Veprimtari Saim Tahiraj ka përkujtuar kolonelin Ahmet Krasniqin.
Ai lartëson figurën e Krasniqit, si i njeri, ushtarak i lartë profesionist,
"Ky atentat nuk ishte thjesht një sulm mbi një personalitet të shquar ushtarak e politik. Ishte atentat mbi institucionet e Republikës së Kosovës, atentat mbi vet shtetin tonë që me aq mund e sakrifica e kishim formuar dhe po e mbronim me gjak nga fashizmi serb.
Shkrimi i plotë:
Dje u shënua 27-vjetori i një ngjarjeje të dhimbshme e të rëndë për kombin tonë.
Më 21 shtator 1998, në kryeqytetin e shqiptarëve, në Tiranën që aq shumë e deshi, ra viktimë e një atentati të tradhtisë kolonel Ahmet Krasniqi – Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës.
Ky atentat nuk ishte thjesht një sulm mbi një personalitet të shquar ushtarak e politik. Ishte atentat mbi institucionet e Republikës së Kosovës, atentat mbi vet shtetin tonë që me aq mund e sakrifica e kishim formuar dhe po e mbronim me gjak nga fashizmi serb.
Përgjegjësia morale,ligjore dhe historike bie mbi pushtetin e atëhershëm në Tiranë dhe mbi strukturat që e dirigjuan këtë akt kriminal. Sot, pas 27 vitesh, mungesa e hetimeve të plota dhe mbyllja e dosjes pa një arsyetim të besueshëm, tregojnë qartë injorimin dhe mungesën e vullnetit për të vënë drejtësi.
E megjithatë, figura e kolonel Ahmet Krasniqit qëndron e ndritur. Ai ishte i veçantë si njeri, ushtarak i lartë profesionist, politikan, diplomat dhe udhëheqës i papërsëritshëm. Me vizionin dhe vendosmërinë e tij, ai mbetet një ndër shtyllat mbi të cilat u ngrit mbrojtja e Kosovës.
Bacën e kujtojmë me mall, dashuri, dhembje dhe krenari.
Ne besojmë fuqishëm se, edhe nëse drejtësia e njeriut dështon, drejtësia e Zotit nuk do të mungojë. Kriminelët, herët a vonë, do ta marrin dënimin e merituar.
Lavdi e përjetshme kolonel Ahmet Krasniqit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!