Në Fushë Kosovë, përkatësisht në Qendrën e Votimit “Mihal Grameno”, deri në orën 10:00 kanë votuar 1 mijë e 22 votues.
Në këtë qendër votimi, të drejtë vote kanë 12 mijë e 297 votues, në 14 vendvotime.
Menaxheri i kësaj shkolle, Ismet Gashi për KosovaPress tha se çdo gjë po shkon siç është planifikuar, me disa paqartësi nga qytetarët.
Gashi: Deri në orën 10:00 kanë votuar 1 mijë e 22 votues
“Në këtë qendër të votimit janë 12 mijë e 297 votues me të drejtë vote, janë 14 qendra të vendvotimit. Nga ora 7:00 deri në 10:00 që kemi marrë informatat janë 1 mijë e 22 votues... Mirë jemi duke shkuar, nuk kemi pasur ndonjë rast që duhet të veçohet, çdo gjë është në rregull.. Ka disa të vogla, por menaxhohen shumë lehtë, ka moskuptim të qartësimit të situatave, nuk kemi pasur ndonjë problem”, tha Gashi.
Qytetari i kësaj komune, Aziz Qera kishte shkuar për të votuar në këtë qendër votimi, porse të njëjtit i kishte ndryshuar vendvotimi.
Ndërkaq; nga këto zgjedhje ai pret më shumë mirëqenie për qytetarët e Fushë Kosovës.
Qera: Ne po presim diçka mirë
“Ne po presim diçka mirë, ishalla bëhet mirë. Burim Berisha ka qenë deri më tani kryetarë, tash po e shohim, nuk di çka them... Mu më kishin qit përtej Xhamisë, mos vet larg, unë këtu e kam banesën”, tha ai.
Ndërkohë, Ramush Mali pret që në këtë komunë të rregullohen parqet, të largohet turma e kolonat e gjata.
Mali nuk ka parë ndonjë parregullsi në këtë qendër votimi.
Mali: Presim diçka më mirë
“Diçka më mirë.. Pak parqet, higjiena, kallaballëku me u heq, kolonat”, shtoi ai.
Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.