Paul Williams tha në Hagë se përshtypja e tij ishte që Hashim Thaçi nuk kishte autoritetin mbi negociatat dhe se ai kontrollohej nga dikush jashtë objektit ku mbaheshin përgatitjet për Konferencën e Rambujesë dhe bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Paqes.
Këtë përfundim, ndër tjerash, dëshmitari tha se e bazon edhe nga telefonatat e shpeshta që kishte Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Baza për këtë përfundim janë disa faktorë; biseda të shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte në mënyrë të vazhdueshme që shpesh atij iu duhej ose të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Vendi i delegacionit ishte në katin përdhesë dhe lehtësisht mund të dilje në oborrin e kështjellës”, tha dëshmitari.
Williams u shpreh se disa shqiptarë të tjerë i kishin thënë se po e thërrasin nga Kosova. Përveç kësaj, ai tha se jashtë objektit të Rambujesë kishte edhe persona të tjerë që ishin nga UÇK-ja e që kishin ide të qarta.
Pastaj, që Thaçi udhëhiqej nga jashtë, sipas dëshmitari vërehej edhe nga gjestikulacioni, e të tjera.
“Krijohej përshtypja që dikush ishte në kontroll të negociatave ose në kontroll të pjesshëm të negociatave ose që edhe ishte një pozitë as kështu e as ashtu-diku në mes”, tha ai.
Dëshmitari deklaroi se kishte përshtypjen që Thaçi s’kishte kontroll të plotë mbi negociatat.
“Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat. Unë mendoj që ai përfaqësonte interesa nga jashtë dhe këto interesa kishin kontroll mbi autoritetin ose sjelljen e tij gjatë negociatave”, potencoi dëshmitari.