Zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Vigan Qorrolli, ka përfaqësuar Kosovën në Takimin e Nivelit të Lartë të “Justice Action Coalition” në Madrid.
Në fjalën e tij, Qorrolli theksoi se “lufta kundër korrupsionit nuk është më betejë morale, por projekt kombëtar për ta bërë drejtësinë themel të çdo përparimi”. Ai shtoi se Kosova po ecën me hapa të mëdhenj në forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit, duke u renditur ndër vendet më të sigurta në botë sipas raportit të Gallup Global Safety 2025.
“Zëri i Kosovës u dëgjua si i një Republike që po ecën përpara, me duar të pastra dhe institucione në rritje,” ka shkruar Qorrolli.
Postimi i plotë:
Në Madrid, në Takimin e Nivelit të Lartë të “Justice Action Coalition” — për drejtësinë që u shërben njerëzve!
Pata nderin ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në Justice Action Coalition (JAC), forum global ku mblidhen ministra të drejtësisë dhe përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme të botës për drejtësi dhe sundim të ligjit.
Që nga prilli i vitit 2023, Kosova është anëtare e plotë e kësaj aleance ndërkombëtare, dhe sot, në Madrid, zëri i saj u dëgjua si zëri i një Republike që po ecën përpara, me duar të pastra dhe me institucione që po rriten në forcë e besueshmëri.
🗣 Në fjalën time theksova se lufta kundër korrupsionit nuk është më betejë morale, por një projekt kombëtar për ta bërë drejtësinë themel të çdo përparimi.
Sepse një shtet që lufton korrupsionin, është një shtet që fiton besimin e qytetarëve dhe respektin e botës.
📊 Kosova po ecën me hapa të mëdhenj përpara, sipas World Justice Project, Transparency International dhe Freedom House, vendi ynë renditet ndër më përparimtarët në rajon.
🌍 Sipas Gallup Global Safety Report 2025, Kosova është ndër tri vendet më të sigurta në botë dhe vendi më i sigurt në Evropë, me 94 pikë nga 100 – një dëshmi e besimit të qytetarëve në ligj dhe në shtetin e tyre.
🇽🇰 Me Kosovën që po forcon drejtësinë, ligjin dhe dinjitetin e saj institucional, në zemrën e Evropës dhe në skenën globale të së drejtës.