Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), ka zgjatur afatin e aplikimit deri më 27 shkurt të këtij viti, në ora 16:00, në kuadër të Thirrjes për Aplikim për pagesa direkte për: qumësht sipas cilësisë, therjet e raportuara të gjedhit, viçat për majmëri, zogjtë për majmëri (brojlerët) dhe akuakulturë.
“Zgjatja e afatit është bërë pas kërkesave të fermerëve, të adresuara në AZHB. Ftohen të gjithë fermerët që nuk kanë aplikuar ende, ta shfrytëzojnë këtë mundësi brenda afatit të ri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Nga Ministria bëhet e ditur se kjo shtyrje synon t’u japë më shumë kohë fermerëve për përgatitjen dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, me qëllim që të përfitojnë nga mbështetja financiare e ofruar përmes skemave të pagesave direkte. Këto pagesa konsiderohen si një mbështetje e rëndësishme për rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike të fermave.
Autoritetet u bëjnë thirrje aplikuesve që të sigurohen se të gjitha të dhënat janë të sakta dhe të plota, ndërsa për informata shtesë mund t’i drejtohen zyrave rajonale të AZHB-së apo platformave zyrtare të ministrisë.