pas inspektime. Me funksionuar shteti, funksionojnë krejt”, theksoi ajo.
Ndërsa, Besnik Feka, qytetar, thotë se është e nevojshme me u kontrollua cilësia e naftë, pasi që sipas tij, dëmtohen qytetarët dhe veturat.
Feka: Është e nevojshme me u kontrollua cilësia e naftës
“Ministria përkatëse duhet me i pasur komisionet për kontroll. Është e nevojshme me u kontrollua cilësia e naftës, sepse është në interesin e të gjithëve. Dëmtohen qytetarët, veturat, kështu pasojat të mëdha edhe të dëmet që u shkaktohen veturave”, tha ai.
Por përveç dëmeve tek automjetet, dëmeve financiare për kuletën e shtetit e dëmeve tjera ekonomike, edhe më shqetësues është fakti që nafta jo cilësore ndikon direkt në shëndetin tonë.
Pulmologu, Besim Morina thotë se djegia e karburanteve, e naftës nga automjetet paraqet ndotjen kryesore të ajrit si në Kosovë.
Morina: Djegia e karburanteve, e naftës nga automjetet paraqet ndotjen kryesore të ajrit si në Kosovë dhe vende tjera
“Djegia e karburanteve, e naftës nga automjetet paraqet ndotjen kryesore të ajrit si në Kosovë dhe vende tjera. Por, në Kosovë, vendet urbane veçanërisht, kjo është shumë më e theksuar. Prezenca e makinave me naftë përkeqëson ndotjen e ajrit dhe cilësinë e ajrit, shumë më shumë se përdorimi i karburanteve tjera. Sepse nafta përveç tjerave, ka edhe okside të sulfurit që paraqesin një prej ndotësve kryesor të ajrit i cili përkeqëson funksionin e mushkërive, e përkeqëson sëmundjen e asmes dhe të tjerat”, thotë Morina.
Në mars të këtij viti, ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nënshkroi marrëveshje me Doganën e Kosovës për kalimin e analizave nga laboratorët privatë tek ai shtetëror. Në njoftimin zyrtarë të kësaj ministrie për këtë marrëveshje u theksua:
Kjo marrëveshje garanton që testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT, apo bizneset, duke siguruar kështu transparencë dhe integritet në këtë proces, si dhe duke përmirësuar standardet e kontrollit të cilësisë". Ajo do ta lehtësojë tregtinë, parandalojë monopolizimin, shmangë kostot e larta të testimeve laboratorike dhe rrisë cilësinë e kontrollit të produkteve.
Kjo ishte çfarë kishin thënë zyrtarisht, por a është duke u zbatuar kjo marrëveshje dhe a janë duke u bërë kontrolla të cilësisë naftës brenda tregut të Kosovës, një përgjigje të tillë nuk kemi arritur ta marrim, pasi ministria nuk ka kthyer fare përgjigje në pyetjet të cilat ia kemi dërguar tash e sa ditë.
E këtë marrëveshje, Jakup Gashi nga laboratori “Sierra Lab” e quan të paligjshme.
Ekipi i emisionit “Shtylla” ka kontaktuar edhe kryetarin e shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, lidhur me këtë marrëveshje, nëse është duke u kontrolluar cilësia e derivateve brenda tregut por edhe nëse vet në biznesin e tij ka pasur ndonjë kontroll të cilësisë që nga dhjetori i vitit të kaluar. Por, Berjani është përgjigjur duke thënë se “Jam në pushim”.
Njëjtë por pa treguar se janë në pushim, kanë vepruar edhe ministria e Industrisë dhe Dogana e Kosovës. Ata kanë zgjedhur heshtjen përballë pyetjeve tona.
Përndryshe, emisioni “Shtylla”, do të realizohet çdo javë, dhe i dedikohet ekskluzivisht ekonomisë, ku do të ketë hulumtime, rrëfime ekskluzive, statistika, financa, por jo vetëm kaq.