Arsovska sqaron rolin e Dimal Bashës në shkrimin e publikuar në 2012

Aktuale

Arsovska sqaron rolin e Dimal Bashës në shkrimin e publikuar në 2012

Më: 27 gusht 2025 Në ora: 20:37
Dimal Basha

Jana Arsovska, autore e një shkrimi të publikuar në vitin 2012 me titull “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor”, me bashkëautor kreun e ri të Kuvendit, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me publikimin e këtij artikulli në disa media që pretendojnë se Basha e ka lidhur financimin e UÇK-së me botën e krimit. Ajo ka sqaruar se se Bashës i përket vetëm një pjesë e studimit të saj, ku flet për përhapjen e islamit fundamentalist.

Arsovska thekson se pretendimet që po qarkullojnë në disa media, janë keqinterpretime. 

"Jam njoftuar për lajmet e fundit që po qarkullojnë në Kosovë, ku Dimal Basha, kryetari i ri i Parlamentit të Kosovës, akuzohet për përmbajtjen e artikullit “Globalizing the Western Balkans” të publikuar në Open Edition Journals në vitin 2012. Duke qenë se unë jam autore e shumicës së punës në këtë studim, dua të bëj të qartë për publikun se Dimal Basha është përgjegjës vetëm për Kapitullin Tretë, “Expansion of Radical Islam,” dhe asnjë nga kapitujt e tjerë nuk është puna e tij. Në pak fjalë, z. Basha ka dorëzuar vetëm Kapitullin 3 për publikim, një pjesë që shqyrton përhapjen e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus të veçantë në Kosovë", ka shkruar Arsovska në një reagim përmes e-mailit. 

Lidhur me këtë shkrim, RTKLive ka provuar të kontaktojë me Z. Dimal Basha, por ai nuk është përgjigjur. Gjithashtu, edhe nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë reaguar për këto pretendime.

Ndryshe, në shkrimin e publikuar në “OpenEdition Journals” në vitin 2012 me autorë Jana Arsovska e Dimal Basha, thuhet mes tjerash se UÇK-ja nuk kishte mbështetje formale nga ndonjë shtet, dhe se mes financuesve kishte trafikantë droge. 

"UÇK-ja mori mbështetje financiare dhe logjistike nga diaspora shqiptare, si dhe nga trafikantë droge në Evropë dhe SHBA, duke krijuar lidhje të fuqishme kriminale-politike", thuhet në shkrim.

Lidhur me këtë ka reaguar OVL e UÇK-së, e cila e ka quajtur të papranueshme zgjedhjen e Dimal Bashës kryetar të Kuvendit të Kosovës. Organizata ka theksuar se “është e pafalshme” që Kuvendi të drejtohet nga një njeri që ka fyer e sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët. 

"Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë", thuhet në reagim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat