LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Aktuale

LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 19:35 më 12.10.2025
Kutitë e votimit në një qendër në Prishtinë

Balotazh në Prishtinë mes Ramës dhe Çekut?

Exit Poll-i i realizuar nga UBO Consulting dhe prezantuar ekskluzivisht në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini tregon se gara për kryetar të Prishtinës pritet të shkojë në balotazh, mes kandidatit të LDK-së, Përparim Rama, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hajrullah Çeku.

Sipas rezultateve të publikuara nga Exit Poll-i, Përparim Rama ka marrë 34.3 për qind të votave.

Ndërsa Hajrullah Çeku renditet shumë afër me 32.1 për qind.

Në vendin e tretë qëndron kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 28.9 për qind, ndërsa Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 2.8 për qind dhe Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate (PSD) 1.7 për qind.

Exit Poll-i i UBO-s: LDK udhëheq bindshëm në Istog me 64.6% të votave

Exit Poll-i i realizuar nga UBO Consulting dhe prezantuar ekskluzivisht në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, ka zbuluar rezultatet e para për komunën e Istogut.

Sipas të dhënave të publikuara, LDK kryeson me 64.6 për qind të votave.

Kjo duke lënë pas me diferencë të madhe kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ali Nimanaj, i cili ka marrë 19.6 për qind.

Në vendin e tretë renditet Astrit Bujupaj nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 9.7 për qind, ndërsa Ukë Blakaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 6.1 për qind të votave.

Exit Poll i UBO-s në Mitrovicë: Arian Tahiri i PDK-së kryeson me 55.9%

Sipas Exit Poll-it të realizuar nga UBO Consulting dhe prezantuar në Debat Plus, në Komunën e Mitrovicës, rezulton se Arian Tahiri nga PDK-ja kryeson me 55.9% të votave.

Pas tij renditet Faton Peci nga LVV-ja me 39.7%, ndërsa Gezim Plakolli nga LDK-ja ka marrë 4.4% të votave sipas këtij sondazhi paraprak.

Exit Poll-i është realizuar gjatë ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë një numër të madh qytetarësh dhe qendra votimi.

Ai paraqet një pasqyrë të rezultateve të mundshme deri në mbylljen e kutive të votimit.

Nis mbyllja e vendvotimeve për zgjedhjet lokale në Kosovë

Në 38 komuna të Kosovës ka nisur mbyllja e qendrave të votimit, pasi qytetarët për 12 orë kishin mundësi që të zgjidhnin udhëheqësit e rinj komunalë dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale.

Si rëndom, në qendrat ku ka ende votues, ato do të mbeten të hapura edhe pas orës 19:00, derisa të gjithë të kenë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Dalja deri në orën 18:00 është rreth 33 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të njoftojë për pjesëmarrjen përfundimtare në zgjedhje dhe ecurinë e procesit gjatë konferencës së planifikuar për në orën 19:30.

Demokracia në Veprim: Procesi i votimit i qetë dhe demokratik

Ekipet mobile të vëzhguesve nga Demokracia në Veprim, të cilët kanë ndjekur nga afër ecurinë e procesit të votimit që nga hapja e vendvotimeve në 150 Qendra të Votimit, raportojnë se dita e zgjedhjeve është zhvilluar në përgjithësi në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Përkundër atmosferës së qetë dhe pjesëmarrjes së kënaqshme të qytetarëve në votime, procesi është përcjellë edhe me disa parregullsi. Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në Librin e Votimit.

Ndërrimet e Qendrave të Votimit nga KQZ-ja për një numër të konsiderueshëm votuesish kanë shkaktuar telashe serioze në terren, dhe një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në Listën e Votuesve. Përkundër ndryshimeve të shumta në listat e votuesve, gjendja është përkeqësuar si rezultat i mungesës së tavolinave ndihmëse në një pjesë të konsiderueshme të qendrave të votimit.

Vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe prani të materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh.

"Në prag të fillimit të procesit të numërimit të fletëvotimeve, DnV u bën thirrje të gjithë komisionerëve që të vazhdojnë numërimin me të njëjtin përkushtim, duke ditur se ky proces është po aq i rëndësishëm sa votimi. Gjithashtu, u bëjmë thirrje subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre të presin me qetësi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve dhe të demonstrojnë përgjegjësi politike e qytetare", thuhet në komunikatën e DNV-së.

Kjo është dalja e votuesve në Pejë deri në orën 18:00

Deri në orën 18:00 dalja e qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet lokale në Pejë është 34 mijë e 430 ose 28.64 për qind, raporton KosovaPress.

Deri më tash janë proceduar të dhënat e daljes së votuesve nga 137 vendvotime nga gjithsej 140 ose 97,86%.

Numri i përgjithshëm në listën e votuesve në Pejë është 120 mijë e 204, sipas listës zyrtare të KQZ-së

Në këto rezultate nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe ata me postë.

Në garë për kryetar të ri të Pejës janë Gazmend Muhaxheri LDK, Ali Berisha AAK, Arta Nallbani PDK, Taulant Kelmendi Lëvizja Vetëvendosje, Reshat Nurbolja Alternativa, Vehbi Avdullahaj Nisma, Senad Daciq nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka), Jeton Abazaj dhe Gani Veselaj.

Vendvotimet mbyllen në orën 19:00, sikur në të gjitha komunat e tjera të Kosovës.

Sot Kosova po mban zgjedhjet e rregullta për kryetar të komunave dhe kuvende komunale.

​Numri i qytetarëve që kanë votuar në Prizren deri në orën 18:00

Dalja e qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet lokale në Prizren deri në orën 18:00 është 47 mijë e 920 ose 25.37 për qind, raporton KosovaPress.

Deri më tash janë proceduar të dhënat nga 218 prej gjithsej 236 vendvotime ose 92.37 për qind

Të drejtë vote në Prizren kanë 188 mijë e 882 qytetarë sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së

Në këto rezultate nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe me postë.

Në garë për kryetar të ri të Prizrenit janë Shaqir Toraj PDK, Artan Abrashi Lëvizja Vetëvendosje, Driton Selmanaj LDK, Zafir Berisha Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Besnik Krasniqi AAK, Albulena Balaj Halimaj Nisma, Emilja Rexhepi Partia Demokratike e Re (Nova Demokratska Stranka), Furkan Bytyiç nga Partia Demokratike Turke e Kosovës KDTP.

Vendvotimet mbyllen në orën 19:00, sikur në të gjitha komunat e tjera të Kosovës.

Pjesëmarrje e ulët e qytetarëve në votime në rajonin e Dukagjinit

Në Kosovë po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet lokale, ndërsa kanë mbetur më pak se dy orë deri në mbylljen e vendvotimeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 15:00, pjesëmarrja e votuesve ka arritur në 25.21%.

Sipas këtyre të dhënave, vihet re një pjesëmarrje e ulët e qytetarëve në komunat e rajonit të Dukagjinit.

Në Pejë deri në ora 15:00 kanë votuar 26 mijë e 887 qytetarë, ndërsa të drejtë vote kanë 120,204 qytetarë.

Pjesëmarrja në votime në Pejë është 22,37%.

Në Klinë kanë votuar 11 mijë e 824 qytetarë, nga 50 mijë e 362 qytetarë sa kanë të drejtë vote.

Pjesëmarrja në votime është 23,48%.

Dalje e ulët e qytetarëve në votime është vërejtur edhe në Istog. Ku deri në ora 15:00, kanë votuar 11 mijë e 974 qytetarë, nga 50 mijë e 575 qytetarë.

Përqindja e votuesve është 23.68%.

Në Gjakovë kanë votuar 27 mijë e 108 qytetarë, nga 121 mijë e 768 sa kanë të drejtë vote.

Pjesëmarrja në votime është 22,26%.

Në Deçan kanë votuar 11 mijë e 61 qytetarë, kurse të drejtë vote kanë 41,444 qytetarë.

Pjesëmarrja në votime 26.69%

 

​KQZ: Dalja deri në orën 18:00 është 32.66%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 18:00 kanë votuar 32.64 për qind e votuesve. Të dhënat janë përditësuar në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së.

Këtu llogaritet pjesëmarrja nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe me postë.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore./

Përditësimi i fundit: Mbi 645 mijë qytetarë kanë votuar deri më tani, pjesëmarrja 31.88%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat për pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet lokale që po zhvillohen sot në Kosovë.

Sipas përditësimit të fundit në faqen zyrtare të KQZ-së, numri i qytetarëve që kanë votuar deri më tani ka arritur mbi 645,000.

Në total, në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 2,025,105 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja në votime është rreth 31.88 për qind deri në momentin e raportimit.

Ky përqindje tregon një interes të konsiderueshëm të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë në 38 komunat e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë thirrje për pjesëmarrje të lartë dhe vazhdimin e procesit të rregullt dhe pa probleme në të gjitha vendvotimet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat