Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Aktuale

Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Më: 28 dhjetor 2025 Në ora: 08:13 Përditësuar në ora: 19:59 më 28.12.2025
Kuvendi i Kosovës

Prokurori i Shtetit: Asnjë i ndaluar për veprat penale që lidhen me zgjedhjet

Prokuroria e Shtetit tha se deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar për veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Megjithatë, sipas një njoftimi, afër 100 prokurorët e angazhuar në këto zgjedhje kanë verifikuar dhe trajtuar disa raste deri në mbylljen e vendvotimeve dhe vetëm pesë prej tyre “paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit”.

Rasti i parë është iniciuar në fshatin Ranillug, për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, tha Prokuroria e Shtetit.

Për këtë rast, Policia e Kosovës më herët tha se ka intervistuar kryetaren e Ranillugut, Tanja Antiq nga radhët e Listës Serbe, e cila dyshohet për ndikim te votuesit.

Prokurori i Shtetit tha se rasti i dytë është iniciuar në Zhegër, për veprat penale “Pengim i procesit të votimit” dhe “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, “ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

Rasti i tretë është iniciuar në Prizren, për veprën penale nga neni: 217 “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Rasti i katërt ishte në Drenas dhe kishte të bënte për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.

Ndërkaq, rasti i pestë është iniciuar në Suharekë, për veprën penale nga neni: “Cenimi i fshehtësisë së votimit”. Edhe në këtë rast, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Prokurorët, sipas njoftimit, do të vazhdojnë monitorimin e procesit të numërimit të votave në qendrat e votimit deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.

Si votuan qytetarët e diasporës që erdhën në Kosovë sipas UBO-s

Valon Feka nga UBO-Consulting ka bërë të ditur se pjesëmarrja e diasporës ka dhënë një ndikim të madh në rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

UBO Consulting ka publikuar detajet e EXIT POLL-it, të prezantuara në RTV Dukagjini, ku paraqiten të dhëna të votimit nga qytetarët rezidentë që jetojnë në Kosovë dhe ata që kanë ardhur nga diaspora.

Sipas exit-poll-it, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar tri mandate shtesë falë votës së diasporës, ku 61,7% e qytetarëve nga jashtë Kosovës të anketuar kanë votuar për këtë parti.

Feka theksoi se për herë të parë është regjistruar një numër kaq i madh i votuesve nga diaspora, të cilët përbëjnë rreth 15,5% të të anketuarve.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson bindshëm si brenda Kosovës ashtu edhe në diasporë. Në Kosovë (pa diasporën), VV ka marrë 43.5% të votave, ndërsa në diasporë përqindja e saj arrin në 61.7%, duke shënuar një mbështetje dukshëm më të lartë nga mërgata.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.9% në Kosovë dhe 18.6% në diasporë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 16.7% të votave në Kosovë dhe 10.3% në diasporë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shënon rezultate të ngjashme në të dyja rastet, me 5.4% në Kosovë dhe 5.1% në diasporë, ndërsa Nisma Socialdemokrate mbetet nën 2%, përkatësisht 1.8% në Kosovë dhe 1.7% në diasporë.

KQZ publikon të dhënat: Interesim i lartë në zgjedhje, mbi 44% e elektoratit votoi

Kosova votoi sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit.

Sipas platformës së KQZ-së për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë interesimi i qytetarëve për të votuar është i lartë.

Me mbylljen e vendvotimeve, KQZ ka publikuar të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve me të drejtë vote, gjithsej 44,95 për qidn prej tyre kanë shfrytëzuar të drejtën për votë, përcjell “Bota sot”.

Numri i votuesve të total në këto zgjedhje ishte 898,557.

Publikohet exit Poll-i i UBO Consulting: LVV kalon mbi 45%, PDK e LDK renditen pas saj

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga UBO Consulting, rezultatet e Exit Poll‑it tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prinë me rreth 45.7% të votave, duke u renditur e para në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me rreth 22.0% të përkrahjes, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zë vendin e tretë me rreth 15.6% të votave.

Rezultatet e sondazhit gjithashtu tregojnë një përqindje prej rreth 5.3% për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe përkrahje e vogël për Nisma Socialdemokrate 1.7%.

Exit‑poll‑i u realizua përmes një mostre të konsiderueshme ndër qytetarë gjatë ditës së votimit, dhe paraqet një pasqyrë paraprake të mundshme të rezultateve përpara përfundimit të numërimit zyrtar.

Valon Feka nga UBO-Consulting ka thënë se mostra është e madhe me rreth 9 mijë anketa në 80 qendra të votimit, me margjinë të gabimit 1%.

Përfundon procesi zgjedhor

Në orën 19:00 ka nisur mbyllja e qendrave të votimit në 38 komunat e Kosovës.

Si rëndom, në qendrat ku ka ende votues ato mbesin të hapura edhe pas orës 19:00, për t’iu mundësuar qytetarëve që të votojnë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 17:00 votuan mbi 38 për qind e afër 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Dalja më e madhe është regjistruar në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ndërkaq në kryeqendër, Prishtinë, dalja deri në orën 17:00 ishte 45.59 për qind.

KQZ pritet të publikojë së shpejti në platformën e saj shifrat për daljen e përgjithshme në votime.

​DnV: Ka një interesim në rritje të qytetarëve për të votuar

Demokracia në Veprim ka mbajtur konferencën e radhës për procesin e sotëm zgjedhor. Sipas DnV-së, orët e fundit ka një interesim në rritje të qytetarëve për të votuar.

Derisa kanë mbetur më pak se një orë deri në mbylljen e qendrave të votimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Eugen Cakolli tha se deri në orën 17:00 kanë dalë 38.9 për qind e votuesve.

Cakolli: Ka një interesim në rritje të qytetarëve për të votuar

“Tashmë kur kanë kaluar dhjetë orë që nga fillimi i procesit të votimit, vëzhguesit tanë po raportojnë për një interesim në rritje të qytetarëve për të votuar, ngjashëm sikurse në proceset e kaluara zgjedhore. Dalja në votime deri në orën 17:00, sipas vëzhguesve të DnV-së, raportohet të jetë 38.9 për qind në nivel vendi. Sa për krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit, dalja në votime në intervalin e njëjtë kohor ishte identike me 39 për qind. Rajonet me daljen më të madhe në zgjedhje mbesin të njëjtat, ku prijnë komunat me shumicë serbe, veçanërisht ato në veri. Pasuar nga rajoni i Prishtinës, ku dalja është 43 për qind apo 5 për qind më shumë sesa në nivel vendi. Në anën tjetër, në komunat e tjera ka dalje të njëjtë apo pak më të ulët sesa në nivel vendi”, tha ai.

Ndër fenomenet në lidhje me parregullsitë e procesit zgjedhor, Cakolli tha se ka pasur raste kur votuesit nuk kanë gjetur emrin e tyre në listat e vendvotimit, fotografimi i votës, votimi me asistencë dhe ndërprerja e përkohshme e energjisë elektrike në disa komuna.

Cakolli: 21 raste janë evidentuar të fotografimit të votës

“Mbi 70 për qind e vendvotimeve ka raste kur votuesit nuk kanë arritur të gjejnë emrin e tyre në listë, përkatësisht kanë shkuar në vendvotimin e gabuar. Madje, në 15 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, ky fenomen është i shprehur deri në 30 raste brenda vendvotimit, gjë që tregon një trend rritjeje. Sa i përket votimit me asistencë, trendi tregon se është i njëjtë sikurse në pjesën e parë të ditës. Ajo çka vërehet është se ka një përhapje të numrit të vendvotimeve kur kjo formë është më e shprehur. Fotografimi dhe bërja publike e votës, që ndërlidhet me rastet e blerjes, frikësimit apo shtrembërimit të vullnetit të qytetarëve, janë raportuar në gjithsej 21 raste”, theksoi ai.

Sipas KQZ-së, numri i votuesve që kanë votuar deri në orën 18: 24 është 770. 751. 

Zgjedhjet në veri pa incidente, Policia ndalon hyrjet ilegale nga Serbia

Procesi i votimit në komunat veriore deri në këto momente ka kaluar pa incidente, derisa janë ndaluar hyrjet ilegale nga Serbia për të votuar.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i rajonit të veriut i ka thënë KosovaPress-it, se që nga orët e hershme të mëngjesit, kur është bërë hapja e vendvotimeve në veri të vendit, nuk kemi iniciuar asnjë rast për hetim deri në këtë moment.

Elshani: Kanë bërë disa verifikime në komunat në veri

“Kemi pasur disa raste të verifikimeve të ndryshme që i kemi bërë, si në Zubin Potok, Leposaviq, Soçanicë dhe në qytete të tjera, mirëpo nuk kemi ndonjë rast për ta theksuar. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me KQZ-në dhe me Prokurorinë e Shtetit”, tha ai, derisa ka treguar për masat që kanë marrë për të mos hyrë ilegalisht nga Serbia për të votuar.

Elshani: Kemi ndaluar hyrjen ilegale në veri për të votuar

“Më herët, gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi pasur informacione se njerëzit po vinin përmes rrugëve ilegale, konkretisht nga ura e Bërnjakut, kalonin tek ne dhe më pas vazhdonin në veri të vendit. Këtë e kemi ndaluar edhe atëherë, por e kemi ndaluar edhe tani paraprakisht. Kjo ka qenë arsyeja pse janë marrë këto masa. Po ashtu, kemi pasur koordinim me Policinë Kufitare, pasi aty janë edhe barkat, si dhe me KFOR-in. Nuk kemi pasur raste për të ndaluar dikë, pasi ata persona janë kthyer nga ajo rrugë”, tha ai.

Elshani komentoi edhe votimin e organizuar të Listës Serbe.

Elshani: Prokurorin njoftuam për votimin e organizuar të Listës Serbe

“Në orët e mëngjesit kemi pasur edhe një votim të organizuar, të ashtuquajtur, nga sheshi “Car Lazari” e më pas drejt qendrave të votimit. Kjo ka ndodhur edhe në komunat e tjera të veriut të vendit dhe ka qenë një praktikë e përsëritur edhe herëve të kaluara. Për këtë e kemi njoftuar KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por nuk kemi pasur rast për të hapur”, tha ai.

Ai shtoi se ekziston një plan i përgjithshëm në nivel të Kosovës lidhur me zgjedhjet që po mbahen sot dhe se ata janë pjesë e atij plani, por me disa specifika për shkak se janë zonë kufitare me Serbinë.

Ai shtoi se në veri ka shumë rrugë ilegale dhe të gjitha janë të mbuluara nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa dje edhe nga njësitë e KFOR-it, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët që kemi.

Sipas tij, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident në veri.

Një orë para mbylljes së vendvotimeve, ky është numri i qytetarëve që kanë votuar deri tani

Kosova voton sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se fillimi i procesit të votimit ka nisur nga ora 07:00 të mëngjesit.

Sipas platformës së KQZ-së për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë interesimi i qytetarëve për të votuar është i lartë.

Numri i votuesve që kanë votuar deri në orë 17:49 është 770 mijë e 79 apo 38.52% e votuesve.

Këto janë rezultatet e para të publikuara nga KQZ nga 2 mijë e 526 vendvotime të procesuara nga 2557 apo 98.79% të vendvotimeve.

Pula: Tri raste shkeljesh evidentohen nga Prokuroria, tjerat incidente të vogla

Tri raste janë evidentuar nga Prokurori i Shtetit për shkelje të procesit zgjedhor, ndërkaq disa incidente tjera të vogla janë shënuar gjatë ditës, ka thënë për RTK-në, Laura Pula, koordinatore Nacionale e Zgjedhjeve.

“Deri më tani i kemi tri raste të evidentuara, që duhet të trajtohen në kuadër të Prokurorit të Shtetit. Incidentet e ndryshme janë ato që ndodhin në kohë të zgjedhjeve, janë të evidentuara dhe personat e caktuar që kanë rënë ndesh me ligjin janë intervistuar”, tha ajo.

Sa i përket rastit të votimit në mënyrë të grumbulluar në veri të vendit, Pula tha se nuk janë përmbushur kriteret për ta cilësuar si vepër penale.

 “Pjesëmarrja e votimit në grup në Mitrovicë është raportuar nga mëngjesi. Është çështje që ka të bëjë me KQZ dhe PZAP-në, ne kemi evidentuar se gjatë këtij grumbullimi nuk ka pasur ndonjë presion që do ta procedonte atë në vepër penale...Nuk ka raste të iniciuara nga Prokurori për këto tubime, përveç nëse ka nga KQZ dhe PZAP”, deklaroi ajo.

Pula për intervistimin e kryetares së komunës së Ranillugut, Tanja Atic, tha se “është në proces marrja e dëshmive të tjera, për të cilën presim se nesër apo ditëve në vijim do të shohim se në çfarë trajte do të trajtohet”.

Ajo veçoi se çështja e votimit të personave me asistencë sociale dhe mungesa e dokumentit përkatës mjekësor ka shkaktuar huti në disa komuna.

“Aty ku ka pasur votim familjar, janë njoftuar prokurorët nga anëtarët e KKZ-së, por s’ka pasur rast për ndalim, vetëm rast të iniciuar. Rastet me asistencë sociale kanë krijuar huti në opinionin por edhe për vet votuesit. Deklarata e personave kompetentë nga KQZ se duhet dokumente përkatëse, ka hasur në mos marrëveshje apo keqkuptim se çka nënkupton dokumenti përkatës. Rast të njëjtë kemi pasur në Prizren, Malishevë, ku janë lëshuar dokument për asistencë sociale personit pa diagnozë mjekësore, prandaj ata janë ndaluar. Kemi edhe një rast në procedurë të rregullt një person i moshuar në revoltë që nuk iu është lejuar t’i ndihmojë gruas, i cili ka konsideruar se gruaja s’mund të votojë për shkak të një sëmundje, e që s’është e evidentuar, ai e ka shqyer fletëvotimin, është intervistuar dhe është lëshuar në shtëpi”, deklaroi Pula.

Pula tha se integriteti i procesit zgjedhor dëshmohet me krahasimin se në zgjedhjet e fundit lokale janë proceduar vetëm 4 lëndë me vepra penale për procesin zgjedhor, ndërkaq në zgjedhjet e vitit 2010 kanë ekzistuar 1500 persona me aktakuza.

Mbi 30 % e qytetarëve votuan në Gjilan deri në orën 15:00

Deri në orën 15:00, në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan në shkollën “Thimi Mitko”, kanë votuar rreth 3700 qytetarë, afër 1000 më shumë se nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, ku votuan mbi 2600 qytetarë.

Në këtë vendvotim, ku kanë të drejtë vote 12,000 qytetarë, menaxherja Sevdije Sadiku thekson se përgjatë ditës fluksi i votuesve ka vazhduar të qëndrojë pothuajse i njëjtë.

Sadiku: Deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 3700 qytetarë

“Rreth 40 vendvotime janë në shkollën tonë, të drejtë vote kanë 12,000 qytetarë. Deri tani, nuk kemi asnjë parregullsi. Nga mëngjesi ka qenë pothuajse i njëjti fluks i votuesve. Herëve të kaluara ka pasur më pak numër të qytetarëve të cilët kanë shfrytëzuar drejtën për të votuar, ndërsa kësaj here ka pasur qytetarë të vazhdueshëm, rreth 1000 qytetarë më shumë, se herën e kaluar në të njëjtën kohë. Deri në orën 15:00, rreth 3 mijë e 700 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar, ndërsa herën e kaluar ishin mbi 2 mijë e 600 votues”, tha ajo.

Edhe pse ajo vlerëson që nuk ka pasur ndonjë parregullsi të veçantë gjatë procesit të votimit, përmend disa raste ku personat me nevojë për asistencë, kanë hasur vështirësi, por në fund ushtruan të drejtën e votës.

Sadiku: Nuk kemi pasur ndonjë parregullsi që vlen të përmendet

“Nuk kemi pasur ndonjë parregullsi që vlen të përmendet. Në ndonjë rast, ka pasur ndonjë të moshuar që nuk ka pasur pamundësi fizike dhe nuk iu ka lejuar asistenca, por prapëseprapë kanë provuar mundësinë dhe kanë votuar vetë. [Sa i përket pjerrinave] Kemi pjerrinë jashtë, por në anën tjetër kemi shkallë brenda në korridor. Ishte një rast ku ishte me karrocë, ku ishte një vështirësi më e madhe për të shkuar deri te vendvotimi. Megjithatë, me ndihmën e të tjerëve e shfrytëzoi edhe ai të drejtën”, tha ajo.

Sevdije Sadiku tregon se nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike dhe se janë përgatitur për një rast të tillë.

Sadiku: Nuk kemi pasur problem me energjinë elektrike

“Në shkollën tonë nuk kemi pasur problem me energjinë elektrike. Por, për çdo rast kemi gjeneratorin që është mjaftueshëm i madh për shkollën. Paraprakisht, ne kemi shikuar se a është në gjendje të mirë gjeneratori, a funksion në rast se kemi nevojë për energji elektrike. Në rast të mungesës së energjisë elektrike, ato lëshohen në mënyrë automatike”, tha ajo.

Përndryshe, në këtë komunë deri në orën 15:00, kanë votuar 32,307 persona ose 32,307 %, derisa të drejtë vote kanë 104,870 qytetarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat