Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot punimet për Qendrën e Strehimit dhe Përkujdesjes së Viktimave të Dhunës në Familje dhe objektin e ri të shkollës dhe kopshtit për fëmijë në veri të Mitrovicës.
Ai u shoqërua nga nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ushtruesi i detyrës së Ministrit, Blerim Sallahu, kryetari, Erden Atiq, nënkryetarja Katarina Axhançiq dhe kolegë të tjerë nga kabineti qeveritar, duke u njohur nga afër me detajet e projekteve dhe me dinamikën e punimeve.
Në njoftimin e ZKM-së bëhet e ditur se Qendra për Strehimin dhe Përkujdesjen e Viktimave të Dhunës në Familje ka një kosto totale prej 640 mijë euro dhe do të ketë dy kate, tri dhoma për gra pa fëmijë, tri dhoma për gra me fëmijë dhe një dhomë të veçantë për fëmijë. Punimet pritet të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm.
Objekti i shkollës dhe kopshtit për fëmijë, ku punimet kanë nisur në fillim të tetorit, është një investim tjetër i qeverisë prej 4.1 milionë euro dhe do të shërbejë për rreth 500 fëmijë.
"Kurti falënderoi të gjithë për kontributin dhe bashkëpunimin në realizimin e këtyre dy projekteve me rëndësi për banorët e veriut të Mitrovicës", thuhet në njoftim.