Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njoftoi sot se ka pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, i planifikuar për këtë vit.
Arsyeja, sipas njoftimit, janë veprimet e fundit të qeverisë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar mundësinë e SHBA-së për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.
Në deklaratë theksohet se marrëdhënia me Kosovën bazohet në forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik. Megjithatë, sipas Ambasadës, deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurti kanë paraqitur sfida serioze për progresin e arritur ndër vite.
“Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike me dobi të ndërsjellë për popullin amerikan dhe atë kosovar.
Shpresojmë që përpjekje të tilla në të ardhmen të jenë të përshtatshme,” thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. / BS