​Kur do të vijnë Javelinët amerikanë dhe helikopterët Black Hawk?

Aktuale

​Kur do të vijnë Javelinët amerikanë dhe helikopterët Black Hawk?

Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 12:54
Ejup Maqedonci.

Një sasi e sistemit amerikan antitank Javelin do të arrijë në Kosovë gjatë këtij viti, thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai thekson se në vitin 2026 do të nisin edhe prodhimet e para të municioneve në Kosovë, derisa tregon se në vitin 2028 do të nënshkruhet kontratë për blerjen e helikopterëve Black Hawk.

Maqedonci në një intervistë për KP flet edhe për procesin e anëtarësimit në NATO, konceptin e ri të mbrojtjes gjithëpërfshirëse dhe rreziqet e sigurisë nga Serbia.

Ja kur do të vijnë në Kosovë Javelinët amerikanë

“Jo, është totalisht çështje teknike. Aprovimi për blerjen e sistemit Javelin është bërë në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Mbrojtjes në janar të vitit 2024. Pra ne, ne na është aprovuar blerja e këtyre sistemeve. Ne e kemi kontraktuar këtë sistem përmes Departamentit të Mbrojtjes, i kemi ekzekutuar të gjitha pagesat. Normalisht, çështja e liferimit varet nga kapaciteti i prodhimit, por edhe prioritetet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në raport me dërgimin e këtij sistemi nëpër botë...Ne besojmë që edhe po bëjmë përpjekje që të kemi një sasi këtë vit. Mirëpo, tashmë ushtria e Kosovës ka dhe tre sisteme të tjera antitank. Pra, Javelin është vetëm një në mesin e katër sistemeve që i ka”, thotë ai.

Në fushën e industrisë së mbrojtjes, Maqedonci bën të ditur se Kosova është në fazën e bashkë-implementimit të kontratës me prodhuesin shtetëror turk Makine ve Kimya Endustrisi Kurumu (MKE).

Ai thotë se në Turqi janë duke u prodhuar makineritë për prodhimin e municioneve të kalibrave 5.56 mm dhe 7.62 mm, ndërsa objekti për prodhim është kontraktuar vitin e kaluar me të njëjtën kompani.

Sivjet plumbat e parë të prodhuar në Kosovë

“Aktualisht ne jemi në fazën e bashkë-implementimit të kontratës së nënshkruar me prodhuesin shtetëror turk MKE. Tanimë në Turqi janë duke u prodhuar makineritë për prodhimin e municioneve 5.56 dhe 7.62. Vitin e kaluar e kemi kontraktuar edhe çështjen e objektit po me të njëjtën kompani. Sipas kontratës, deri në fund të këtij viti, ne do të kemi mundësinë që të shohim prodhimet e para të municioneve të prodhuara ndonjëherë në Kosovë... Do të përdoren fillimisht për nevojat e institucioneve tona, pra policisë dhe ushtrisë, por edhe institucioneve të tjera që përdorin këto lloj, mund të themi, kalibrash, pastaj për të kaluar edhe te eksporti”, thotë ai.

Duke folur për zhvillimin e kapaciteteve ajrore, ministri thekson se FSK-ja ka tejkaluar shumë objektiva të planit të tranzicionit, duke përfshirë krijimin e njësive të reja si operacionet speciale dhe njësisë për fluturakët pa pilot.

Ai bëri të ditur se faza e tranzicionit përfundon në vitin 2028 dhe se synimi është që para kësaj date të paktën të nënshkruhet një kontratë me prodhuesin e helikopterëve Sikorsky UH-60 Black Haëk, të cilët përdoren gjerësisht nga ushtria amerikane dhe vendet e NATO-s.

Helikopterët “Black Hawk” në Kosovë?

“Çka mund të them lirisht është që ne kemi tejkaluar shumë prej objektivave që kanë qenë në kuadër të këtij plani. Ne kemi shumë lloje të ndryshme të armatimit që nuk kanë qenë fare të planifikuara në këtë plan, e që tashmë i kemi në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kemi njësi të reja që i kemi ndërtuar që nuk kanë qenë të planifikuara në këtë plan, siç janë operacionet speciale, por edhe njësia për fluturakët pa pilot, që janë njësi të reja që nuk kanë qenë fare në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por i kemi në vend... Ne përfundojmë fazën e tranzicionit në 2028-ën dhe ideja është që para kësaj kohe, ne të paktën do të kemi një kontratë me prodhuesin e Black Hawk, që është një prej helikopterëve më efektiv që përdoret nga ushtria amerikane, por edhe nga vende të ndryshme të NATO-s”, shton Maqedonci.

Sa i përket anëtarësimit në NATO, Maqedonci vlerëson se Kosova është më e përgatitur në aspektin ushtarak dhe të planifikimit të mbrojtjes sesa shumica e vendeve të rajonit kur iu bashkuan kësaj aleance.

Por, sipas tij, pengesa kryesore mbeten vendet mosnjohëse brenda Aleancës. Megjithatë, ai përmendi si zhvillim pozitiv përfshirjen e rëndësisë së integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO në Ligjin e Mbrojtjes të miratuar në SHBA në dhjetor të vitit të kaluar.

Kur mund të anëtarësohet Kosova në NATO?

“Ne jemi shumë më të gatshëm në aspektin ushtarak, por edhe në aspektin e planifikimit të mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes, se ç'kanë qenë shumica e vendeve të rajonit kur ju kanë bashkangjitur NATO-s... Aktualisht e vetmja pengesë, normalisht, janë vendet mosnjohëse që janë brenda NATO-s. Mirëpo, ne kemi parë, mund të themi, lëvizje pozitive kohët e fundit rreth kësaj çështjeje. Do të theksoja Ligjin e Mbrojtjes të aprovuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilin theksohet edhe rëndësia që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen, pra të anëtarësohen në NATO”, thotë Maqedonci.

Krahas kësaj, ministri Maqedonci deklaron se është hequr dorë nga ideja e shërbimit të obligueshëm ushtarak, duke u orientuar drejt një modeli vullnetar në kuadër të konceptit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.

Sipas tij, ky koncept parasheh përfshirjen e qytetarëve, institucioneve dhe organizatave në sistemin e mbrojtjes, përmes regjistrimit dhe trajnimit vullnetar, duke krijuar një rezervë të FSK-së për raste fatkeqësish natyrore, krizash apo lufte.

Hiqet dorë nga shërbimi i obligueshëm ushtarak, do të jetë vetëm vullnetar

“Koncept i cili mundëson që Kosova të ketë një sistem, mund të themi, të ri të mbrojtjes, ku çdo qytetar, por edhe institucionet dhe organizatat e tjera, do të kenë mundësi të jenë pjesë e integruar e sistemit tonë të mbrojtjes. Përmes këtij sistemi, ne mundësojmë që qytetarët vullnetarisht të regjistrohen dhe të trajnohen e përgatiten nga ushtria jonë dhe të jenë pjesë, në njëfarë forme, rezervë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në rast të fatkeqësive natyrore, por edhe në rast krizash dhe në rast të lufte”, shton ai.

Maqedonci foli edhe për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke theksuar analizat për prodhim të përbashkët dhe prokurime të përbashkëta të sistemeve të ndryshme ushtarake, me qëllim uljen e kostove dhe shkurtimin e kohës së furnizimit.

Ai thekson se reagimet e Serbisë ndaj këtyre iniciativave lidhen, sipas tij, me një qasje hegjemone në rajon, por shtoi se në asnjë rast nuk është diskutuar krijimi i një aleance kundër ndonjë shteti të caktuar.

Aleanca me Shqipërinë e Kroacinë, këto janë arsyet e kundërshtimit serb

“Ne po analizojmë se ku mund të prodhojmë bashkërisht si tri vende, që është një ndër objektivat. Prokurimet e përbashkëta, ne po shikojmë mundësi që të prokurojmë bashkërisht si tri vende për sisteme të ndryshme, të cilat mund të blihen pastaj me një çmim më të lirë dhe mund t'i kemi me një kohë më të shkurtër... Sa herë cenohet tendenca hegjemone e Serbisë në Ballkan, gjithmonë kemi reagime të Serbisë. Kjo tregon që në thelbin e politikës serbe qëndron qasja hegjemone dhe dominimi në Ballkan. Pra, sa herë vendet e Ballkanit bashkohen, komunikojnë dhe koordinohen për mbrojtjen e territoreve të tyre apo sigurisë së qytetarëve të tyre, kjo shihet si një cenim i sigurisë nga Serbia për shtetin serb. Përndryshe, në asnjë rast ne nuk kemi diskutuar që të krijojmë aleancë kundër askujt”, përfundon Maqedonci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat