Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur shfaqje teatrale takimin e presidentes Vjosa Osmanit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Abdixhiku thotë se Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale dhe se ajo mbetet më e madhe se secili prej nesh.
“Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh.
Trajtojeni si të tillë.
Bëhuni të vërtetë!
Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thejshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë.
Pse gjithë ky zell për lojëra pa dinjitet minimal politik? A nuk ju duken mjaft 8 muaj vonesë në shtetin më të varfër në kontinent për t’i dhënë vonesa shtesë. A është qëndrimi me çdo kusht në pushtet edhe pa legjitimitet vlerë e re politike e një gjenerate që duhet të sjellë shpresë?”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, ai ka shtuar se këto zvarritje janë vetëm thellime të krizave.
“Këto zvarritje janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike.
Dua të besoj se Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare. Ky vullnet i është deponuar Presidentes javën që shkoj, haptazi dhe qartë. Dua të besoj, se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend, nuk ka shumicë parlamentare dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik”, ka përfunduar Abdixhiku.