Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajsisë e lidhur në mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor, A.Z.
Fillimisht, prokurori Valdrin Krasniqi është deklaruar lidhur me ngocimin e marrëveshjes dhe propozimin mbi dënimin, i cili është negocuar me të akuzuarin Z., në prani të mbrojtësit të tij, avokatit Lulzim Aliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas kësaj marrëveshje, i pandehuri ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale dhe se me prokurorin e rastit janë pajtuar po ashtu që gjykatës t’i propozojë dënim me burg 6 muaj, që me kërkesën e palës së pandehur ky dënim të zëvendësohet me dënim me gjobë prej 4 mijë deri në 4 mijë e 500 euro”, tha prokurori Krasniqi.
Po ashtu, edhe avokati Aliu deklaroi se mbesin pranë marrëveshjes së arritur, duke propozuar që të aprovohet nga Gjykata.
Ndërsa, mbrojtësja e palës së dëmtuar A.D., avokatja Arbnora Zeqiri deklaroi se e kundërshtojnë kualifikimin e veprës penale dhe dënimin e propozuar.
Avokatja Zeqiri po ashtu deklaroi se i mbrojturi i tij ka paaftësi të përkohshme për punë dhe shëmtim të përhershëm si pasojë e kësaj vepre penale. I propozoi Gjykatës që të mos e aprovojë këtë marrëveshje dhe të lëshohet në shqyrtim gjyqësor me qëllim të marrjes së provave të reja. “Në emër të të dëmtuarit, ne nuk e pranojmë këtë kualifikim për shkak se në veprimet e të akuzuarit përmbushen elementet e veprës penale ‘Rrezikim i trafikut publik’ nga neni 370 i Kodit Penal dhe jo ‘Lëndim i rëndë trupor’ nga neni 186, par.3, nënpar. 3.1, pasi ne konsiderojmë se ky rast është aksident trafiku sikurse nga përshkrimi i gjendjes faktike në aktakuzë”, tha ndër të tjera avokatja Zeqiri.
Në fund, gjyqtari i rastit, Bujar Ahmeti mori aktvendim me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të akuzuarit Z,, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 18 shtator 2025 me marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, i akuzuari A.Z., ngarkohet se më 23 maj 2025, deri sa ishte në Prishtinë së bashku me tani të dëmtuarit në orarin e punës për leximin e njehësorëve në rrugë e sipër, kishte lejuar që tani i dëmtuari A.D., të ulej mbi veturë në pjesën e përparme dhe kishte filluar të ngiste veturën për më shumë se 500-600 metra me një shpejtësi të pakonstatuar deri më tani.
Aty thuhet se edhe përkundër faktit se i dëmtuari ishte ulur mbi pjesën e përparme të veturës, i dyshuari kishte frenuar me vrull e si pasojë e këtij veprimi, i dëmtuari bie me kokë në asfalt, me ç’rast nga kjo rënie i dëmtuari A.D. ka marrë lëndime të rënda trupore.
Për këtë, A.Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, par.3, nënpar.3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.