Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ndaj shpifjeve në rrjetet sociale, duke mbrojtur deputetin Fetah Rudi si “hero i demokracisë dhe i fjalës së lirë”.
Gashi përmendi një debat të tensionuar në Kuvend në vitin 2020 për krimet e luftës dhe të pasluftës, ku u shfaqën përplasje fizike mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së.
Ai theksoi se Rudi kishte të drejtë të fliste, ndërsa Gashi e konsideroi shpifjen si “vrasje e dytë”.
Postimi i plotë:
Po shoh në rrjetet sociale që shpifjet vazhdojnë, por ta dini se nuk më ndalni dot.
Po ua them qysh në krye të herës: Fetah Rudi është hero i demokracisë dhe i fjalës së lirë.
Ngjarja për të cilën flas është e vitit 2020 dhe lidhet me një debat të ashpër në Kuvendin e Republikës, kur po trajtoheshin krimet e luftës dhe të pasluftës. Tensionet ishin të larta, nuk lejohej as zëvendëskryeministri Selmanaj të merrte fjalën, dhe situata u agravua deri në përplasje fizike mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së – ndërkohë që kryetari i grupit të VV-së sapo ishte dërguar në Hagë.
Në atë moment tensioni, në shenjë solidariteti me grupin, Deputeti Fetah Rudi më tha: “A të flas dëshminë time?”
Iu përgjigja qartë: “Ti mund të flasësh sa herë të duash dhe çka të duash, por tani jemi duke u përballur me këtë sfidë. Kjo është betejë që ne duhet ta bëjmë për ty. Ti ke 20 vite që lufton.”
Kaq ishte e tëra. Pastaj vazhdoi përplasja, deri edhe fizike.
E për shpifjet – dijeni mirë: shpifja është vrasja e dytë.
Dhe gjaku i njerëzve të pafajshëm ka me ju zënë.
Kurrë hajër s’keni me pa.