Vendos KQZ-ja: Gjithë Kosova shkon në rinumërim të votave për shkak të manipulimeve

Aktuale

Vendos KQZ-ja: Gjithë Kosova shkon në rinumërim të votave për shkak të manipulimeve

Më: 19 janar 2026 Në ora: 12:56 Përditësuar në ora: 16:58 më 19.01.2026
Foto ilustrim

KQZ: Për 12-14 ditë mund të rinumërohen të gjitha votat, është shtuar numri i ekipeve të numërimit

Ekipeve të numërimit të votave do t’u duhet t’i rinumërojnë edhe 1 mijë e 947 vendvotime gjatë ditëve në vazhdim, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Nga 914 vendvotime që ishte vendosur më herët të rinumëroheshin, kanë mbetur edhe 304 të tilla. Por pas vendimit të sotëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këtë proces do të përfshihen edhe 1,643 vendvotime që i takojnë 28 komunave.

“Duke u mbështetur në dy vendimet e KQZ-së (13 dhe 19 janar 2026) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rinumërimi do të përfshijë të gjitha vendvotimet, 2,557 sosh, në të cilat më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar votimi i rregullt. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 19 janar 2026, ora 16:00) në QNR janë rinumëruar 610 vendvotime. Pra, gjatë ditëve në vazhdim, në përgjithësi do të rinumërohen 1,947 vendvotime”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai tha se në QNR janë shtuar kapacitetet dhe se rinumërimit i 1,947 vendvotime mund të marrë kohë 12 – 14 ditë.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është shtuar numri i ekipeve të numërimit. Aktualisht, janë 38 ekipe të tilla vetëm gjatë një ndërrimi pune, pra 76 gjithsej. I gjithë procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve / kutive të votimit, mund të zgjasë nga 12 – 14 ditë”.

Në mbledhjen e së hënës, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej rinumërimi i plotë në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve nxori dallime prej qindra deri në mijëra vota për kandidatët brenda subjekteve politike. Kësisoj, KQZ vendosi sot në një mbledhje për rinumërim të plotë të të gjitha votave.

KQZ vendos: Gjithë Kosova shkon në rinumërim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që i gjithë vendi të shkojë në rinumërim.

Ky vendim për të rinumëruar plotësisht 28 komunat, vjen pasi ky institucion kishte vendosur fillimisht që të rinumëroheshin vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre.

KQZ ka marrë vendim po ashtu për ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit, transmeton klankosova.tv

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se rinumërimi i pjesshëm është ndërmarrë me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.

“Dua të rikthejë në vëmendje se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vetëiniciativë, ka zhvilluar procesin e verifikimit të rezultateve zgjedhore nga disa vendvotime dhe pas kësaj ka marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve në 914 vendvotime.

Sipas vendimit të KQZ-së, të datës 13 janar, në 10 komuna do të bëhet rinumërimi i të gjitha vendvotimeve, ndërkaq për 28 të tjera vetëm nga 10% të vendvotimeve. Ky proces është në zhvillim e sipër.

KQZ, në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, në transparencë dhe në ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.

Për të qenë plotësisht transparent në këtë proces, rezultati i çdo vendvotimi të rinumëruar është pasqyruar në platfomën e KQZ-së për rezultate.

Siç e theksova në fillim, gjatë ditës së sotme, kemi pranuar një raport pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve sipas vendimit të datës 13 janar.  

Sipas raportit, kur flasim për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikura janë minimale dhe pothuaje të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë.

Për dallim nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN.” – tha Radoniqi. 

Radoniqi tha se ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi.

“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN.

Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime me të mëdha tek disa kandidatë.

Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore:

Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera;

Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinuëmrimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor.”

--------

Në një mbledhje të mbyllur të anëtarëve të partive politike që përfaqësohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Këshilli për operacione zgjedhore ka propozuar që procesi zgjedhor të shkojë drejt një rinumërimi të plotë të votave, pas parregullsive dhe mospërputhjeve të evidentuara gjatë rinumërimit të deritashëm në disa vendvotime.

Gjatë procesit të rinumërimit janë konstatuar dallime mes rezultateve të numërimit fillestar dhe atij të rinumërimit. Këto gjetje kanë ngritur dyshime për integritetin e procesit në disa qendra votimi, çka ka shtyrë përfaqësuesit politikë të kërkojnë një rinumërim të plotë për të garantuar transparencë dhe besueshmëri.

Ndërkohë, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës, ku në rend dite është paraparë pikërisht çështja e rinumërimit. Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se sot (e hënë, 19 janar 2026, ora 13:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. Në rend dite është raporti nga procesi i rinumërimit të deritashëm të vendvotimeve”, ka deklaruar Elezi.

Sipas burimeve brenda KQZ-së, raporti që do të prezantohet sot pritet të përmbajë detaje mbi shkeljet e identifikuara, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen e mandateve dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Për këtë arsye, rinumërimi i plotë po shihet si një hap i domosdoshëm për të shmangur kontestime të mëtejme dhe për të ruajtur besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Vendimi përfundimtar për zgjerimin ose jo të rinumërimit pritet të merret pas diskutimeve dhe shqyrtimit të raportit gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së.

Këshilli për Operacione Zgjedhore i ka rekomanduar KQZ-së rinumërimin e plotë të votave

Sapo ka përfunduar mbledhja e mbyllur e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, burime të RTK informojnë se të gjithë anëtarët e subjekteve politike janë pajtuar njëzëri për rinumërim të tërësishëm në Kosovë.

RTK mëson se Këshilli për operacione zgjedhore ia ka rekomanduar KQZ-së rinumërimin e plotë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat