Veprimtari Halil Geci thekson se vota është arma e drejtësisë dhe mënyra për të ndarë të mirën nga e keqja.
Pas 24 vitesh tranzicion, ku ndershmëria shpesh është injoruar dhe korrupsioni shpërblehet, qytetarët kanë mundësinë të vendosin përfundimisht për drejtësinë.
Geci nxit popullin të përdorë fuqinë e votës për të rrëzuar keqbërësit dhe për të rikthyer shpresën.
Postimi i plotë:
POPULLI ËSHTË GJYKATËSI I FUNDIT – VOTA ËSHTË ARMA E DREJTËSISË
Vota është arma e vetme që ndan të mirën nga e keqja. Një vend që prej gati 24 vitesh endet mes shpresës dhe zhgënjimit, i kapur nga dritat e së mirës dhe hijet e së keqes.
E mira dhe e keqja janë përballur gjithmonë në historinë e këtij vendi. E mira përfaqëson ndershmërinë, punën dhe shpresën për të ardhmen, ndërsa e keqja mishërohet te korrupsioni, padrejtësia, tradhtia dhe mosdija.
24 vite tranzicion kanë lënë plagë të thella. Shumë njerëz të ndershëm janë mënjanuar, ndërsa keqpërdoruesit e pushtetit janë pasuruar. Populli është lodhur duke parë se shpesh e mira ndëshkohet, ndërsa e keqja shpërblehet.
Edhe kur margjinalizohet, e mira gjen vend te njerëzit bujarë, tek ata që besojnë në drejtësi dhe nuk pranojnë të pajtohen me padrejtësinë.
E keqja gjithmonë ka një fund. Ajo lë pas fytyra të nxira, skandale dhe llum, duke dëshmuar se pushteti i ndërtuar mbi mashtrime dhe hajnira nuk zgjat.
Sot, populli është gjykatësi i fundit. Vota nuk është mjet hakmarrjeje, por arma e drejtësisë dhe llogaridhënies.
Koha e të mirës është tani. Nëse 24 vitet e fundit ishin udhë e ngatërruar mes dritës dhe hijes, tani është momenti i qartësimit. Një shoqëri nuk mund të mbijetojë përjetë duke toleruar abuzimin, tradhtinë dhe mashtrimin.
Janë bërë 24 vjet mes dëshprimit dhe shpresës. Sot populli vendos drejtësi jo me çekiç juridik, as me kallash, por me votë. Fuqia e votës është e pakundërshtueshme: populli flet, e keqja rrëzohet vetëm me votë.
Edhe pak ditë kanë mbetur deri te gjykimi i fundit i rrencave politike ndaj hajnive, korrupsionit, vrasjeve dhe plaçkitjeve të këtyre 24 viteve. Këtë herë, e keqja duket se do të përfundojë në llum.