Në Kishën e Llapushnikut sot është inauguruar një mural simbolik i dedikuar Nëntorit të Parë, duke shënuar një moment të rëndësishëm kulturor dhe historik për komunitetin. Vepra artistike, e realizuar nga maestro Ylber Haxhiu dhe e mundësuar nga donatori Petrit Gjokë Prenaj, është vendosur në sallën kryesore të kishës, duke i dhënë hapësirës një dimension të ri artistik dhe kombëtar.
Gjatë ceremonisë së zbulimit, Marin Sopi theksoi rëndësinë e kësaj dite për historinë shqiptare, duke e cilësuar Nëntorin si ngjarje që rikujton rrënjët, identitetin dhe vizionin e përbashkët kombëtar.
Sopi u shpreh se kjo datë mbetet një pikë kthese për popullin shqiptar.
“Edhe sivjet kremtohet me emocione të veçanta, duke i nxitur të gjithë shqiptarët të reflektojnë sa për të kaluarën, aq edhe për të sotmen, e mbi të gjitha për të ardhmen. Kemi vendosur edhe moralin tonë që e ka bërë Ylber Haxhiu. Ky nuk duhet të jetë vetëm moral por pikënisja e gjithçkaje, finalja e finalistëve, bashkimi i të gjithë shqiptarëve”, theksoi Sopi.
Ai shtoi se murali i ri nuk është thjesht një element estetik, por një pikënisje simbolike, një thirrje për unitet e vetëdije kombëtare.
Ngjarja gjithashtu rikujtoi një moment historik madhor: më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në Krujë, akt që sot konsiderohet si gurthemel i identitetit dhe qëndresës shqiptare.
Murali në Llapushnik vlerësohet si një kontribut i çmuar atdhetar, duke e bërë kishën një hapësirë ku bashkohen arti, historia dhe identiteti kombëtar.