Kurti përcjell Ramën, përfundon takimi, s’ka konferencë për media

Aktuale

Kurti përcjell Ramën, përfundon takimi, s’ka konferencë për media

Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 09:13 Përditësuar në ora: 16:31 më 16.02.2026
Foto nga takimi

Kurti përcjell Ramën, përfundon takimi, s’ka konferencë për media

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij shqiptar, Edi Rama, ka përfunduar.

Ky takim u zhvillua në ambientet e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kreun e qeverisë shqiptare, Kurti e priti me ceremoni zyrtare, ndërsa fjalë për media nuk pati.

Paraprakisht Edi Rama u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Kryeministri Kurti e pret Ramën me ceremoni solemne në Qeveri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur me ceremoni solemne kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Rama arriti te objekti i Qeverisë së Kosovës për takimin me Kurtin, ndërsa para hyrjes është shtruar tepihu i kuq, anash të cilit po qëndron një gardë nderi e FSK-së.

Kryeministri shqiptar sot është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Takimi Osmani – Rama, në fokus koordinimi i ngushtë politik mes dy shteteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale.

Në fokus të takimit, sipas Presidencës, para së gjithash, ishin koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.

“Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin.” 

Gjatë takimit, bëhet e ditur se u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike.

“Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë.”

Osmani dhe Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin në rrugën drejt Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike.”

Osmani dhe Rama shtrëngojnë duart

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në Presidencë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Rama u prit me ceremoni solemne dhe shtrëngoi duart me kryetaren e shtetit.

Takimi mes tyre ka filluar tashmë.

Më pas, kryeministri shqiptar do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 

Kryeministri Rama takohet me presidenten Osmani

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur në takim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë vizitës, Rama do të pritet në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Më pas, ai do të zhvillojë një takim edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në kuadër të axhendës së tij, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala. Gjithashtu, ai do të mbajë një leksion të hapur me studentët e Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe me nxënësit e gjimnazit Gjimnazi Sami Frashëri.

Një ditë para Ditës së Pavarësisë, Edi Rama vjen në Kosovë

Sot në Kosovë, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, kryeministri i  Shqipërisë, Edi Rama.

Me këtë rast Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare, Policia ka bërë të ditur zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës.

“Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat