Ish-kryetari i Gjykatës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ehat Miftarajt nga IKD, i cili kishte vlerësuar se procedura e ndjekur nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, përmes shortit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb ishte “kundër kushtetuese”.
Kryeziu e ka cilësuar këtë qëndrim si analizë të mangët dhe të gabuar, duke theksuar se përdorimi i shprehjes “shkelje e Kushtetutës” po bëhet pa kriter.
“Shkeljet e rregullores nuk janë shkelje kushtetuese. Kushtetuta nuk merret fare me procedurën se si bëhen nominimet dhe as me mënyrën se si kalohet te nominimet me short. Ku e sheh ky njeri shkeljen e Kushtetutës është vërtet mister”, ka shkruar Kryeziu.
Shkrimi i plotë:
Arsyeja pse Kosova është kthyer në një vend të komplikimeve dhe absurditeteve juridike janë edhe juristët që i bëjnë argat interesave ditore ose bëjnë analiza dhe interpretime gjysmake. Një nga ata është edhe Ehat Miftaraj nga OJQ “Instituti Kosovar për Drejtësi” që mediat tona e trajtojnë si njëfarë autoriteti të fushës.
Në RTV 21, Ehat Miftaraj paska deklaruar, “Praktika që po ndjek kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, që përmes shortit të zgjidhet nënkryetari nga komuniteti serb në këtë fazë është kundër kushtetuese, sepse faza me short mund të zbatohet vetëm në rastet kur Lista Serbe nuk e propozon emrin e tij, nuk i dërgon së paku gjashtë nënshkrime për të propozuar kandidatin për nënkryetar. Nëse në raste të tilla Lista Serbe nuk e zbaton obligimin Kushtetues atëherë vjen në shprehje hedhja e shortit apo zgjedhja me short e një kandidati i cili i përfaqëson komunitetin jo shumicë serb në Kosovë. Në momentin që Lista Serbe me shumicë të votave të deputetëve të kësaj liste i kanë dhënë për kandidatin e tyre nuk mund të kalohet në fazën e dytë, që nënkupton se kjo mënyrë është kundër kushtetuese.”.
Kjo deklaratë i ka dy probleme themelore, identifikimi dhe analiza e mangët e fakteve relevante juridike gjatë procedurës së ndjekur, si dhe përdorimi kot, pa karar dhe i pavend i fjalës “obligim kushtetues” dhe “kundër kushtetuese”.
Le t’i analizojmë me kujdes faktet relevante juridike!
Në përmbushje të kushteve nga pika 6, gjegjësisht 6.1, e nenit 12 të rregullores së punës së Kuvendit, Lista Serbe e ka dorëzuar emrin e deputetit Sllavo Simiq si kandidat për nënkryetar të Kuvendit. Për këtë kandidat kanë votuar vetëm deputetët e Listës Serbe plus deputeti Adem Hoxha. Meqenëse kandidati nuk i ka marr 61 votat e nevojshme, votimi është përsëritur edhe dy herë të tjera. Sipas parimit mutatis mutandis, të cilin Ehati e di mirë, kufizimi në tre tentime votimi për një kandidat të caktuar vlen edhe për procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve. Kalimi te nominimi me anë të shortit, sipas procedurës së paraparë në pikën 7 të nenit 12 të rregullores së punës së Kuvendit, ka ndodhur pasi Lista Serbe ka refuzuar të propozojnë një kandidat të ri për nënkryetar. Pra, sipas rrjedhës së ngjarjeve të shpjeguar më sipër, refuzimi i Listës Serbe për të respektuar kufizimin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që një kandidat i caktuar mund të propozohet vetëm tre herë, e ka aktivizuar procedurën e nominimit me short.
Ku po e sheh Ehati gabimin procedural? Realisht, nuk po e kuptoj çfarë dëshiron të thotë Ehati? Dëshiron të thotë që Lista Serbe ka të drejtë në konstatimin që nuk vlen parimi mutatis mutandis dhe se po i njëjti kandidat për nënkryetar mund të propozohet më shumë se tre herë? Kam përshtypjen që Ehati po sugjeron që Kryetari i Kuvendit është dashur që kandidaturën e Sllavo Simiq ta hedhë në votim edhe për herë të katërt, te pestë, e kështu më radhë.
Si njëfarë autoriteti që mbahet, Ehat Miftaraj duhet ta dijë që rregullorja e punës së Kuvendit nuk është kushtetutë. Në rregullore ka edhe gjëra që nuk janë fare në kushtetutë, në këtë rast procedurat e zgjedhjes së nënkryetarëve janë të definuara vetëm me rregullore.
Shkeljet e rregullores nuk janë shkelje kushtetuese. Kushtetuta nuk merret fare me procedurën si bëhen nominimet, me shkrim apo me gojë, dhe as me mënyrën si kalohet te nominimet me short. Ku e sheh ky njeri shkeljen e kushtetutës është vërtet mister.
Dhiata e vjetër i ndalon besimtarët që të mos e përdorin emrin e Zotit kot. Konsideroj që edhe ne duhet ta ndalojmë përdorimin kot të togfjalëshit “shkelje e kushtetutës”, sepse po i humb kuptimi edhe kushtetutës.