Përfundon votimi në shumicën e ambasadave dhe konsullatave
Afati për të votuar në shumicën e përfaqësive diplomatike të Kosovës në botë ka përfunduar. Mbi 19 mijë shtetas kosovarë kishin të drejtë vote në 16 ambasada dhe 13 konsullata.
Sipas orarit lokal, votimi përfundoi në Stamboll në ora 17:00, ndërsa më pas edhe në Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke dhe Hungari në ora 19:00.
Votimi do të përfundojë më vonë në Londër në ora 20:00, ndërsa në SHBA dhe Kanada do të mbyllet në ora 01:00 të ditës tjetër, sipas kohës lokale të Kosovës.
Sipas të dhënave nga përfaqësitë diplomatike, deri në mesditë mbi 7 mijë nga mbi 19 mijë mërgimtarët e regjistruar kishin ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, edhe ish-krerët e UÇK-së votojnë nga Haga
Sot ka përfunduar votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, ndërsa nesër qytetarët do të shkojnë në kutitë e votimit në vend.
Edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerët e vendit kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar, pavarësisht se ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, konfirmoi se votimi i tyre ka përfunduar gjatë kësaj jave.
“Mund t’iu konfirmoj se gjatë javës, shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka bërë të ditur Elezi.
Ambasada e Kosovës në Slloveni ka një thirrje për votuesit
Ambasada e Kosovës në Slloveni ka bërë një thirrje për të gjithë bashkatdhetarët që janë regjistruar për të votuar në këtë përfaqësi diplomatike.
Përmes një njoftimi zyrtar, nga kjo ambasadë thonë se kanë mbetur edhe më pak se dy orë deri në mbylljen e vendvotimit, duke ftuar të gjithë ata që janë regjistruar, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Vendvotimi do të jetë i hapur deri në ora 19:00.
Adresa e Ambasadës është Tivolska cesta 48, Lubjanë” thuhet në njoftim.
Ky është njoftimi i plotë:
Të nderuar shtetas të Republikës së Kosovës,
Kanë mbetur edhe më pak se dy orë deri në mbyllje të vendvotimit në Ambasadën në Lubjanë.
Ftojmë të gjithë ju që jeni të regjistruar për të ushtruar të drejtën e votës të merrni pjesë në procesin e votimit.
Votimi mundësohet me:
Letërnjoftim të Republikës së Kosovës
Pasaportë të Republikës së Kosovës
Leje vozitje të Republikës së Kosovës
Sipas vendimit të KQZ-së, lejohet votimi edhe me dokument të skaduar.
Vendvotimi do të jetë i hapur deri në ora 19:00.
Adresa e Ambasadës është Tivolska cesta 48, Lubjanë.
KQZ-ja del me njoftim të ri për procesin zgjedhor në përfaqësi diplomatike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
KQZ-ja ka bërë të ditur se në ora 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në konsullatën e Stambollit, ndërkaq, në orën 19:00 Qendrat e Votimit do të mbyllen në shtetet tjera, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke dhe Hungari.
Ndërkohë, sipas KQZ-së, në orën 20:00 votimi do të përfundojë në ambasadën e Kosovës në Londër, kurse në orën 01:00 të ditës tjetër, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit do të përfundojë në 4 përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara e Kanada.
Ambasada e Kosovës në Uashington hap qendrën e votimit
Ambasada e Kosovës në Uashington ka njoftuar se tashmë është hapur qendra e votimit në këtë përfaqësi diplomatike të Kosovës.
Kjo qendër do të jetë e hapur për 12 orë dhe ata që janë regjistruar për të votuar mund ta përdorin dokumentet e tyre të indentifikimit për të votuar, edhe nëse janë me afat të skaduar.
“E hapur nga ora 07:00 deri në 19:00
Votuesit mund të përdorin një kartë identiteti, pasaportë ose patentë shoferi të Kosovës (pranohen dokumente të skaduara).
Vota juaj ka rëndësi”, ka njoftuar ambasada.
KQZ: Deri në orën 13:00 votuan mbi 7 mijë votues në 24 përfaqësi diplomatike
Nga ora 07:00 deri në 13:00 kanë votuar 7 mijë e 79 qytetarë të Kosovës në 24 përfaqësi diplomatike, nga gjithsej 19 mijë e 187 votues të regjistruar, që përbën 36.89 për qind të pjesëmarrjes.
Këtë e bëri të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë një konference për media, duke theksuar se procesi i votimit po zhvillohet pa incidente.
“Procesi i votimit është duke u zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në këto përfaqësi diplomatike, procesi i votimit po zhvillohet pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00, nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89 për qind, apo 7 mijë e 79 votues”, tha Elezi.
Elezi: Deri në ora 09:00 në 25 përfaqësi diplomatike votuan mbi një mijë votues
Në ora 05:00 me kohën lokale të Kosovës në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll ka filluar votimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit, si dhe nga ora 07:00 votimi në përfaqësi diplomatike ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike në Evropë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencën për media ka treguar se në 25 përfaqësi diplomatike ku edhe ka filluar procesi i votimit, dhe se deri në orën 09:00 nga 19 mijë e 187 votues, kanë votuar 1 mijë e 659 prej tyre, raporton EO.
“Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit që janë nga 25 përfaqësi diplomatike ku ka filluar procesi i votimit deri në ora 09:00 nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 8.64 për qind, apo një mijë e 659 prej tyre”, tregoi Elezi.
Ai ka treguar edhe se në përgjithësi janë 29 përfaqësi diplomatike.
“Numri i përgjithshëm i shtetaseve të Kosovës për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës është 19 mijë e 187 votues. Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme pasi në listën votuese që janë dërguar në këto përfaqësi janë vetëm emrat e shtetase që kanë zgjedhur këtë mënyrë të votimit”, tregoi ai.
Elezi ka treguar edhe kur dhe si nisi votimi në përfaqësi diplomatike.
“Procesi i votimit në ora 05:00 sipas kohës lokale në Kosovë ka filluar në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll. Ndërsa në ora 07:00 po ashtu sipas kohës lokale në Kosovë votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike që ndodhen në Evropë”, deklaroi Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme, sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës
Sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës zhvillohet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti, raporton KosovaPress.
Vetëm 19.187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike mund të votojnë sot, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit 26 nëntor-6 dhjetor.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme.