Çfarë tha Clark në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

Aktuale

Çfarë tha Clark në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

Më: 17 nëntor 2025 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 13:57 më 17.11.2025
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.

Clark: Nuk kishte shumë informacion për UÇK-në më 1998

Tani Misetiq po e pyet Clarkun se sa shumë dinte ai në verën dhe vjeshtën e 1998-tës për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Clark theksoi se “nuk kishte shumë informacione, nuk kishte shumë gjëra për të folur për sa i takon komandës”.

“Më sa dinim ne bëhej fjalë për grupe lokale, që ishin krijuar pak a shumë si përgjigje ndaj shtypjes serbe ndër vite. Në veçanti, pas vrasjes së familjes Jashari, u krijua në alarmi i përgjithshëm dhe për këtë arsye njerëzit gjithnjë e më tepër po i formonin këto grupe lokale. Kaq dinim ne”, tha ai.

Ai tha se asokohe “unë sigurisht mora më shumë informata lidhur me UÇK-në nga serbët, sesa nga forcat tona”.

“Serbët kishin pika në identifikuar në hartë, të cilat i identifikonin si të ashtuquajtura pika terroriste. Ata po mundoheshin të grumbullonin informacione në to, por shumica e njerëzve në këto grupe kishin shtëpi dhe familje. Ata mundoheshin ta jetonin jetën e tyre dhe ta mbronin familjen dhe veten”, dëshmoi Clark. / REL

Mbrojtja: Clark beson se është e padrejtë që gabimet e të tjerëve t’i atribuohen Thaçit

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha në Hagë se dëshmitari Wesley Clark beson se është e padrejtë që gabimet e të tjerëve t’i atribuohen Thaçit.

“Bazuar në përgjegjësinë e përgjithshme të Gjenerali Clark dhe konstatimet e tij të drejtpërdrejta, ai beson që është e padrejtë t’i atribuohen gabimet e të tjerëve zotit Thaçi”, tha avokati Mishetiq gjatë leximit të përmbledhjes së dëshmisë për këtë dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mishetiq i cili filloi i pari pyetjet për Clark, tha se ai është gjeneral i dekoruar në SHBA e që ka shërbyer si komandant i forcave aleate në Evropë.

Mishetiq tha se Clark ka qenë në dijeni për dhunën në verën e 1999-ës në Kosovë dhe këtë ua atribuon shumë faktorëve.

“Gjenerali Clark dëshmon se askush në zinxhirin hierarkik të NATO-s nuk mendoi se do të vazhdojë konflikti i armatosur pas qershorit 1999. Po ashtu, do të përshkruajë se ka qenë në dijeni për valën e dhunës në verën e 1999-ës pas kthimit të refugjatëve në Kosovë në vendin e tyre dhe ua atribuon dhunën faktorëve të ndryshëm përfshirë; urrejtjen, hakmarrje, gjakmarrjen dhe bandat kriminale”, tha Mishetiq.

Avokati tha se gjenerali Clark nuk beson që udhëheqja e UÇK-së ka qenë e angazhuar në këto akte dhune e po ashtu as Thaçi veçanërisht s’ka pasur motiv ta bëjë një gjë të tillë.

“Gjenerali Clark nuk beso që udhëheqja e UÇK-së ka qenë e angazhuar në këto akte dhunë kundër serbëve apo kundër pakicave si dhe as zoti Thaçi nuk ka pasur konkretisht motiv për t’u përfshirë në veprimtari të tilla. Së fundi, gjenerali Clark do të përshkruajë komunikimet e ndryshme që ka pasur me UÇK-në, delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje dhe konkretisht me zotin Thaçin”, tha ai.

Përveç kësaj, sipas Mishetiq, Clark do të tregojë se në UÇK s’ka pasur organizim për hierarki nga poshtë-lart dhe se Thaçi ka qenë vetëm një figurë politike pa përvojë ushtarake

“Ai do të tregojë se nuk e ka parë UÇK-në si një organizatë të strukturuar mirë me funksionin nga lart-poshtë apo të kishte strukturë komande dhe kontrolli. Ai po ashtu ka parë se mungonte kontrolli në fakt dhe zoti Thaçi nuk kishte kontroll brenda UÇK-së dhe se ai ka qenë thjesht një figurë politike pa përvojë ushtarake dhe që kishte influencë të kufizuar ndaj ushtarëve të UÇK-së”, tha ai.

Sipas Mishetiq, Clark do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për zbatimin e marrëveshjeve që ka pasur lidhje me konfliktin në Kosovë.

“Gjenerali Clark do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për të zbatuar marrëveshjen Holbrooke dhe Millosheviq nga tetori i 1998-ës dhe për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 119. Do të flasë për fushatën ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, dislokimin e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake dhe rezolutën e OKB-së 1244 dhe për procesin e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së”, tha avokati.

Çfarë pritet të dëshmojë Clark?

Avokati mbrojtës i Thaçit, Lluka Misetiq, e bëri një përmbledhje të asaj çfarë pritet të dëshmojë Clark.

Ai pritet të thotë se asnjë person në zinxhirin komandues të NATO-s nuk kishte marrë ndonjë informacion se konflikti i armatosur kishte vazhduar pas qershorit 1999.

Ai gjithashtu do të përshkruaj se ishte i vetëdijshëm për valën e dhunës në verën e vitit 1999, pas kthimit të refugjatëve të Kosovës, dhe ia atribuon dhunën faktorëve të ndryshëm, përfshirë urrejtjen, hakmarrjen, gjakmarrjet dhe bandat kriminale.

Gjenerali Clark nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ishte e angazhuar në një përpjekje të koordinuar për të shënjestruar dhe sulmuar serbët apo pakicat, dhe as se Thaçi kishte ndonjë motiv të posaçëm për t’u angazhuar në një sjellje të tillë.

Clark do të përshkruajë ndërveprime të ndryshme që ai kishte pasur me UÇK-në, me delegacionin kosovar në Rambuje dhe me Thaçi konkretisht.

Ai do të dëshmojë se nuk e shihte UÇK-në si një organizatë të integruar mirë, nga lart-poshtë, me ndonjë strukturë funksionale komanduese apo kontrolli.

Clark do të tregojë se kishte vërejtur mungesën e kontrollit që Thaçi kishte mbi UÇK-në dhe se ai ishte vetëm një figurë politike pa përvojë ushtarake, me ndikim të kufizuar mbi luftëtarët e UÇK-së. / REL

Clark, dëshmitari i fundit në mbrojtjen e Thaçit

Clark do të jetë i fundit që do të dëshmojë në të mirë të Thaçit, mbrojtja e të cilit e filloi thirrjen e dëshmitarëve në shtator.

Deri tani, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, si dhe Mike Durkee, këshilltar i gjeneralit Clark më 1999.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK.

Sot nis dëshmia e Wesley Clark në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, pritet sot të nis dëshminë në gjykatën e Hagës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës është caktuar që Wesley Clark të fillojë dëshminë të hënën, më 17 nëntor.

Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën ishte planifikuar të fillonte dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor, por Specialja njoftoi se do të rezervojë një ditë shtesë, siç u kërkua.

"Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë. Trupi Gjykues deklaroi se kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja, por megjithatë i kërkoi palëve që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundshme", njoftoi Specialja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat