LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Aktuale

LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 21:38 më 15.10.2025
Kutitë e votimit në një qendër në Prishtinë

Garë e ngushtë mes kandidatëve, këta emra po prijnë me vota për Asamblenë e Pejës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon numërimin e votave të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Deri më tani në komunën e Pejës janë numëruar 36 nga 140 vendvotime ose 25,71%. Në garën për kryetar të kësaj komune po prinë Gazmend Muhaxhiri i LDK-së, i pasuar nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.

Ndërkohë te votat e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Pejës janë numëruar 36 ng 140 qendrat e votimit në këtë komunë.

Pesë të parët te LDK-ja janë: bartësi i listës Gazmend Muahxheri me 4 mijë e 718 vota, Rexhep Kurtbogaj me 399 vota, Naser Gega 397 vota, Petrit Loci me 362 vota dhe Xhenet Syka Kelmendi me 340 vota.

Më të votuarit nga Lëvizja Vetëvendosje në Pejë aktualisht janë: Berat Ganiqi me 3 mijë e 45 vota, Mubera Belegu me 240 vota, Bujar Agulloshi me 223 vota, Gemza Sylejmani me 197 vota dhe Rrezarta Dresha Berisga me 195 vota.

Tek forca e tretë në këtë komunë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më të votuarit janë: Arbër Grabovci me 1 mijë e 880 vota, Naim Bytyqi me 147 vota, Drin Veselaj me 147 vota, Ilirjane Gafurri me 121 vota dhe Skender Radoniqi me 115 vota.

​Votimi me postë, refuzohen rreth 2400 pako me fletëvotime

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se nga 33.841 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë, një pjesë e tyre janë sjellë në Kosovë dhe deri sot, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18.000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15.600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2.400, raporton KosovaPress.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 1.133 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1.084 vendvotime.

Elezi: Aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 9 komuna

“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e mërkurë, janë verifikuar rezultatet për 1.133 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1.084 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 1,084, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Deri më tani, aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 9 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë. Kësaj liste pritet t’i shtohen edhe disa komuna tjera deri në përfundim të ditës së sotme. Komunat, në të cilat ka përfunduar procesi, kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka thënë Elezi.

Elezi ka bërë të ditur se ka filluar skanimi i listës së votuesve nga vendvotimet e rregullta nga disa prej komunave që tashmë kanë përfunduar punën QKN dhe që kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Elezi: Numri i fletëvotimeve me kusht është 2119

“Skanimi i listës së votuesve që është përdorur në vendvotime është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse i ndihmon KQZ-së të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Numri i zarfeve me fletëvotime nga votimi me kusht i mundësuar në 54 vendvotime në 38 komuna është 2.119, ndërkaq, në programin e votimit përmes ekipeve mobile, numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta ishte 3.467”, tha Elezi.

Ndërsa për aktivitetet nga votimi jashtë Kosovës dhe fillimi i verifikimit të pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës, zëdhënësi i KQZ-së tha se të martën është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimin jashtë Kosovës përmes postës në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe Kuvende Komunale.

Elezi: Votimi me postë, refuzohen rreth 2400 pako – nuk kishin dëftesa regjistrimi

“Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr 33.841 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellë në Kosovë. Aktualisht, KQZ-ja ka filluar me vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës, të cilat janë sjellë në Kosovë, deri më tani. Deri të mërkurën në orën 16:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18.000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15.600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2.400. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 2.358 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi.

KQZ ka bërë të ditur se në fund të procesit të vlerësimit, do të publikojnë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ndryshe, sot po vazhdon dita e tretë e aktiviteteve Qendrat Komunale të Numërimit, ku përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale, po bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet e partive politike në zgjedhjet e 12 tetorit, ku shumica e komunave do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.

KQZ: Deri në orën 12:00 janë verifikuar rezultatet e 845 vendvotimeve për kryetarë komunash

Deri në orën 12:00 të së mërkurës janë verifikuar rezultatet për 845 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave.

Po në këtë periudhë janë verifikuar edhe rezultatet e zgjedhjeve për asamble nga 792 vendvotime.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Nga po kaq vendvotime, 792, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Në përgjithësi, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme, njëkohsisht: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale”, ka thënë Elezi.

“Në platformën e KQZ-së për rezultateve, prezantohen rezultatet nga QKN-të, të cilat përfshijnë: -rezultatet e verifikuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, -rezultatet e verifikuara të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale, dhe -votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale”, tha ai

Përfundon verifikimi i votave në disa komuna

Ka përfunduar verifikimi i votave për kryetar të komunave në disa komuna të vogla, ndërsa në qendrat e mëdha po verifikohen më ngadalë.

Në Junik pritet të ketë balotazh mes Ruzhdi Shehut të LDK-së dhe Agron Kuçit të AAK-së. Ndërsa në Han të Elezit, Mehmet Ballazhi i PDK-së ka marrë 50.96 për qind përballë Rufki Sumës.

Në Novobërdë Sasha Millosheviq e Listës Serbe ka konfirmuar fitoren pa balotazh. Edhe në Zubin Potok, pa balotazh ka fituar Milos Perovic i Listës Serbe me 70.95 për qind. Kjo parti ka fituar pa balotazh edhe në Zveçan, Ranillug e Partesh.

E në Mamushë, Abdulhadi Krasniç i KDTP-së ka fituar pa balotazh, pas verifikimit të votave.

Në Deçan deri në ora 11:00 janë verifikuar e rinumëruar votat për 70 për qind, Gjakovë 23.29 për qind, Gllogoc 34.25, Gjilan 26.32, Dragash 49.12, Istog 61.67, Kaçanik 22.73 dhe Klinë 50 për qind.

Ndërsa në Fushë Kosovë janë verifikuar e rinumëruar vetëm 5.08 për qind. Në Kamenicë 43.14%, Mitrovicë të Jugut 31.43%, Lipjan 36.36%, Obiliq 33.33%, Rahovec 40.26%, Pejë 17.14%, Podujevë 18.58%, Skënderaj 66.67%, Shtime 75.76%, Suharekë 42.53%, Ferizaj 40.26%, Viti 37.50% Vushtrri 38.14%. Edhe në Malishevë janë verifikuar e rinumëruar 18.92 për qind.

Ndërkohë në Prishtinë janë verifikuar vetëm 9.33 për qind e votave për kryetarë komune.

Në numër më të vogël shkon komuna e Prizrenit me 1.27 për qind.

Në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq janë verifikuar e rinumëruar 64 për qind e votave, Shtërpcë 94.12%, Graçanicë 47.06%, Kllokot 34.79% dhe Mitrovicë të Veriut 59.39 për qind.

KQZ vazhdon numërimin e votave për asamble komunale – rezultatet po publikohen LIVE

Pas publikimit të rezultateve preliminare për kryetarët e komunave dhe votat e partive për asamble, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur tashmë numërimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) të votave për kandidatët për asamble komunale.

Procesi i numërimit po zhvillohet paralelisht në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa në disa prej tyre me më pak popullsi – si Han i Elezit e Juniku – numërimi tashmë ka përfunduar.

Për të përcjellë LIVE rezultatet e kandidatëve për asamble komunale, klikoni në këtë LINK

Numërohen votat e para për Asamblenë në Prizren

KQZ ka publikuar rezultatet e para të kandidatëve për Asamblenë Komunale të Prizrenit.

Rezultatet për secilin kandidat mund t’i gjeni në këtë link.

Deri tani është numëruar veç një vendvotim.

PDK renditet e para me 101 vota, VV e dyta me 63 vota dhe Bashkimi Demokratik i Prizrenit me 55 vota, pasuar nga LDK me 23 vota.

Kandidatët që nuk votuan as për veten e tyre në Zveçan

Numërimi i votave për Kuvendin Komunal ka përfunduar edhe në Zveçan, por ajo që bije në sy është se janë 31 kandidatë me zero vota.

Pas numërimit të votave për Kuvendin Komunal në këtë komunë, partia që doli më e votuara ishte Lista Serbe, por edhe kjo parti mori vetëm 361 vota apo 92.33%.

Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal kanë marrë 3.32% ose 127 vota. Kurse, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë marrë gjithsej 2.41% ose 92 vota.

Por e veçantë është se një kandidatë i PDK-së nuk ka marrë asnjë votë dhe një tjetër një votë. Kurse, dy kandidatë të LVV-së, nuk kanë marrë asnjë votë, e një tjetër vetëm dy vota.

Kandidatët që mbetën pa asnjë votë në këtë komunë janë:

Flurim Kelmendi PDK 0 vota

Selvije Peci LVV 0 vota

Rabije Peci LVV 0 vota

Numërohen votat e para për Asamblistë në Prishtinë, këto janë rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve për kandidatët e Asamblesë së Komunës së Prishtinës.

Votat që kanë marrë kandidatët mund t’i gjeni në këtë link.

Deri tani janë procesuar rezultatet për dy vendvotime. LDK ka deri tash 300 vota, e ndjekur nga VV me 197 dhe PDK me 187.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës i pari renditet Përparim Rama me 300 vota si bartës liste, pasuar nga Fadil Aliu me 33 vota, Dasmor Durmishi me 26 vota, Etnik Mustafa me 14 vota dhe Bujar Gashi me 13 vota.

Nga VV i pari renditet Mrika Limani Myrtaj si bartëse liste me 197 vota. Pas saj është Gëzim Sveçla me 19 vota, Egzon Azemi me 15, Besart Krasniqi me 11 dhe Nora Kelmendi me 9 vota.

Rezultatet e fundit për Kuvendin e Vitisë

Për balotazh në zgjedhjet për kryetar të komunës do të përballen Sokol Haliti i LDK-së dhe Arsim Ademi i Vetëvendosjes.

Deri tani janë numëruar 15 vendvotime nga 60, ose 23.44% e totalit.

Në garën për kryetar, Sokol Haliti, si bartës i listës, ka marrë 1,553 vota, i ndjekur nga Ilir Zuka me 191 vota dhe Djellza Fejzullahu me 167 vota.

Tek Partia Demokratike e Kosovës, me më së shumti vota si bartës i listës është Bekim Azizi me 1 mijë e 401 vota.  i Dyti Selim Sejdiu me 182 vota dhe Visar Demiri me 162 vota.

Tre më të votuarit e VV-së në Viti janë: Majlinda Shabani me 1 mijë e 125 vota, Vjosa Zuka me 119 vota dhe Orhan Balidema me 119 vota.

Rezultatet e para, këta janë më të votuarit në garën për asamble në Vushtrri

Numërimi i votave të kandidatëve për Kuvendin Komunal të Vushtrrisë po vazhdon, teksa KQZ tashmë ka nisur publikimin e rezultateve të para.

Nga numërimi i 20 përqind të votave, PDK është partia e parë me 36.24 përqind të votave.

E dyta renditet Vetëvendosja me 28.42 përqind dhe LDK me 22.46.

Tek PDK, më së shumti vota ka marrë Ferit Idrizi si bartës i listës me 2 mijë e 7 vota, pasuar nga Hava Mlinaku 232 vota dhe Xhon Gubetini me 150 vota.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat