Rasti i Liridona Ademajt - prokurorja prezanton provat e natës fatale: Naim Murseli kishte borxh rreth gjysmë milioni euro

Aktuale

Rasti i Liridona Ademajt - prokurorja prezanton provat e natës fatale: Naim Murseli kishte borxh rreth gjysmë milioni euro

Më: 24 nëntor 2025 Në ora: 08:15 Përditësuar në ora: 14:48 më 24.11.2025
Liridona Ademaj

​Ndërpritet seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, caktohet seanca e radhës

Pas problemeve teknike, gjyqtarja Fatime Dërmaku ka propozuar qe të ndërpritet seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 dhjetor.

Ne shqyrtimin gjyqësor, ku ishte paraparë shfaqja e sekuencave nga shtëpia e Naim Murselit, për shkak të materialeve të shumta, nuk kanë arritur që të njëjtat të transmetohen para trupit gjykues.

Trupi gjykues e sheh të arsyeshme të ju jap kohën e nevojshme, thekson Dërmaku

"Trupi gjykues e sheh të arsyeshme të ju jap kohën e nevojshme që t'i bartni sekuencat, përndryshe në këtë formë nuk ka mundësi kështu se folldera ka shumë. Nëse je e gatshme, nëse jo shkojmë me datën 12", ka thënë gjyqtarja Fatime Dërmaku.

Me këtë propozim është pajtuar prokurorja Javorka Perlinçeviq, e cila tha se nuk është bërë selektim i pamjeve, me qëllim që të mos nxiten dyshime për fshehje nga ana e palës mbrojtëse.

Për lëvizjet e Naim Mueselit ditën kritike si dhe disa veprime ditën e nesërme, flet Perlinçeviq

"Në pauza paradite dhe pasdite të shqyrtimit gjyqësor unë kam provuar të kontaktojë me zyrtarin e IT , profesionistë nga prokuroria që të mund të ndajmë video incizimet, mirëpo, pasi që ka qenë pauza nuk kanë qenë të qasshëm, të disponueshëm, ashtu qe do të ishte më së miri pasi që follderi ka të bëjë për video incizimet, pamjet para shtëpisë të të akuzuarit Naim Murseli, është një file (fail) i madh video, diku 700-800 gigabajt, ashtu që do të ishte mirë që kjo seancë të caktohet për ndonjë ditë tjetër apo me datën 12. Prokuroria do të mundohet qe sekuencat të dorëzohen të ndara. Ne si prokurori, në hardisk, i kemi bartur te gjitha përmbajtjet pa ndarë asgjë. Dhe nuk kemi ndërprerë dhe nuk kemi shkëputur asnjë sekuencë për arsye që mund të kemi kundërshtime nga ana e mbrojtjes. Që mos t'i bien që prokuroria ka dashur diçka të fshehë nga ajo... Lëvizjet e Naim Mueselit ditën kritike si dhe disa veprime ditën e nesërme. Prokuroria pas kësaj do të mundohet t'i ndajë sekuencat të kohës që kemi propozuar dhe të paraqiten për seancën e ardhme", tha ajo.

Trupi gjykues ka vendosur që seanca të ndërpritet dhe seanca e radhës të mbahet me datën 12 dhjetor.

Seanca e sotme ndërpritet dhe e radhës do të jetë me 12.12, flet Dërmaku

"Në këto rrethana trupi gjykues merr aktvendim, aprovohet propozimi i prokurorit të shtetit, seanca e sotme ndërpritet dhe e radhës do të jetë me 12.12, sipas agjendës se përcaktuar. Prej orës 9 deri në orën 12", tha ajo.

Paraprakisht është mbajtur një pauzë deri në orën 13:10, për shkak të problemeve të natyrës së njëjtë teknike.

Në gjykatore kanë qenë të pranishëm të akuzuarit, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava.

Po ashtu, i pranishëm ka qenë edhe vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi dhe avokati mbrojtës, Leutrim Syla.

Rinis seanca për rastin e Liridona Ademajt, të akuzuarit sillen të prangosur në gjykatore

Të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, janë rikthyer në gjykatore.

Pas disa problemeve teknike, seanca e sotme është ndërprerë për pak kohë, ndërsa tani gjyqi po vazhdon sërish.

Gjatë pjesës së parë të seancës, mungoi Shaban Murseli, babai i të akuzuarit, Naim Murseli, por u aprovua leximi i deklaratës së tij që e kishte dhënë në Polici më 6 dhjetor 2023.

Në këtë deklaratë, Shabani deklaronte se si e kishte kuptuar që i biri i tij u arrestua për përfshirje në vrasjen e gruas së tij, Liridonës.

Po ashtu, sipas prokurores, Javorka Perlinçeviq, në rrjetin social Whatsapp janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe Naim Murselit, dhe sipas provave të gjetura, ato kontakte kanë filluar të zhvillohen nga 23 nëntori 2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24, 27, 28 nëntor 2023 dhe në datën kur ndodhi vrasja më 29 nëntor 2023.

“Shok, sigurisht kryhet nesër”, prokurorja tregon për kontaktet që kishin Murseli e Plava në WhatsApp

Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, seanca e së hënës vazhdoi me propozimin e provave për administrim nga prokurorja Javorka Perlinçeviq.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka propozuar që në shqyrtim gjyqësor të administrohen të gjitha provat e mbledhura gjatë hetimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Provat që ajo përmendi ndër tjera janë: Raporti i bastisjes më 1 dhjetor 23 tek të dyshuarit Murseli, Plava e Kokalla. Po ashtu, vërtetimin për konfiskim të përkohshëm, raportin informues nga vendi i ngjarjes, raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ekspertiza balistike e armës, raporti i autopsisë, raporti preliminar për telefonat e të akuzuarve, raporti analitik përfundimtar për analizimin e video-incizimit, raporti informues për transaksionet bankare nga banka të ndryshme.

Gjithashtu, propozoi të administrohen dy CD për raportet nga kompania për thirrjet telefonike nga telefonat e të akuzuarve Plava dhe Kokalla, që kanë qenë të disponueshme pasi sipas saj, dihet që dy telefona të Naim Murselit dhe tani të ndjerës Liridona kanë humbur atë natë në mënyrë misterioze.

Sipas prokurores, në rrjetin social Whatsapp janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe Naim Murselit, dhe sipas provave të gjetura, ato kontakte kanë filluar të zhvillohen nga 23 nëntori 2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24, 27, 28 nëntor 2023 dhe në datën kur ndodhi vrajsa më 29 nëntor 2023.

Prokurorja theksoi se më 28 nëntor 2023, në orën 19:41, i pandehuri Murseli ka dërguar një mesazh tek Plava, ku shkruan “shok, sigurisht kryhet nesër…”.

Më tej, prokurorja tha se kishte vazhduar thirrja me telefon dhe se e fundit mes tyre ishte në Whatsapp më 29 nëntor 2023 në orën 19:01, ku kanë biseduar 28 sekonda. Tha se duke shikuar video-incizimet, kjo është koha kur Murseli në njërën anë me familje dhe në anën tjetër Plava në anën tjetër kanë qenë në të njëjtin restaurant.

Perlinçeviq theksoi se më pastaj, Plava kishte paguar llogarinë dhe ka dalë nga restoranti. Tha se kanë vërtetuar se ndihet edhe e shtëna, por nuk dëgjohet qartë dhe se për këtë kanë bërë ndarje dhe e kanë vetëm zhurmën e të shtënës që përputhet me atë që në vendin e ngjarjes gjatë vrasjes së tani të ndjerës është shkrepur një plumb dhe është gjetur gëzhoja.

Andaj, prokurorja i propozoi Gjykatës që të vazhdojnë me administrimin e këtyre provave.

Ndërkaq, përmendi se si Plava kishte hyrë në veturë dhe i kishte pritur Murselin dhe familjen e tij dhe kishte filluar t’i përcjellë deri në vendin e ngjarjes.

Për shkak të problemeve teknike, sesioni i paradites u ndërpre dhe pritet të vazhdojë nga ora 13:10.

Ndërpritet për arsye teknike seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt - vazhdon pasdite

Për shkak të pengesave teknike ështe ndërprerë seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

"Për shkak te pengesave teknike, seanca e paradites ndërpritet dhe i njëjti do të vazhdojë në 13:10 minuta", ka thënë gjyqtarja, Fatime Dërmaku.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, prokurorja ka vijuar me administrimin e provave.

Të pranishëm në gjykatore kanë qenë të akuzuarit, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava.

Rasti i Liridona Ademajt - prokurorja prezanton provat e natës fatale: Naim Murseli kishte borxh rreth gjysmë milioni euro

Seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, po vazhdon me administrimin e provave.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka treguar për komunikimet që kanë pasur Naim Murseli dhe Granit Plava, disa ditë radhazi para se të ndodhte rasti tragjik.

Para trupit gjykues, ajo ka prezantuar prova edhe se si natën e vrasjes, Granit Plava kishte qenë prezent në të njejtin restaurant me Naim Murselin e familjen e tij.

Rasti i Liridona Ademajt - prokurorja prezanton provat e natës fatale

"Dhe prova tjetër është, për raportet nga kompania, për thirrjet telefonike nga telefonët, të të pandehurit nga Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla të cilët kanë qenë të qasshsmë, pasi të gjithë e dimë që dy telefona të Naim Murselit dhe të te ndjerës Liridona Murseli që janë zhdukur në mënyrë misterioze atë natë kur ka ndodhur rasti. Në ëhatsApp, janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe të të pandehurit Naim Murseli dhe sipas provave të gjetura, të njëjtit kanë qenë duke u zhvilluar nga 23.11.2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24.11.2023, 25.11.2023, 26.11.2023, 27.11.2023 dhe në datën e ndodhjes së vrasjes më 29.11.2023. I pandehuri Naim Murseli ka dërguar një mesazh Granit Plavës me një mesazh siç është 'shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë shtëpia për paradite' pas kësaj ndërmjet të të pandehurve, ka vazhduar edhe thirrja me telefon dhe thirrja e fundit e cila është shkëmbyer, ndërmjet të të pandehurit Naim dhe Granit ka ndodhur ndërmjet rrjetit social ëhatsApp 29.11.2023 në 19:01, ku kanë biseduar 28 sekonda. Dhe duke shiquar videon-incizimet të cilat janë marrë, kjo është koha kur të dytë Naimi nga njëra anë me familjen dhe Granit Plava nga ana tjetër kanë qenë ne restorabtin Etnokuqa në Graqanicë. Pas kësaj i pandehuri i dytë Granit Plava ka paguar llogarinë dhe ka dalur nga restoranti, ka hyrë në veturën e tij dhe e ka pritur Naimin me familjen e tij. Dhe ka filluar t'i përcjell. Nga inicizimi mund të shihet ardhja e Naimit me familjen e tij si dhe ardhja e Vrajit Plavë pak më pas. Si dhe shkuarja e tyre nga ai restorant. Kamerat e këtij restoranti, inicizojnë si brendësinë dhe hapësirën e jashtme ku shumë mirë shihet, në cilën tavolinë ishin të ulur dhe gjithashtu ato mund të inicizojnë pamjen e hapësirave, e parkingun e restaurantit dhe shume mirë shihet veturat të të pandehurve të Naim Murselit dhe Granit Plavës si dhe ajo kohë kur Granit Plava ishte dalë i pari nga ai restaurant dhe ka pritur në veturën e tij që të dalë Naimi me familjen e vet, dhe pasi që ata janë nisur me veturë, ky i ka përcjell më pas" ka thënë ajo.

Prova tjera me video do të administrohen para trupit gjykues, pas 10 minutave pauza.

"Gjatë vrasjes së Liridona Ademajt është shkrepur një plumb dhe është gjetur gërzhoja e atij plumbi" - prokurorja paraqet provat para gjykatës

"Gjatë vrasjes së Liridona Ademajt është shkrepur një plumb dhe që është gjetur gërzhoja e atij plumbi, i propozoj gjykatës, që të vazhdojmë me administrimin e këtyreve provave", ka shtuar prokurorja.

Prokurorja në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka treguar se sa kishte qenë vlera e borxheve që kishte Naim Murseli.

Prokurorja: Naim Murseli kishte borxh 475 mijë e 968 euro

"369.968.77 euro [borxhi] dhe gjatë dëshmisë së vet të pandehurit, informata te cilat i ka dhënë hestuesve policor, në njësinë e paraburgimit, ka pasur borxhe edhe ndaj personave fizik në vlerë prej 106 mijë euro, që do te thotë që vlera e përgjithshme e borxhit të të pandehurve në mars të vitit 2024, kur është bërë analiza e gjendjes së tij financiarë ka qenë 475,968,77 euro", ka thënë ajo.

Prokurorja gjatë administrimit të provave foli edhe për përgjigjjen që kanë marrë nga Shteti suedez lidhur me sigurimin jetësor të Liridonës.

Prokurorja: Liridona kishte sigurim jetësor në vlerë prej 3 milionë kruneve suedeze

"Dhe më tej prova tjeter është përgjigja e organeve kompetente të Mbretërisë së Suedisë, i cili na vërteton që nga ana e organeve të Suedisë, është pranuar një përgjigje që Liridona Murseli ka pasur një polic të sigurimit jetësor me fillim të vlerësishmërisë 25 qershor 2022, në vlerën prej 3 milionë të kruneve suedeze, në të cilat nuk është cekur vazhduesi i përfitimit të sigurimit në rast të humbjes së jetës dhe në këto raste sipas ligjit, nëse nuk ka vartës pas vdekjes së saj, sipas ligjit më Suedi, shfrytëzuesi i policës do të ishte bashkëshorti", ka thënë ajo.

Seanca zhvillohet në mungesë të babait të Naim Murselit, aprovohet leximi i deklaratës të dhënë në Polici

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të hënën mungoi dëshmitari Shaban Murseli, babai i të akuzuarit Naim. Gjykata mori vendim të lexohet deklarata e tij e dhënë në Polici.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Fatime Dermaku tha se mungon Shaban Murseli, për të cilin Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese.

Ajo tha se sipas nipit të Murselit, ai jeton në Suedi. Dhe se Shaban Murseli të premten e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se meqenëse dëshmitari Murseli ka dhënë deklaratë në procedurën paraprake më 6 dhjetor 2023, dhe se tani nuk është i qasshëm për organet e gjyqësisë dhe se e ka njoftuar që nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, propozoi që deklarata e tij e dhënë në Polici të lexohet si provë me qëllim të ekonomizimit dhe racionalitetit të kësaj procedure penale.

Avokati i palës së dëmtuar, Leotrim Syla dhe mbrojtësja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku e përkrahën mendimin e prokurorit.

Edhe i akuzuari Murseli u pajtua me propozimin, me qëllim që të mos zvarritet procedura.

Po ashtu edhe i akuzuari Granit Plava dhe avokati i tij Skender Gojani, u pajtuan të lexohet deklarata e Murselit.

Kurse, avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Doda tha se pajtohen ta kenë vetëm si shkresë e jo si provë. Njëjtë i pajtua edhe Kokalla.

Më pas, trupi gjykues mori vendim për leximin e deklaratës së dëshmitarit Shaban Murseli e dhënë në Polici më 6 dhjetor 2023.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Në prag të dyvjetorit të vrasjes, vazhdon seanca gjyqësore për rastin e Liridona Ademajt

Me fillim nga ora 09:30, në Pallatin e Drejtësisë do të mbahet seanca e shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Për vijimin e seancës, ka shkruar edhe vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj.

Ai tha se kjo javë është e vështirë për ta, pasi më 29 nëntor bëhen dy vjet nga vrasja e më të dashurës së tyre.

“Përshëndetje,  ju informojmë që do të vazhdojë gjykimi në rastin e vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj. Java që po vjen është e vështirë për neve sepse më 29 nëntor bëhen dy vite nga vrasja e Liridonës tonë”.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar pikëllimin që ndjejmë për të. Vetëm drejtësia e shpejtë, profesionale dhe pa gabime mund të na lehtësojë dhimbjen e rëndë që po e përjetojnë fëmijët e saj dhe ne”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, në rastin e Liridona Ademaj kanë dëshmuar dëshmtarë okular, mjeku që bëri autopsinë, Naim Uka, eksperti Bujar Obertinca, ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Shpend Haxhibeqiri, e të tjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat