Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku kërkoi zhvendosjen e shqyrtimit të “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si pikë e parë e rendit të ditës.
“Për aq sa kuptova është arritur dakordim për tekstin e rezolutës nga të gjitha grupet parlamentare. Ne insistojmë që kjo pikë të trajtohet si pika e parë e rendit të ditës. Nuk besoj që ky Kuvend ka diçka më me rëndësi për të trajtuar sesa kjo pikë, për më tepër se kjo flet shumë për kulturën politike që është duke mbizotëruar në Kosovë tash e disa vjet. Nuk është turp e as dobësi që shumica parlamentare të pranojë një kërkesë të opozitës”, tha ajo.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se ata kanë mbështetur rezolutën dhe kanë ofruar që t’i dërgojnë deputetët e këtij subjekti politik për të dhënë kontribut në këtë propozim.
“Dy deputetët tanë, Ardian Gola dhe Adnan Rrustemi klanë punuar dje deri mbrëmë vonë. E kemi marrë draftin nga PDK të mërkurën. Kanë pasur takime sot, besoj se janë në prag të dakordimit të përmbajtjes së rezolutës. Unë ju kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës, sapo të kemi dakordimin final, e miratojmë”, tha ajo.
Jehona Lushaku – Sadriu nga LDK tha se mos të shihen si “makineri votimi për ligjet që sjelljen pa respektuar procedurat e rregullta”.
“S’ka asnjë arsyeshmëri që të evitohen procedurat duke na sjellë para akteve të kryera dhe duke na sjellë drama për çdo seancë”, tha ajo.