Abdixhiku diskuton me diplomatët për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Aktuale

Abdixhiku diskuton me diplomatët për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Më: 9 dhjetor 2025 Në ora: 18:16
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati/ Foto: Facebook

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues diplomatikë të vendeve aleate gjatë ditëve të fundit. Sot, ai priti të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ndërsa më herët gjatë javës u takua me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, si dhe zhvilloi një drekë pune me ambasadorin e Gjermanisë, Rainer Rudolph.

Abdixhiku ka njoftuar se gjatë këtyre takimeve u diskutua për sfidat me të cilat po përballet Kosova, zhvillimet politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së ndaj tyre. Një rëndësi e veçantë iu kushtua Zgjedhjeve Nacionale të 28 dhjetorit dhe vizionit politik të LDK-së pas zgjedhjeve.

“Theksova përkushtimin e LDK-së për të garantuar stabilitet institucional dhe për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik të vendit; dhe mbi të gjitha ritheksova përkushtimin e LDK-së për ecje euroatlantike me aleat”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë procesit të shtetndërtimit, duke nënvizuar se partneriteti me këto vende mbetet thelbësor për të ardhmen demokratike dhe rrugëtimin euroatlantik të Republikës.

Në këtë kontekst, ai deklaroi se LDK mbetet garantuese e këtij orientimi strategjik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat