Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme deri më 30 shtator lidhur me ankesën e Listës Serbe ka nxitur reagime të forta. Kritikohet se kjo masë nuk është vetëm e panevojshme, por edhe se prolongon bllokadën institucionale dhe përbën akt kundër interesit shtetëror e kombëtar.
Kadri Kryeziu, në një reagim publik, tha se masa e përkohshme ka dy funksione: të mbrojë rendin kushtetues nga ndonjë veprim që mund të prodhojë pasoja të rënda juridike dhe të qetësojë palët e përfshira në procedurë.
“Në situatën që jemi, nuk ka as rrezik për përmbysje të rendit kushtetues dhe as palë që duhen qetësuar. Masa e përkohshme nuk është vetëm e panevojshme, por është akt kundër interesit shtetëror dhe kombëtar”, ka deklaruar ai.
Kryeziu kujtoi se edhe më 3 dhjetor 2004 është parë se zgjedhja e një nënkryetari të Kuvendit mund të bëhet edhe më vonë, prandaj sipas tij nuk ka arsye të krijohen kriza artificiale.
Ai theksoi se për zgjedhjen e nënkryetarit serb, kandidati duhet të sigurojë 61 vota, të cilat nuk i takojnë automatikisht vetëm pse është kandidat serb
“Nënkryetari i Kuvendit ka privilegje të caktuara dhe ne nuk kemi asnjë obligim që t’i japim privilegje dikujt që nuk e respekton Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.