Presidentja Osmani: Bahamas njeh Kosovën

Aktuale

Presidentja Osmani: Bahamas njeh Kosovën

Nga: H.O. Më: 19 dhjetor 2025 Në ora: 16:44 Përditësuar në ora: 20:56 më 19.12.2025
Pamje nga takimi

Davis pas njohjes: Kosova mund të mbështetet tek Bahamas si një partner i besueshëm

Bahamas është bërë shteti i 121-të që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Një lajm të tillë e ka bërë të ditur presidentja Vjosa Osmani të premten.

Presidentja Osmani e ka konsideruar këtë njohje vendim historik.

Në një konferencë për shtyp bashkë me Osmanin, kryeministri Davis tha se Kosova mund të mbështetet tek Bahamas si një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm.

“Ky është, pa asnjë dyshim, një moment historik për të dyja vendet tona dhe popujt tanë”, tha Davis.

“Nuk ka dyshim se ky është fillimi i një marrëdhënie që ne do të synojmë ta forcojmë. Ka shumë fusha ku ne mund të zhvillojmë bashkëpunim, posaçërisht në një botë ku ka sfida gjeopolitike, të cilat në prekin që të gjithëve”, shtoi ai.

Osmani e fton për vizitë kryeministrin e Bahamas: Ditë historike për ne, njohja do të hapë shumë kapituj bashkëpunimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media së bashku me kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, pas njohjes së Kosovës nga ky shtet, duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës.

Osmani ka thënë edhe se, kjo njohje është fillimi i një partneriteti të madh, dhe se, për Kosovën kjo është ditë me rëndësi historike.

‘‘Zoti Kryeministër, më lejoni ta filloj duke shprehur mirënjohjen e thellë të gjithë popullit të Republikës së Kosovës për këtë nder të madh që na keni bërë, duke na dhënë mundësinë të vijmë në vendin tuaj të mrekullueshëm, të vendosim marrëdhënie diplomatike dhe të marrim njohjen nga ana juaj për Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Ne jemi një komb që ka vuajtur shumë për të arritur deri në këtë ditë. Ka pasur aq shumë sakrifica nga një brez te tjetri. Prandaj, për ne kjo është një ditë me rëndësi historike — që në emër të një kombi që ka duruar kaq shumë, të vijmë në vendin tuaj të mrekullueshëm, të kemi mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj, të nënshkruajmë marrëdhënie diplomatike dhe të marrim njohjen tuaj, e cila besoj se është fillimi i një partneriteti të madh’’, ka thënë Osmani.

Osmani, tutje, ka deklaruar edhe se, Kosova do të jetë gjithmonë një partner për Bahamas, dhe se, do të ishte nder që kryeministri Davis të jetë për vizitë zyrtare në Kosovë në shënimin e 18 vjetorit të Pavarësisë.

‘‘Ju lutem, dijeni se në Republikën e Kosovës do të keni gjithmonë një mik, një partner dhe një aleat. Dhe te populli ynë do të keni gjithmonë mbështetje, si në kohë festimesh ashtu edhe në kohë të vështira. Ne do të jemi pranë jush. Do të ishte nder për ne t’ju mirëpresim në Republikën e Kosovës për një vizitë zyrtare, sa herë që koha ta lejojë. Dhe, siç thashë, veçanërisht nëse do të jeni me ne për festimet e 18-vjetorit të pavarësisë sonë si shtet sovran dhe i pavarur’’, ka deklaruar ajo.

Në fund, Osmani ka thënë se mezi pret që të forcohen edhe më tej marrëdhëniet mes dy shteteve, dhe se njohja do të hap shumë kapituj bashkëpunimi në shumë fusha.

‘’Edhe një herë, ju faleminderit shumë për këtë mundësi. Ju faleminderit shumë që na ftuat në Bahamas. Dhe ju faleminderit shumë që e njohët Kosovën dhe që na dhatë mundësinë të nënshkruajmë marrëdhënie diplomatike me vendin tuaj, gjë që besoj se do të hapë shumë kapituj bashkëpunimi në shumë fusha, për të cilat patëm rastin të diskutojmë edhe kur ishim në Nju Jork. Ne mezi presim ta forcojmë më tej këtë marrëdhënie të shkëlqyer mes dy vendeve tona. Faleminderit’’, ka thënë në fund ajo.

Presidentja Osmani: Bahamas njeh Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në facebook ka deklaruar se shteti Bahamas njeh pavarësinë e Kosovës.

Ajo shkruan se Bahamas bëhet shteti 121 që njeh Kosovën.

Këtë njoftim Presidentja Osmani e sjellë nga shteti Bahamas duke treguar edhe marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve.

Postimi i plotë:

Bahamas njeh Kosovën! 🇽🇰 🤝 🇧🇸

Edhe një vendim historik për vendin tonë.

Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë!

Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis.

Më poshtë deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët e Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat