Kurti thotë se zgjedhja e presidentit të ri është hapi i katërt, e pranon se është takuar dhe ka komunikim me Osmanin

Aktuale

Kurti thotë se zgjedhja e presidentit të ri është hapi i katërt, e pranon se është takuar dhe ka komunikim me Osmanin

Më: 30 janar 2026 Në ora: 11:54 Përditësuar në ora: 12:36 më 30.01.2026
Albin Kurti

Vitia: Ligji për sigurimet shëndetësore do të rikthehet shpejt në Kuvend pas vendimit të Kushtetueses

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se Qeveria do të procedojë sërish ligjin për sigurime shëndetësore menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi disa ligje për arsye administrative, duke theksuar se ky proces është i domosdoshëm për krijimin e fondit të sigurimeve dhe sistemit informativ shëndetësor.

Ai ka thënë se vendimi nuk lidhej drejtpërdrejt me përmbajtjen e ligjit për sigurime shëndetësore.

“Unë mendoj që nuk ka pasur të bëjë me ligjin e sigurimeve shëndetësore perse, ka qenë një aktvendim që ka pasur të bëjë me anulimin po them kështu kushtimisht të disa ligjeve për shkaqe administrative siç thonë ata. Mendoj që ka qenë e gabuar natyrisht prej këndvështrimit tim, në kuptimin se nuk kanë pasur vërejtje në ligjin për sigurime shëndetësore si i tillë qysh e kemi prezantuar ne, i domosdoshëm për t’u implementuar fondi i sigurimeve shëndetësore. Sepse po dëgjoj nga disa që është ligji nga viti 2013-2014 dhe vetëm është dashur të nuk qëndron ajo. Prandaj është bërë ndryshimi, prandaj ka qenë edhe kërkesa nga partnerët tanë evropianë për shumë kohë që ligji duhet ndryshuar. Ne e kemi ndryshuar. Domethënë lajmi i keq, por tash menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës do të procedojmë me hapat njësoj duke dërguar sa më shpejt në Kuvendin e Republikës për të proceduar sa më shpejt me këtë ligj që i hap rrugën edhe ligjore, pastaj edhe teknike logjistike, formimit të sistemit informativ shëndetësor fillimisht e pastaj edhe fondit për sigurime shëndetësore”, ka thënë ai.

I pyetur për ankesat e qytetarëve se mjekët mungojnë në orar për shkak të punës në sektorin privat, Vitia ka deklaruar se fenomeni i mungesës së mjekëve gjatë orarit të punës për shkak të angazhimeve në sektorin privat po trajtohet vazhdimisht përmes inspektimeve të Inspektoratit Shëndetësor, duke theksuar se viti 2025 ka qenë rekord për nga numri i kontrolleve të kryera.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti janë shqiptuar dhjetëra e qindra masa disiplinore ndaj punonjësve shëndetësorë që janë gjetur në shkelje, qoftë për trajtim të pandërgjegjshëm të pacientëve, largim nga vendi i punës gjatë orarit zyrtar apo mosrespektim të kritereve të përcaktuara me ligjet në fuqi.

“Ky fenomen vazhdimisht përsëritet e rregullohet me inspektimin që bëhet nga Inspektorati Shëndetësor. Për informacionin e juaj, ky vit që kaloi, domethënë 2025-ta, është një vit rekord i inspektimeve nga Inspektorati Shëndetësor. Dhe janë shqiptuar me dhjetëra e me qindra masa disiplinore ndaj secilit të i cili ka pasur janë gjetë ose trajtime të pandërgjegjshme, ose ikje nga vendi i punës, ose mospërmbushje të kritereve të përcaktuara me ligjet e aplikuara. Unë apeloj te qytetarët: është numri i inspektoratit, janë emaillat, është edhe emailli im personal të cilin çdo ankesë e marr, e lexoj dhe e forwardoj te Inspektorati Shëndetësor, [email protected], që për çdo fenomen të tillë të na drejtohen neve dhe i siguroj që menjëherë inspektorati në kohë rekord del në secilin prej këtyre institucioneve ku mund të ketë edhe fatkeqësisht edhe veprime të tilla”, tha ai.

Vitia ka folur edhe për ndërtimin e spitalit të ri të gjinekologjisë, duke njoftuar se procesi është në fazë të avancuar në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Është një proces që ka filluar rreth një vit e gjysmë dy me parë me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku kemi kërkuar që pas ndërtimit të spitalit pediatrik këtu me ndihmën e Emirateve, të vazhdojë edhe spitali i gjinekologjisë, për arsye se fokusi i jonë qeverisës, por edhe ndihma që na vjen nga Emiratet, fokusohet në shëndetin e gruas dhe fëmijës. Dhe tash jemi në një fazë shumë të avancuar. Domethënë, kemi konfirmim që ato veç janë ndarë dhe ideja është që të ndërtohet pothuajse ngjitur me spitalin pediatrik tashmë modern dhe përmes korridoreve të ngrohta të komunikojnë ashtu siç bëjnë edhe spitalet moderne në të gjithë botën”, ka thënë ai.

Kurti: Ka rënie të theksuar të ikjes së mjekëve

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia, ka vizituar Odën e Mjekëve të Kosovës, ku u theksua gjendja financiare stabile e institucionit, rritja e numrit të mjekëve të licencuar, përfshirja e mjekëve nga komunitetet joshumicë dhe rënia e largimit të profesionistëve shëndetësorë nga vendi.

Gjatë vizitës, Kurti vlerësoi bashkëpunimin mes Odës së Mjekëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa paralajmëroi edhe sfida serioze për vitet e ardhshme, sidomos për shkak të daljes në pension të një numri të madh mjekësh dhe mungesës së tyre në mjekësinë familjare në disa komuna.

“Në njërën anë, kanë vetëfinancim mbresëlënës. Kanë kursime të theksuara që kanë arritur në mbi 1 milion euro gjatë këtyre tetë viteve, por gjithashtu kanë siguruar edhe donacione ndërkombëtare të cilat kanë mundësuar që të kryejnë më shumë punë se sa që është menduar më herët. Së shpejti do ta kemi edhe ndërtesën e përbashkët të pesë odave, sepse siç e dini, janë edhe katër oda tjera përveç Odës së Mjekëve të cilët bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për hir të sistemit shëndetësor sa më efikas në përgjithësi, i cili karakterizohet jo vetëm nga kujdesi, shërbimi shëndetësor, por gjithashtu edhe nga aspekti kërkimor e shkencor e arsimor i mjekësisë”, tha ai.

Ai theksoi se aktualisht Oda ka rreth 5,500 mjekë të licencuar, përfshirë edhe profesionistë nga komunitetet joshumicë, ndërsa vuri në pah rritjen e licencimit të mjekëve nga komuniteti serb dhe uljen e kërkesave për trajtim jashtë vendit.

“Në përgjithësi, Oda e Mjekëve deri më tani i ka afër 5500 mjekë të licencuar, me q’rast duhet përmendur që rreth 150 janë të komuniteteve joshumicë. Dhe lajmi fort interesant është që në gjashtë muajt e fundit janë rreth 50 mjekë të komunitetit serb që janë licencuar nga Oda e Mjekëve, pra që po inkorporohen në sistemin tonë të shëndetësisë, gjithnjë për hir të pacientëve pa dallim etnie. Lajm tjetër i mirë është që ka rënie të theksuar edhe të largimit të mjekëve, por gjithashtu edhe të kërkesave për shërim jashtë vendit”, tha ai.

Kurti paralajmëroi se një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e mjekëve në të ardhmen për shkak të pensionimit të një pjese të konsiderueshme të stafit aktual, sidomos në mjekësinë familjare dhe në disa komuna.

“Natyrisht që ka edhe sfida. Njëra prej sfidave, të cilën duhet ta adresojmë e cila nuk mund të rregullohet përnjëherë, është fakti që nga këta afër 5500 mjekë të licencuar, rreth 1600 do të dalin në pension në dhjetë vitet në vijim. Andaj na duhet zëvendësimi me mjekë të rinj dhe posaçërisht në fushën e mjekësisë familjare, ku kemi mungesa dhe në veçanti kjo mungesë është e theksuar te disa prej komunave të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Drejtues në OIK, Faik Shatri, vlerësoi vizitën e Kurtit dhe Vitia, duke theksuar se është hera e parë që një kryeministër viziton Odën e Mjekëve dhe duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm institucional.

“Kemi sot nderin t’i kemi mysafirë Kryeministrin e Republikës së Kosovës. Është hera e parë që një Kryeministër viziton Odën e Mjekëve. Biseduam për zhvillimet e Odës së Mjekëve ndër vite, për të arriturat dhe për sfidat që na presin në të ardhmen. Ne siguruam Kryeministrin dhe Ministrin që jemi partnerë të afërt në zhvillimin e sistemit shëndetësor në Kosovë edhe për zhvillimin e shëndetit të kësaj popullate, edhe zhvillimin e cilësisë së shërbimeve tona”, tha ai.

Pretendimet për mashtrim me dronin “Skifter”, Kurti: Nuk mund të them se mund t’i di hollësitë e secilës kompani

Kryeministri në detyrë Albin Kurti është rezervuar të jap komente në lidhje me pretendimet e mashtrimit të një kompanie nga Gjilani në lidhje me dronin “Skifter”, por thekson se është i hapur t’i dëgjojë kritikat atëherë kur diçka nuk ka qenë ashtu siç i është prezantuar.

“Unë kam vizituar me qindra kompani anë e mbanë Kosovës gjatë këtij 4-vjeçari; nuk mund të them se mund t’i di hollësitë e secilës kompani, mirëpo natyrisht që unë jam i hapur t’i dëgjoj edhe kritikat atëherë kur diçka nuk ka qenë ashtu siç më është prezantuar.

Por duhet ta keni parasysh se, kur vjen te aspektet e hollësishme teknike e profesionale, nuk mund t’i di paraprakisht se cilat janë ato saktësisht për secilën kompani”, tha Kurti para mediave teksa pati një vizitë në Odën e Mjekëve të Kosovës.

Kurti pozitiv për Bordin e Paqes, pa e përmendur nënshkrimin e Osmanit me Trump: Kemi gatishmëri ta çojmë FSK’në në Gaza

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për herë të parë foli për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, që udhëhiqet nga SHBA-ja.

Duke mos përmendur nënshkrimin e presidentes Vjosa Osmani në Kartën e Bordit të Paqes që u bë në një ceremoni të udhëhequr nga presidenti Donald Trump, Kurti tha se dëshiron që FSK të ketë një rol në Gaza.

“Kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gaza dhe aty unë e di që Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha në Katar nga Bashkim Jashari. Kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim pjesë këtu ku FSK është e mirënjohur për kërkim-shpëtim dhe deminim dhe jo vetëm. Ne kemi qenë të interesuar që të marrim pjesë në organet vendimmarrëse politike për këtë forcë. Procesi do të ecë më tutje”.

Këto komente Kurti i bëri pasi u pyet nga gazetarët pas një takimi që pati me Odën e Mjekëve.

Kurti tha se ende s’e ka mandatin e plotë si kryeministër, por shtoi se dëshiron që Kosova të kontribuojë për vendosjen e paqes në vendet e botës që kanë nevojë.

“Unë jam kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin tim të tretë. Kudo që ka nevojë për paqe në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë përmes forcave ndërkombëtare, andaj tash duam që të marrim pjesë me forcat tona dhe kapacitetet tona edhe në paqe në vende të ndryshme në botë”.

Ai përmendi edhe 500 mijë eurot e dërguara në Gaza dhe tha se këtë do ta vazhdojnë.

Kurti thotë se zgjedhja e presidentit të ri është hapi i katërt, e pranon se është takuar dhe ka komunikim me Osmanin

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, në një paraqitje për media nga QKUK ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Sa i përket takimeve dhe kontakteve me presidenten aktuale Vjosa Osmani, Kurti ka thënë se është në kontakt me të dhe se është takuar, megjithatë thotë se zgjedhja e të parit të shtetit është hapi i katërt, meqë duhet themelohet Kuvendi, zgjidhen nënkryetarët dhe të bëhet Qeveria e re.

“Sa i përket takimit me presidenten, padyshim që jemi në komunikim edhe jemi takuar, por ta keni parasysh që ai do të jetë hapi i katërt.

Pas certifikimit të rezultateve, kemi nevojë për tre hapa paraprak, konstiuimin e Kuvendit, kryetarit e pesë nënkryetarëve, pastaj është formimi i Qeverisë dhe duhet të fillojmë menjëherë me marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat