LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Aktuale

LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 17:59 më 12.10.2025
Kutitë e votimit në një qendër në Prishtinë

Kaq qytetarë kanë votuar deri tani në Prishtinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat për pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet e 12 tetorit.

Nga të dhënat zyrtare, në Prishtinë deri tani kanë votuar 87 mijë e 670 qytetarë, apo 39.44 për qind nga 222 mijë e 326 sa kanë të drejtë vote.

Nga këto të dhëna, në tërë Kosovën, kanë votuar 659 mijë e 044 qytetarë, apo 32.54 për qind.

Image
Pjesemarrja sipas Komunes

Nga 2571 vendvotime të procesuara deri tani janë procesuar 2,426 prej tyre.

Kurti u bën thirrje qytetarëve: Dilni të votoni për të ardhmen e komunave tona

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një video në Facebook u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në votim.

Kurti u ka bërë apel qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë ditë të rëndësishme të demokracisë për t’i dhënë drejtim të mirë komunave të Kosovës.

“Kanë mbetur më pak se dy orë nga e drejta jonë për të vendosur për të ardhmen e komunave. Në çdo qytet, në çdo fshat e në çdo lagje, gjithandej nëpër komuna, thirrni familjarët, miqtë dhe të afërmit që të dalim sa më shumë për të votuar.

Ta shfrytëzojmë këtë ditë të rëndësishme të demokracisë për t’i dhënë drejtim të mirë komunave tona dhe të ardhmes sonë të përbashkët.

Nga Prizreni në Mitrovicë, nga Gjakova në Gjilan, nga Peja në Ferizaj, e deri në kryeqytetin tonë, Prishtinë, ashtu që të ndihet fuqia juaj në mbarë Republikën!”, ka deklaruar Kurti.

Të dhënat mbi pjesëmarrjen në zgjedhje – përditësimi i fundit i KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësimin e të dhënave mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet e sotme lokale deri në orën 15:00.

Nga 97,94% të vendvotimeve të procesuara, dalja deri në 15:00, sipas KQZ-së, është 26,23%.

Janë 531,128 persona që kanë votuar në të gjithë vendin, deri në atë kohë, sipas të dhënave të përditësuar së fundmi në orën 17:09.

Vdiq gati një muaj më parë, emri i kandidatit për Kryetar të Gjakovës figuron në listë të KQZ-së

Nikollë Perkaj i cili vdiq tri javë më parë, e që ishte kandidat për kryetar të komunës së Gjakovës, emri i të njëjtit vazhdon të jetë në listën e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Lidhur me këtë ka folur bashkëpunëtori i Nikollë Perkajt, Gjokë Sokolin, i cili tha se kjo gjë i është duhur qesharake.

“U emocionova kur shkova të votojë, e kur e figurojke emri i tij ende për kryetar komune. Mu dok si qesharake ajo punë. Ndoshta qëllimshëm nuk e kanë hequr, mirëpo për ne ka qenë një ditë tragjike, për partinë, sepse ka qenë një figurë madhore”.

“Nikollë Perkaj, si kryetar i Ballit Kombëtar në nivel të Kosovës, i ka hapur degët nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Kontributi i tij është i pazëvëndëueshëm. Sot Balli njihet si parti politike, është e regjistruar në KQZ. Lavdi punës së tij, ka dhënë një kontribut të pazëvëndësueshëm për Kosovën”, u shpreh tutje ai.

Pula: Rreth tetë incidente të raportuara, s’ka të ndaluar

Rreth tetë raste janë raportuar si incidente, por nuk kanë rezultuar me elemente të veprës penale, thotë koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula. Ajo konfirmon se nuk është arrestuar asnjë person për keqpërdorim të votës në këto zgjedhje lokale, deri në mesditë.

Në një intervistë për KP, prokurorja nga Zyra e Prokurorit të Shtetit thotë se janë 100 prokurorë dhe staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve.

Pula: 100 prokurorë së bashku me staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat e Kosovës

“Roli i prokurorit në zgjedhje, jo vetëm në këto por duke filluar që nga viti 2013, bazuar në memorandum-bashkëpunimin që e kemi me të gjitha organet dhe institucionet relevante është që ta mbrojë votën e lirë të qytetarëve. Kjo ka treguar sukses ndër vite edhe në secilën palë zgjedhje. E them sukses ngase nëse e bëjmë një krahasim me zgjedhjet të cilat kanë qenë pothuajse zgjedhjet e këqija në Republikën e Kosovës, ka një ndryshim drastik të numrit të personave të cilët kanë manipuluar votën e qytetarit. Kjo falë këtij bashkëpunimi dhe rolit të prokurorit që tanimë e ka bërë pothuajse rutinë punën e tij në zgjedhje. Në këto zgjedhje kemi të angazhuar diku 100 prokurorë së bashku me staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe qëllimi është që në mënyrë efikase dhe proaktive të veprohet në parandalimin e kryerësve të veprave penale apo që kanë të bëjnë me të drejtën e votimit, apo manipuluesve dhe mashtruesve në çdo lloj mënyrë”, deklaron ajo.

Deri më tani, Pula thotë se nuk është ndaluar asnjë person për veprën penale që lidhet me keqpërdorim të votës.

Pula: Nuk e kemi asnjë person të ndaluar deri më tani që ka të bëjë me të drejtën e votimit

“Bazuar në numrin e votuesve dhe raportimit të rasteve mund të themi lirisht se nuk e kemi asnjë person të ndaluar deri më tani për veprën penale që ka të bëjë me të drejtën e votimit apo nga kapitulli i posaçëm që në vete ngërthen 11 vepra penale...Nëse një votë fotografohet dhe ekspozohet dhe i tregohet dikujt që mund të jetë për qëllime të ndryshme, qofshin ato kanosje apo përfitime materiale, gjendje ekonomike atëherë kjo bie në domenin e veprës penale. Çdo person që fotografon votën do të ndalohet dhe do të verifikohet se për çka e ka fotografuar atë votë. Është e vërtetë që kemi pasur raportime për tri raste, mirëpo ata janë intervistuar dhe janë liruar ngase nuk është vërtetuar që ka pasur ndonjë pretendim të caktuar”, shton Pula për KosovaPress.

Prokurorja Laura Pula thotë se janë raportuar deri në tetë raste si incidente, por asnjë nuk është vërtetuar që ka elemente të veprës penale.

Pula: Janë 7-8 raste të cilat janë raportuar si incidente

“Ka pasur edhe raste të tjera, të iniciuara, të ndryshme, të cilat nuk kanë përbërë vepër penale. Dua të ju bëjë me dije edhe një trajtim tjetër të incidenteve të ndryshme, se këto incidente gjatë ditës së zgjedhjeve mund të ndahen në tri kategori, ndahen në kategorinë e shkeljes administrative, që nuk kanë të bëjnë fare me Prokurorin e Shtetit, mund të jenë kundërvajtje prapë nuk kanë të bëjnë me përgjegjësi penale dhe trajtohen nga Policia, e treta nëse përmbushet ndonjë element i veprës penale nga 11 veprat penale që i kemi, atëherë Prokurori ka të drejtë të merr veprime adekuate për të cilat i ka standardet e veprimit së bashku me Policinë e Kosovës dhe mund të vendos aty për aty edhe ndalimin e këtyre personave...Janë 7-8 raste të cilat janë raportuar si incidente, por pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre të mirëfilltë kanë rezultuar që nuk kemi të bëjmë me vepër penale dhe prandaj nuk mund të themi se sot kemi persona të arrestuar për veprën penale që lidhen me keqpërdorimin e votës në zgjedhjet lokale”, përfundon ajo.

Gjatë ditës, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka vizituar Dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u prit nga koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula. 

Dyshohet se një person fotografoi votën në Deçan, Mushkolaj denoncon rastin

Në qendrën e votimit “Lidhja e Prizrenit” në Carabreg të Deçanit një person dyshohet se ka fotografuar votën dhe me të janë marr organet e drejtësisë, ndërsa po në këtë qendër votimet janë ngritur dyshime për presion tek votuesit. Këto dyshime i paraqiti kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Deçanit, Jeton Mushkolaj.

Ai pasi e kreu procesin e votimit shprehi pakënaqësitë e tij duke ftuar deçanasit të dalin dhe të votojnë pa presion.

Mushkolaj: Qytetarëve po iu bëhet presion

“Ne jemi qytetarë të gjithë dhe të gjithë njihemi mes vete, është mirë që qytetarët me i lënë me votua të lirë me jep verdiktin të lirë ashtu siç ata mendojnë dhe pa presion dhe pa ndikim. Dhe iu bëjë thirrje gjithë qytetarëve të Deçanit të dalin të votojnë lirshëm ta japin verdiktin pa presion. Ajo çka me ra në sy është në qendër kur erdha me votua është që në këtë hapësirën këtu koordinatori i Qendrës nuk ka bërë verifikimin te një zyrtari qe e ka bexhin është vëzhgues i AAK dhe bënë verifikimin e personave që nuk gjenden në listë kjo konsideroj se nuk është në rregull dhe kjo duhet me u ndal nuk është në rregull me u hap dy ose tri dyer në qendër të votimit qendra e votimit e ka hyrjen këtu dhe këtu duhet me hy qytetarët dhe nuk duhet me u hap dyer të tjera … mos të na përsëriten këto situata ku qytetarëve me iu bë presion në votë”, tha ai.

Menaxheri i qendrës se votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Carrabreg të Deçanit, Qazim Maloku tha se nga ora 07:00 kur është hap kjo qendër e votimit përveç një rasti të fotografimit të votës me të cilin janë marr organet e rendit nuk ka ndonjë parregullsi tjetër të evidentuar.

Lidhur me pretendimet e kandidatit të LDK-së, për kryetar të Deçanit, Jeton Mushkolaj, menaxheri i kësaj qendre të votimit, Qazim Maloku i hedhi poshtë duke thënë se zyrtari i AAK-së ka ndihmuar qytetarë vetëm në verifikimin apo gjetjen e vendvotimeve, por nuk ka bërë asnjë presion tek votuesit.

Maloku: Kemi pas një fotografim të votës

“Dyshimet i pati ai pati bexhë unë nuk i kam verifikuar se faktikisht KQZ ka bërë një gabim të madh që nuk na ka sjell asnjë zyrtarë këtu dhe unë nuk mundem secilin person që hynë këtu të partive të ndryshme me verifikua ata kanë certifikim dhe bexha ai e kam parë ka verifikuar vetëm ata të cilët janë afruar me ua gjetur vendvotimin sepse disa kishin në Drenoc disa në Deçan nuk ka pas asnjë ndërhyrje që do të ndikonte si ndërhyrje të votuesve…Prej mëngjesi nuk kemi pas telashe të mëdha, kemi pas një fotografim të votës është marr prokuroria dhe policia me personin në fjale diçka tjetër nuk ka pas ndonjë ankesë substanciale të do të duhej të evidentohej”, tha ai.

Sa i takon qe në këtë qendër të votimit kanë qenë dy hyrje të shkollës duke funksionuar, tashmë sipas Malokut hyrja alternative është mbyllur dhe po funksionon vetëm hyrja kryesore e shkollës.

14 qendra e votimit që janë në komunën e Deçanit janë hapur me kohë në ora 07:00. Deri tani nuk është regjistruar ndonjë parregullsi.

Në garë për të parin e Deçanit janë Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës, Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, Shkumbin Demakuja nga Iniciativa Demokracia dhe Shefqet Tolaj nga Guxo.

Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora. 

KQZ përditëson të dhënat – Deri në orën 15:00 kanë votuar 24.99% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit për pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet që po mbahen sot, në 38 komuna për kryetarë komunash dhe asamblistë.

Deri në ora 15:00, 22.05 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar nëpër komunat përkatëse.

KËTU mund t’i shihni të dhënat live. 

Sutaj mohon akuzat për presion ndaj votuesve në Deçan: Isha me familjarët për të votuar

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj ka demantuar akuzat që po i bëhen për presion ndaj votuesve në këtë komunë.

Pasi votoi kandidatja e PSD-së për kryetare të Deçanit, Natyra Kuçi akuzoi Sutajn se në qendrën e votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Carrabreg të Deçanit po ushtron presion tek votuesit.

Por, Hajdar Sutaj përmes telefonit i ka thënë për KP që ai në atë qendër votimi kishte shkuar me familjarët e tij për të votuar.

Sipas tij kjo është një fushatë e pamoralshme karshi tij.

“Unë aty isha me nënë time me bashkëshorten time me dy motrat e mija më vëllain me kunatën me axhallarë kemi shkuar të votojmë në qendrën ku votojmë në klasën ku votojmë unë e sfidoj kandidaten publikisht që t'i fton organet e rendit le t'i merr kamerat le ta shoh se në sa kam hyrë dhe kur kam hyrë ku kam qëndruar dhe në sa ora kam dal vetëm kam prit në radhë me votu dhe kam dal në momentin që kemi votuar kam dalë bashkë me familjen. Është e padrejtë me qit një foto ku unë si qytetarë kam shkuar me e kry të drejtën time kushtetuese.. presion mbi kujt mbi nënën time, mbi gruan time kjo është marre, por kjo është duke bërë një fushatë tendenciozce e të pamoralshme që e ka bë ajo në vazhdimësi dhe përgjigjen do ta marrë nga qytetarët me një humbjë të thellë”, tha ai.

Në qendrën e votimit në fjalë një person e ka fotografuar votën dhe tani policia dhe prokuroria janë marr me rastin.

Dyshime për presion mbi votuesit nga përfaqësues të AAK-së në qendrën e votimit në Carrabreg ka shprehur edhe pretendeti për kryetar të Decanit nga radhët e LDK-së, Jeton Mushkolaj.

Në qendrën e votimit në fjalë një person e ka fotografuar votën dhe tani policia dhe prokuroria janë marrë me rastin.

Dyshime për presion mbi votuesit nga përfaqësues të AAK-së në qendrën e votimit në Carrabreg ka shprehur edhe pretendeti për kryetar të Decanit nga radhët e LDK-së, Jeton Mushkolaj.

Në Deçan në ora 07:00 janë hapur 14 qendrat e votimit me gjithsej 50 vendvotime dhe 1 qendër votimit me kusht.

​Pak interesim për të votuar në njërën nga qendrat e votimit në Skenderaj

Numër i vogël i qytetarëve janë parë duke votuar deri në orën 13:00, në qendrën e votimit "Shaban Jashari", në Skenderaj.

Kryesuesi i kësaj qendre, Fitim Gashi ka thënë se procesi i votimit po shkon shumë mirë.

Gashi: Nuk ka fluks të madh

“Procesi i votimit po shkon shumë mirë, qytetarët po dalin dhe po shprehin vullnetin e tyre politik për katër vitet e ardhshme. Vendvotimet janë hapur me kohë, aspekti teknik është çdo gjë në rregull, nuk ka fluks të madh, nuk ka radhë të gjata në rradhë, këtu janë 5 klasë që votojnë”, tha ai.

Sipas tij, në këtë qendër votimi janë të regjistruar 4202 qytetarë, prej tyre deri në orën 13:00, kanë dal 649 votuesë.

Gashi: Nuk është numër i kënaqshëm

“Numri i kënaqshëm nuk është deri në këtë kohë por shfrytëzojmë rastin t’iu bëjë thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta shfrytëzojnë kohën e mbetur që të shprehin vullnetin e tyre”, tha ai, duke besuar se numri i votuesve do të rritet.

​Graçanica ende me hartë të ish-regjimit serb

Në një Qendër të Votimit në fshatin Llapnasellë të Graçanicës, është shfaqur një hartë e ish-regjimit serb, ku Kosova paraqitet pjesë e Serbisë.

KP ka evidentuar gjithashtu në shkollën “Milladin Mitiq” edhe një mbishkrim: “Republikë e Serbisë krahinë autonome Kosova Metohije”.

Ky mbishkrim figuroi edhe në shkollën tjetër “Vuk Karagjiq” në Graçanicë.

Zgjedhjet lokale po mbahen sot në 38 komuna të vendit.

Përveç kandidatëve nga komuniteti serb, në këtë komunë në garë për të parin e Graçanicës është edhe Leutrim Ajeti.

Ambasadori i BE-së, Aivo Orav ka vizituar qendra të votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut.

Përmes një postimi në "X" Bashkimi Evropian në Kosovë ka njoftuar se Orav iu bashkua kolegëve të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve

Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën.

"Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, iu bashkua #Diplomaticëatch për Zgjedhjet Lokale të sotme së bashku me kolegët e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën", thuhet në njoftim.

Sot votohet në 38 komuna të Kosovës. Janë zgjedhje të rregullta lokale, ku numri i përgjithshëm i qytetarëve me te drejtë vote është 2 milionë e 69 mijë e 68 votues.

Deri tani në nivel vendi kanë votuar 33 mijë e 85 qytetarë nga 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë me të drejtë vote, apo 16.45% në tërë territorin e Kosovës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat