LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Aktuale

LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 18:25 më 18.10.2025
Kutitë e votimit në një qendër në Prishtinë

Në Prishtinë e Prizren po vazhdon verifikimi dhe numërimi i fletëvotimeve, procesi përmbyllet në 36 komuna të tjera

Procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve nga zgjedhjet lokale po shkon drejt përfundimit, ndërsa vetëm në Prishtinë dhe Prizren është duke vazhduar ende.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), që filluan një ditë pas zgjedhjeve, janë përmbyllur në 36 komuna.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e dytë e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në orën 16:00 të shtunën, janë verifikuar rezultatet për 2,499 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga gjithsej 2,500 vendvotime. Nga 5,142 kuti votimi që i përkasin për kryetar dhe asamble komunale, janë procesuar 4,999 kuti.

Ai shtoi se gjatë ditës së parë të numërimit të votave jashtë Kosovës janë përpunuar 32 kuti për zgjedhjet për kryetarë komunash dhe 23 kuti për Kuvendet Komunale.

Në orën 14:00 të së shtunës ka filluar publikimi i rezultateve të votave nga diaspora në faqen e KQZ-së.

Përfundon numërimi i votave me postë në Mitrovicë, Peci para Arian Tahirit të PDK-së

Janë numëruar 100 për qind e votave me postë për komunën e Mitrovicës.

Nga votat e numëruara prin Faton Peci i VV-së me 392 vota apo 55.92 për qind.

Pas tij renditet Arian Tahiri i PDK-së me 236 vota apo 33.67 përqind.

E, në vendin e tretë është Gëzim Plakolli i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 71 vota nga diaspora.

36 komuna përmbyllin procesin në Qendrat e Numërimit, Elezi jep detaje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 16:00 të ditës së sotme, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë përmbyllur në 36 komuna.

Bëhët fjalë për komunat si: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri (e enjte), Gjakovë, Graçanicë dhe Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot, Leposaviq (e premte), Gjilan dhe Malishevë (e shtunë).

Prishtina dhe Prizreni mbeten komunat që ende nuk kanë përmbyllur verifikimin e rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë dhe ato për asamble.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se janë verifikuar rezultatet për 2,499 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë si dhe rezultatet për Kuvende Komunale nga 2,500 vendvotime.

“Nga po kaq vendvotime, 2,500, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. ra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,999”.

Sa i përket procesit të numërimit të votave nga diaspora, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor, Elezi tregoi se është duke vazhduar..

Sipas tij, gjatë ditës së parë janë janë numëruar 32 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 23 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Më 12 tetor, Kosova votoi për zgjedhjen e 38 kryetarëve të komunave.

KQZ nis publikimin e rezultateve të votave me postë në disa komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur sot publikimin e rezultateve të votave me postë për disa komuna të vendit, ndërsa procesi i numërimit po vazhdon në komunat e tjera.

Në komunën e Dragashit janë numëruar 100 për qind e votave me postë. Sipas rezultateve, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bexhet Xheladini, ka marrë 1,181 vota ose 55.92 për qind. Pas tij renditet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaban Shabani, me 537 vota (25.43%), ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Filiz Mustafa, ka marrë 350 vota (16.57%).

Në Shtime janë publikuar po ashtu rezultatet finale të votave me postë. Këtu prin kandidati i Vetëvendosjes, Qemajl Aliu, me 379 vota ose 51.63 për qind, i pasuar nga kandidati i PDK-së, Përparim Ramusa, me 258 vota (35.15%) dhe Kastriot Shabani me 97 vota (13.22%).

Në Mitrovicën e Jugut deri më tani janë proceduar në sistem vetëm 50 për qind e votave me postë. Sipas rezultateve të deritanishme, kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci, prin me 169 vota (58.48%), ndërsa pas tij radhiten kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, me 83 vota (28.72%) dhe ai i LDK-së, Gëzim Plakolli, me 37 vota (12.8%).

Në komunat e tjera, KQZ ende nuk ka publikuar rezultatet e votave me postë, ndërsa procesi i verifikimit dhe publikimit pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim

Arrin në rreth 4000 numri i fletëvotimeve të refuzuara nga votimet jashtë Kosovës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të votave të dërguara përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

KQZ njofton se më 13 dhe 14 tetor është bërë tërheqja e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet e 12 tetorit.

Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

Nga këto 23 kuti postare, janë tërhequr 33.841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit.

Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29.636, ndërsa janë refuzuar 3.977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3.660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja.

Nga ky numër i përgjithshëm i pakove të supozuara me fletëvotime KQZ-ja aktualisht nuk ka të dhëna për numrin i saktë të fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve lokale.

Hapja e këtyre pakove/zarfeve do të bëhet nga ekipet e numërimit, pas së cilave KQZ-ja do të dalë me të dhëna për çdo komunë.

KQZ sqaron se një votues ka pasur të drejtë të dërgojë nga një fletëvotim për secilin lloj të zgjedhjeve. 

Përfundon numërimi i votave për Mitrovicë

Në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicë ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Sipas rezultateve preliminare, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, do të garojnë në balotazh më 9 nëntor.

Tahiri ka marrë 15,393 vota (47.91%), ndërsa Peci 15,503 vota (47.78%), një diferencë prej vetëm 40 votash.

Kandidati i LDK-së, Gëzim Plakolli, ka fituar 1.146 vota (3.57%), kurse ai i AAK-së, Qazim Nimani, 238 vota (0.74%).

Për Kuvendin Komunal, PDK ka marrë 12.166 vota (40.47%), LVV 6,835 vota (22.73%), Partia GUXO 3.854 (12.82%), LDK 3.587 (11.93%).

Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat nga jashtë Kosovës dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Në procesin e numërimit janë regjistruar parregullsi. Numërues dhe vëzhgues të QKN-së në Mitrovicë kanë dërguar fotografi të fletëvotimeve me numra serikë të shqyer, të cilat, sipas tyre, kanë ardhur nga qendra e votimit.

Bëhet fjalë për 12 fletëvotime që janë shpallur të pavlefshme dhe në të cilat ishte votuar kandidati i PDK-së, Arian Tahiri.

Sekretari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Valon Brahimi, ka thënë për KosovaPress se kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me këto fletëvotime, duke shtuar se kjo nuk është ankesa e vetme e adresuar. Ndërsa, Prokuroria Themelore në Mitrovicë po mbledh informata mbi pretendimet për keqpërdorim të votave në Shipol.

​KQZ e quan “verifikim të rezultateve”, por duket si rinumërim – Çfarë ndodh vërtet në QKN

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e quan “verifikim të rezultateve”, ajo që po ndodh në Qendrat Komunale të Numërimit duket shumë si një proces i dytë numërimi i fletëvotimeve.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka paraparë që numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe i fletëvotimeve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale të bëhet në vendvotime, ndërkaq numërimi i votave të kandidatëve në Qendra Komunale të Numërimit.

Por, edhe pse në vendvotime bëhet numërimi i kërkuar sipas ligjit, të njëjtat fletëvotime i nënshtrohen një procesi që sipas KQZ-së është “verifikim i rezultateve nga formularët e plotësuar në vendvotime” që ka për qëllim sigurimin e saktësisë dhe integritetit të rezultateve zgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar për KosovaPress se në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, ku zhvendoset procesi zgjedhor pas ditës së votimit, zhvillohen tri aktivitete të rëndësishme.

Sipas tij, KQZ përfshiu “verifikimin e rezultateve” në aktet nënligjore pas përfundimit të reformës zgjedhore në vitin 2023.

Elezi: Verifikimi i rezultateve është masë shtesë

“Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Pas miratimit të Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, në verën e vitit 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar aktet nënligjore, përmes së cilave konkretizohen aspektet e organizimit të procesit zgjedhor. Verifikimi i rezultateve në QKN nga formularët që plotësohen në vendvotime është një masë shtesë që ka për qëllim sigurimin e saktësisë dhe besueshmërisë në rezultatet zgjedhore”, tha Elezi.

Në rast se gjatë procesit të verifikimit në Qendrat Komunale të Numërimit konstatohet se rezultati i ndonjë kandidati apo subjekti politik nuk është përshkruar saktë në formularët e plotësuar në vendvotime, KQZ ka mundësi të bëjë korrigjimin e këtyre të dhënave.

Elezi: Në QKN mund të bëhet korrigjimi i rezultatit

“Në Qendrat Komunale të Numërimit mund të bëhet korrigjimi i rezultatit, i cili është evidentuar në formularët që janë plotësuar në vendvotime. Kjo procedurë ëstë pjesë e kontrollit, në mënyrë që të reflektohet vullneti real i votuesve të shprehur në vendvotime, përmes votës së tyre”, tha Elezi.

Elezi: 24 komuna përfundojnë verifikimin dhe numërimin – aprovohen më shumë se 29,000 pako me fletëvotime të diasporës, refuzohen rreth 3,900

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësimin e të dhënave nga aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga vlerësimi i pakove me fletëvotime të supozuara që i takojnë votimit me postë për votuesit jashtë Kosovës.

Në një njoftim të Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri në orën 10:00 (e premte) “aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 24 komuna: Han i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas dhe Vushtrri (e enjte)”.

Sipas Elezit, deri në të njëjtën kohë të ditës së premte, në Qendrat Komunale të Numërimit “janë verifikuar reuzltatet për 1,903 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,882 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 1,882, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,785”, njoftoi Elezi.

Ndërkaq, për procesin e votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës, ai tregoi se procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, është drejt fundit.

“Procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 33,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 29,000, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,900. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,328 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tregoi Elezi.

Ky proces duket se është drejt fundit, pasi sipas të dhënave të KQZ-së, nga 23 kuti postare janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime.

Përfundon numërimi i votave për Asamble në Ferizaj, këta janë 5 kandidatët me të votuar

Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave për Asamble Komunale të Ferizajt.

Bazuar në këto rezultate preliminare, është bërë edhe renditja e 5 kandidatëve me të votuar për Asamblenë Komunale nga tri subjektet kryesore politike në këtë komunë: PDK, Vetëvendosje dhe LDK, raporton IndeksOnline.

Partia Demokratike e Kosovës: Agim Aliu ka marrë 20 mijë e 917 vota, i ndjekur nga Burim Bajrami 1 mijë e 344 vota, Xhevdet Haxhidema me 1 mijë e 167 vota, Amir Muhadini me 1 mijë e 34 vota dhe Sebahate Sadiku me 1 mijë e 30 vota.

Lëvizja Vetëvendosje: Fatbardha Beka 10 mijë e 33 vota, e ndjekur Brahim Osmani me 801 vota, Amir Rexhemi me 549 vota, Hysen Hyseni me 529 vota dhe Yllkë Neziri Hyseni me 461 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës: Visar Azemi 7 mijë e 918 vota, i ndekur nga Besnik Salihu me 438 vota, Jehona Mustafa Krasniqi me 311 vota, Egzona Selmi me 293 vota dhe Sakip Haliti me 289 vota.

Përmbyllet numërimi i votave në 21 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në ora 21:30 është përmbyllur verifikimi e numërimi i votave në 21 Qendra Komunale të Numërimit.

 “Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Ferizaj (e enjte)”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Ai ka treguar se në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme: “Verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale.

Në platformën e KQZ-së për rezultate vazhdueshëm po prezantohen rezultatet nga QKN-të, vendvotim pas vendvotimi".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat