Faton Bislimi ka reaguar pas humbjes së LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke bërë thirrje për reflektim dhe bashkim brenda partisë.
Ai thekson se kjo nuk është ditë për fajësime, por për rikthim te vlerat themeltare mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja.
Bislimi përgëzoi VV-në për fitoren dhe qytetarët për zgjedhje të qeta, duke nënvizuar se verdikti i popullit është i shenjtë. Sipas tij, vetëm përmes “unitetit në dallime” LDK mund të ringrihet dhe të rifitojë besimin e qytetarëve.
Reagimi në Facebook:
Sot nuk është ditë për ndarje, as për fajësime.
Sot është ditë për reflektim dhe për UNITET NE DALLIME, sllogan imi i kahmotshëm!
Rezultatet e sotshme zgjedhore janë moment i rëndë për secilin që e do Lidhjen Demokratike të Kosovës. Jo sepse humbet një garë, por sepse preket një ide, një histori dhe një shpresë që LDK e ka përfaqësuar për dekada.
Në radhë të parë, përgëzoj fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe i uroj suksese në përgjegjësinë e madhe që ka marrë mbi vete. Po ashtu, i përgëzoj qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen e tyre dhe për zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike – një dëshmi tjetër e pjekurisë sonë qytetare.
Sot është moment që t'i ofrojmë Kosovës më të mirën nga vetja. E gjithë klasa jonë politike duhet ta vendos Kosovën të Parën! Verdikti i popullit është i shejtë!
Sa për LDK, ajo është ndërtuar mbi mendime të ndryshme, mbi debate të hapura dhe mbi respekt të ndërsjellë. Pikërisht uniteti në dallime ka qenë forca jonë më e madhe – ajo që na ka mbajtur bashkë edhe në kohët më të vështira për Kosovën.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë ta rikthejmë këtë frymë.
Jo duke heshtur dallimet, por duke i respektuar ato.
Jo duke u mbyllur në pozicione, por duke u hapur ndaj njëri-tjetrit.
LDK nuk i përket asnjë individi dhe shkon përtej secilit emër të përvetshëm pos atij të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Ajo i përket anëtarësisë së saj, votuesve të saj dhe Kosovës. Vetëm si e tillë mund të ringrihet dhe të rifitojë besimin e qytetarëve. Ky ka qenë dhe mbetet thelbi i programit tim për LDK-në që u anashkalua e përçmua nga konventa zgjedhore e Nëntorit 2023!
Unë besoj thellë se kjo parti ka ende energji, njerëz dhe vlera për të qenë sërish një forcë udhëheqëse – nëse zgjedhim bashkimin përpara përçarjes dhe reflektimin përpara justifikimit.
LDK mund të ecë përpara.
Por vetëm së bashku.
Vetëm me UNITET NE DALLIME, dhe duke iu rikthyer vlerave të veta themeltare e idealeve kombëtare!