Vulaj: ShBA duhet të jetë epiqendra e dialogut, nëse duam të ketë sukses

Aktuale

Vulaj: ShBA duhet të jetë epiqendra e dialogut, nëse duam të ketë sukses

Më: 20 mars 2026 Në ora: 23:51
Martin Vulaj

Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka kërkuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se procesi aktual nuk ka prodhuar rezultate konkrete.

Kjo kërkesë u bë gjatë një takimi gati dyorësh që Martin Vulaj, president i AARC-së dhe Vehbi Bajrami, ish-drejtor shërbimi në Zërin e Amerikës dhe anëtari më i ri i bordit, zhvilluan me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), ku në fokus ishte pikërisht ecuria e dialogut dhe perspektiva e tij.

Vetë Vulaj, në një bisedë në Edicionin Special të Klan Kosova, tregoi në detaje se çfarë u diskutua në këtë takim.

“Takimi ishte vazhdimësi e takimeve që i kemi në DASh. Na erdhi shumë mirë që zyrtari i ri ishte shumë i informuar dhe shumë i përgatitur. Biseda ka qenë e gjerë dhe e gjatë, dhe ka pasur edhe zyrtarë tjerë në dhomë. Sa për Kosovën, kemi diskutuar një herë çështjen e sigurisë, gjithmonë fokusohemi në zonat ku i kemi interesat e përbashkëta, dhe siguria e Kosovës është një nga ato”.

“Kemi pyetur për mundësitë e Kosovës për anëtarësim në NATO, dhe këta janë shumë të lumtur me përgatitjet teknike të Ushtrisë së Kosovës, megjithëse problemet dhe barrierat politike, për shkak të mos-njohjes nga 4 anëtarët e NATO-s janë shumë të theksuara dhe vështirë të tejkalueshme, megjithëse kjo administratë i ka sytë tjetërkund. E keni parë që nuk i jep shumë rëndësi zgjerimit të NATO-s e as të BE-së. Interesi më shumë është për marrëdhëniet bilaterale, te interesat e sigurisë bilaterale dhe interesat ekonomike bilaterale”, deklaroi Vulaj.

Ai theksoi se meqë dialogu i ndërmjetësuar nga BE nuk po ka sukses, kryesisht për shkak të Serbisë, “e kam rivërtetuar te Departamenti i Shtetit se politika e ShBA-së ende qëndron te njohja reciproke, ka qenë politikë që e ka shpallur presidenti Trump në mandatin e parë, është adaptuar nga presidenti Biden, dhe qëndron ende”.

“Ua theksova se kjo është shumë e rëndësishme që kjo politikë të theksohet më shumë publikisht, që t’i japë besim popullit të Kosovës, jo vetëm në këtë proces, dhe ShBA duhet të jetë epiqendra e dialogut, nëse duam të ketë sukses”, u shpreh më tej president i AARC-së.

Ai tha se nuk mund të dihet ende se cili do të jetë epilogu i kërkesës së AARC-së.

Megjithatë, Vulaj tha se ata e kanë pranuar se ka zgjatur tepër shumë me shumë pak rezultate dhe se dialogu ka nevojë për një dinamikë të re. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat