Këshilltari politik i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Jeton Zulfaj ka demantuar shefin e diplomacisë serbe Marko Gjuriq në lidhje me kërkesën e tij për kinse hetime mbi sulmin terrorist në Ibër-Lepenc një vit më parë, me qëllim që Serbia të luajë rolin e viktimës para Perëndimit.
Gjuriq vitin e kaluar kërkoi publikisht një hetim për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, edhe pse ai ishte në dijeni se kush qëndronte pas tij, përkujton Zulfaj në një shkrim në rrjetin X.
“Marko Gjuriq gënjeu vitin e kaluar. Megjithëse, për të qenë i sinqertë, ai e bën këtë gjatë gjithë kohës. Vitin e kaluar ai kërkoi publikisht një hetim për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc. Megjithatë, ne e dinim tashmë se ai ishte në dijeni se kush qëndronte pas tij, sepse ai takoi terroristin Milan Radoiçiq po atë muaj”.
Zulfaj thotë se thirrja e Gjuriq për "hetim" nuk ishte gjë tjetër veçse një model i paracaktuar i Serbisë në rajon - ata planifikojnë dhe sponsorizojnë veprime destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, pastaj luajnë rolin e viktimës para Perëndimit dhe akuzojnë të tjerët.
“Një student i shkëlqyer i Rusisë. Marko, hetimi i FBI-së thotë se e bëre ti. Çfarë do të thuash tani? Se u detyrove të cicëroje, apo se je një gënjeshtar i pandreqshëm, apo të dyja?”, ka përfunduar Zulfaj.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 8 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me partnerë ndërkombëtarë për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit. Të akuzuarit janë: Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimiviq.
Sipas komunikatës për media bëhet e ditur se aktakuza është ngrehur për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.
Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, i cili nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia, ndodhi më 30 nëntor 2024.
Pas këtij incidenti, ishte bërë e ditur se për hetimin e këtij rasti janë përfshirë edhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
Çka thotë aktakuza?
Më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram TNT) në brendësi të kanalit.
"J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
Me këto veprime, të pandehurit J.V. dhe D.V., kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste” .
Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D. Ndërsa, i pandehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti më 11 dhjetor 2025, duke folur në emisionin Policito të Kanal 10, ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit të gjendjes paraprake në veri, duke thënë se Kosova çdo herë do të fitojë si shtet ndaj çdo organizate kriminale.
“Në Kosovë sundimi i ligjit do të jetë gjithandej. Kthim në periudhë ku sundon krimi në veriun e Kosovës është e pamundur. Përpjekje mund të ketë sikurse sulmi në Ibër-Lepenc. A mund të ketë përpjekje për kthim? Po, por jam i sigurt se ato do të jenë dështim. Sa herë që provojnë, do të dështojnë dhe Kosova do të ngadhënjejë”, tha Kurti, transmeton KosovaPress.