Uran Ismaili fton qytetarët e Prishtinës të dalin për të votuar

Aktuale

Uran Ismaili fton qytetarët e Prishtinës të dalin për të votuar

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 09:49
Uran Ismaili

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Pas votimit në shkollën “Ismail Qemali”, me bashkëshorten dhe djalin, Ismaili tha se sot është “ditë e mirë për Prishtinën”.

Ismaili: Ditë e mirë për Prishtinën

“Sot është një ditë e mirë për Prishtinës në të cilën vendosim të gjithë për të ardhmen e saj për katër vitet e radhës...Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të gjithë pa dallim të votojnë, ta shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe që e kemi, për t’i dhënë Prishtinës atë që e meriton si një kryeqytet që ka nevojë të jetë simbol për të gjithë ne”, tha Ismaili.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat