Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e festës së Krishtlindjes, duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve të krishterë.
Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani thekson se kjo festë simbolizon dritën dhe shpresën, duke uruar që Krishtlindja të sjellë paqe shpirtërore, dashuri familjare dhe shëndet në çdo shtëpi.
Ajo ka vënë në pah rëndësinë e traditës së respektit, solidaritetit dhe mikpritjes që e karakterizon shoqërinë kosovare, duke nënvizuar se këto vlera duhet të shërbejnë si forcë bashkuese për të ecur përpara së bashku me besim, shpresë dhe mirëkuptim.
“Në këtë festë drite e shprese, uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë që Krishtlindja t’u sjellë paqe në shpirt, dashuri në familje dhe shëndet në çdo shtëpi. Le të na bashkojë tradita jonë e respektit, solidaritetit dhe e mikpritjes, duke na dhënë forcë të ecim përpara së bashku, me besim, shpresë dhe mirëkuptim”, ka deklaruar Presidentja Osmani.
Në përmbyllje të mesazhit, ajo ka uruar: “Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!”.
Sonte, mbahet Mesha e Krishtlindjes, meshën do ta udhëheq Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në Katedralen Shën Nënë Tereza.