Hapet rruga për Byronë shtetërore – Kuvendi miraton ligjin dhe dërgimin e FSK-së në Gazë

Aktuale

Hapet rruga për Byronë shtetërore – Kuvendi miraton ligjin dhe dërgimin e FSK-së në Gazë

Më: 17 prill 2026 Në ora: 08:27 Përditësuar në ora: 17:11 më 17.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Kryeziu-Hyseni: Marrëveshja e Bordit të Paqes do të duhej të ishte tema e fundit për debat politik

Kuvendi e ka miratuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë.

Me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë miratuar vendimin e qeverisë të datës 30 mars.

Paraprakisht, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj e ka quajtur absurde faktin, që sipas tij, qeveria ende nuk ka opinion ligjor për traktatin.

Hoxhaj: Për 30 ditë qeveria nuk ka opinion ligjor për ta dërguar FSK-në në Gazë

“Është absurde se si me 22 janar është mbajtur takimi i parë i Bordit të Paqes, më 12 shkurt ish-presidentja ka dërguar këtë traktat në Kuvend të Kosovës, më 13 shkurt i është dërguar Qeverisë së Kosovës, për 30 ditë nuk ka pasur ndonjë opinion ligjor me qëllim që para se të merret ky vendim që jemi të gjithë për ta dërguar FSK-në në këtë mision të shenjtë ta pasqyron vullnetin politik. Prandaj, fjalimet që u mbajtën dhe fjalët që i thatë janë përtej vendimit që ka marrë qeveria, sepse ne po marrim një vendim pa deklaruar mirëfilli një vullnet politik dhe kemi mundur ta deklarojmë këtë vullnet politik duke e miratuar Bordin e Paqes”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbëreshë Kryeziu Hyseni tha se kjo duhet të jetë tema e fundit për debat politik.

Kryeziu-Hyseni: Marrëveshja e Bordit të Paqes do të duhej të ishte tema e fundit për debat politik

“Pikërisht çështja e marrëveshjes së Bordit të Paqes do të duhej të ishte tema e fundit që sot ne do të ngrisnim debat politik këtu në kuvend, e që fatkeqësisht po e shohim për herën e dytë radhazi. Thjesht këto diskutime zotëri Hoxhaj ne do të mund t’i bënim krejtësisht në mënyrë normale, në qoftë se ju do të merrni pjesë në mbledhjet e komisionit dhe bashkarisht do të diskutonim për mënyrën se si do të ecnim përpara”, u shpreh ajo.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri tha se është shqetësuese që qeveria ende nuk ka dhënë opinion.

Haziri: Qeveria ende nuk ka dhënë opinion

“Kryeministri i qeverisë, kryetari i shumicës e thotë i përgan kjo punë kalit dhe qerres. Edhe për ironi të fatit shumica po e sjell këtë që po e shpjegoj ministri që është për nder për ta kaluar, për ta ratifikuar edhe Bordin e Paqes. Por, dy çështje që në komision janë diskutuar janë shqetësim jo për ne si deputetë, por për aleatin tonë. Dëgjo, ne mundemi ta quajmë ata aleat, por sa na quajnë ata neve aleat. Sepse kur dështojmë në një ligj me katër nene edhe nenin e dytë e diskutojmë sepse janë thënë dy shqetësime. Shqetësimi i parë Qeveria ende nuk ka dhënë opinion, sepse sponzor i ligjit është presidentja. Dhe e dyta, duhet me qenë në një linjë që komisioni për integrime duhet të ketë rol”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi tha se pjesëmarrja e Kosovës në një mision të tillë dëshmon profesionalizmin, përgatitjen dhe përkushtimin e ushtarëve.

Bytyqi: Hap i madh dhe domethënës dërgimi i FSK-në në Gaza

“Ky është një hap i madh dhe shumë domethënës për vendin tonë sepse me këtë konfirmojmë që edhe pse jemi shtet i vogël dhe i ri, Kosova nuk është vetëm përfituese e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare por edhe kontribuuese aktive në ruajtjen e tyre. Fakti që për vite me radhë ne kemi përjetuar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, na bën të lumtur që sot me krenari dhe nder kemi mundësinë që këtë mbështetje ta kthejmë në veprim”, ka thënë ajo. 

Kuvendi miraton dërgimin e FSK-së në Gaza me 89 vota për

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë miratuar dërgimin e trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Vendimi u mor me 89 vota për, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, duke i dhënë dritë jeshile misionit jashtë vendit.

Sipas vendimit parlamentar, forcat e Kosovës do të jenë pjesë e një misioni ndërkombëtar që synon stabilizimin e situatës në Gaza.

 

Dërgimi i FSK-së në Gaza, Maqedonci: Forcon profilin ndërkombëtar të Kosovës

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se të gjitha operacionet ushtarake të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila si mision ka të mbështes zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund luftës në Gaza”, tha ai.

 “Ky vendim forcon profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë Republikën tonë në radhën e shteteve jo veç që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e rendit ndërkombëtar”, tha ministri i Mbrojtjes.

 “Ne si PDK e kemi përkrahë këtë vendim edhe në komision dhe do ta përkrahim e do ta votojmë sërish. FSK dhe Kosova janë duke e dëshmuar çdo ditë jo veç shpenzues, por edhe prodhues i sigurisë. Këtë e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën edhe tash”, tha Rrahman Rama nga PDK.

Fadil Hadërgjonaj tha se FSK ndër vite ka dëshmuar profesionalizëm të lartë, standarde të larta etike dhe performancë të shkëlqyer brenda dhe jashtë vendi. Ai në emër të LDK-së kërkoi sjelljen në Kuvendin e Kosovës për miratim marrëveshjen për Bordin e Paqes, prej nga ka derivuar edhe vendimi për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza.

“Kërkojmë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbështetje të plotë për personelin tonë në aspektin administrativ, operacional, logjistik, shëndetësor dhe financiar para dhe gjatë përfundimit të këtij misioni”, tha deputeti i LDK-së, duke shprehur përkrahje për këtë vendim.

Albana Bytyqi tha se me këtë vendim garantohet që Kosova përveçse është përfituese e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, njëkohësisht është edhe kontribuese aktive e ruajtjes së tyre.

“Ky vendim i institucioneve të shtetit tonë është dëshmi e rritjes së besimit ndërkombëtar si partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm në Ballkan”, tha ajo.

Gruda: Nuk ka pasur konsultim publik për Projektligjin për Byronë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda ka shprehur vërejtjet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjatë leximit të parë të këtij projektligji, ai tha se gjuha në të cilën është shkruar është më shumë publicistikë se sa juridike.

Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur konsultim publik para votimit në qeveri.

Gruda: Nuk ka pasur konsultim publik për Projektligjin për Byronë

“Vërejtja e parë jonë e parë si parti është që për këtë ligj nuk ka pasur konsultim publik. Ligji është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese për procedurën e miratimit këtu, dhe do të duhej të vihej në konsultim publik para miratimit në qeveri siç e kërkon rregullorja e punës së qeverisë. Kjo nuk ka ndodhur, është keq sepse një ligj kaq i ndjeshëm do të duhej t’i nënshtrohej një debati jo vetëm nga njerëzit e zakonshëm por nga profesionistët veçanërisht dhe do të duhej t’i jepej shans çdo njeriu në Kosovë që me dhënë mendim për këtë ligj”, deklaroi ai.

Ai tha se në mes dy leximeve duhet të ketë konsultim publik dhe të adresohen të gjitha vërejtjet. Gjatë votimit të sotëm, ai tha se do të abstenojë që siç tha ai “për të dhënë një shans për përmirësim të ligjit”

Gruda: Cdo gjë duhet ta caktoni me ligj, prek të drejtat dhe liritë e njeriut

“Gjykata Kushtetuese ka bërë vërejtje për ligjin, ka thënë nuk mund të leni çështje për t’i rregulluar me akte nënligjore. Çdo gjë duhet ta caktoni me ligj, meqë ky ligj prek thellësisht drejtat dhe liritë e njeriut, ato të drejta dhe liri të njeriut sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut por edhe standardeve të përcaktuara në Kushtetutë nuk mund të rregullohen me akte nënligjore. Prapë është lënë që disa akte nënligjore t’i nxjerr drejtori që prapë mendoj se është gabim, ajo dispozitë duhet të fshihet dhe duhet që gjitha garancionet procedurale dhe materiale sa i takon lirive dhe të drejtave të njeriut të përshkruhen saktësisht në këtë ligj, siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Ai pati vërejtje edhe se si emërtohet ky ligj, duke thënë tutje edhe se gjuha është më shumë publicistike se sa juridike.

“Ligji të nderuar deputetë e ka emrin ‘Ligji për Verifikimin dhe Konfirmimin e Pasurisë së Pajustifikueshme’, titulli nuk i përshtatet përmbajtjes së ligjit. Byroja nuk konfiskon pasuri, prandaj s’mund të jetë fjala konfiskon. Dhe arsyeja tjetër pse nuk mund të jetë ky ligj, nëse e marrim me lexu ligjin, gjysma e neve flasin për Byronë, gjysma tjetër se çka ndodhë kur çështja mbërrin në gjykatë. Që do të thotë që titulli i ligjit nuk e reflekton tërësisht përmbajtjen e ligjit. Duhet me ndërru, të paktën konfiskimi nuk është një çështje që e ka në dorë Byroja. Byroja vetëm bën propozimin në gjykatë, gjykata e vendos për konfiskimin. Mënyra se si është shkruajtur teksti në shumë raste nuk është gjuhë juridike, është publicistikë, nuk është gjuhë juridike”, ka deklaruar ai.

Berisha: Nëse i trajton ti gjykatat, prokuroritë, policinë, agjencinë antikorrupsion, i trajton si të pabesueshme

Ministrja e drejtësisë, Donika Gërvalla iu kundërpërgjigj deputetit të AAK-së, Bekë Berishës duke i dërguar “të fala” dhe e pyeti se ku e ka sot selinë e partisë.

Gërvalla: I dërgoj të fala dhe i them deputet ku e ke sot selinë e partisë tënde

“Deputeti i cili diku bënte shaka, e diku kërcënonte e pretendonte se nuk do t’i konfiskohej pasuria bash askujt, i dërgoj të fala dhe i them deputet ku e ke sot selinë e partisë tënde, aty ku e ke pasur apo diku tjetër”, tha Gërvalla.

Por Berisha, iu kundërpërgjigj se objekti ku ka qenë selia e AAK-së nuk ka qenë e zaptuar asnjëherë.

Berisha kishte përsëri pyetje për Gërvallën, se a do ta bëj 17 kat Dubravën siç ka thënë, e sipas tij do të mbushet me deputet të pushtetit.

Berisha: Unë dua me të pyet ty që thoshe se do ta bësh Dubravën 17 kat, a e bëtë 17 kat?

“Në atë zyre ministre kemi paguar diku 4 mijë e 500 në muaj për ta mbajtur, ka qenë pronë e kadastrit dhe nuk i kemi paguar më ato para, jemi dalë në zyre të reja tash. Atë nuk e kemi pasur të zaptuar por duke e paguar që i bie dhjetëfishi i asaj që ka paraqit ajo zyre. Unë dua me të pyet ty që thoje se do ta bësh Dubravën 17 kat, a e bëtë 17 kat? Edhe aty ka vendim për të fut hajna në burg edhe si duket do të mbushet me këta të juajt me askënd tjetër”, tha Berisha.

Berisha tha se si grup parlamentarë do ta votojnë, porse nëse trajtohen gjykatat, prokuroria, policia e agjencinë antikorrupsion, atëherë sipas tij i bie se për pushtetin janë të pabesueshme.

Berisha: Nëse i trajton ti gjykatat, prokuroritë, policinë, agjencinë antikorrupsion, i trajton si të pabesueshme

“Unë do ta votoj, u morëm vesh me grupin në këtë fazë, bash këtë ligj që po thua ti dhe kur të fillon të funksionoj do ta shohësh se si po funksionon. Por, nëse i trajton ti gjykatat, prokuroritë, policinë, agjencinë antikorrupsion, njësi që merren bash me këtë punë ti ato i trajton si të pabesueshme”, tha Berisha. 

Maqedonci fton deputetët të votojnë pro dërgimit të trupave të FSK-së në Gaza

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin me votë dislokimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, në kuadër të një misioni ndërkombëtar paqeruajtës.

Maqedonci theksoi se pjesëmarrja e FSK-së në operacione të tilla jashtë vendit është një hap i rëndësishëm për forcimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe rritjen e besueshmërisë së saj si partnere e sigurisë.

Sipas tij, angazhimi i ushtarëve kosovarë në misione ndërkombëtare kontribuon drejtpërdrejt në thellimin e bashkëpunimit me aleatët dhe rritjen e reputacionit të vendit në strukturat euroatlantike.

“Më datën 30 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të ka aprovuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, mbi bazën e ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të nënshkruar me datë 8 dhjetor e e pranuar me datën 10 dhjetor 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe që i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në botën e paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, tha Maqedonci.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese.”

“Të gjitha operacionet e forcës ndërkombëtare stabilizuese do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare detyruese të zbatueshme, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, rregullat e angazhimit të forcës ndërkombëtare stabilizuese, si dhe marrëveshjet e zbatueshme për mbrojtjen e statusit dhe instrumente të tjera detyruese të zbatueshme. Ky angazhim është në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ka krijuar kornizën ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza në mbështetjen e një force të përkohshme ndërkombëtare me fokus në siguri, stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe mbështetje të përpjekjeve humanitare.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë adresuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me pjesën përgatitore të dërgimit të kontingjentit, duke përfshirë përgatitjen e personelit, masat e sigurisë, rregullat e angazhimit, çështjet e sigurimit shëndetësor dhe sigurimit të jetës, pagesat për rrezikshmëri, si dhe mbështetjen financiare bazuar në ligjet dhe rregulloret.

Të nderuar deputetë, përmes këtij angazhimi Republika e Kosovës dëshmon se është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes së civilëve dhe zbatimit të mandateve ndërkombëtare. Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vendos Republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.”

“Kështu shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë anëtarët e komisionit, si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në komision për mbështetjen e fuqishme dhe të unifikuar të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë operacion jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe strategjik për vendin tonë”, tha Maqedonci.

Kuvendi publikon kandidatët për Bord të RTK-së të propozuar nga Komisioni

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së ka përmbyllur procesin e intervistimit të kandidatëve dhe ka propozuar emrat të cilët do të votohen në këtë institucion.

Sipas njoftimit nga ky institucion, janë propozuar 12 kandidatë për 6 pozita.

“Për gjashtë pozita për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, komisioni ka propozuar për votim se seancë plenare dymbëdhjetë kandidatë: Valmirë Thaqi, Flokart Aliu, Gëzim Brahaj, Fatos Mustafa, Arbërore Riza, Xheraldina Cërnobregu, Njomza Beqiri Novosella, Anita Toqi, Lulzim Beqiri, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj dhe Avni Zuka”, thuhet në njoftim.

Nga radhët e komunitetit serb, komisioni ka propozuar për votim dy kandidatë: Ivana Milić dhe Vidosav Kostović. Ndërsa për një pozitë për anëtar të Bordit nga radhët e komuniteteve të tjera jo shumicë, janë propozuar kandidatët Anesa Čolaković dhe Aldin Šabani.

Komisioni ka pranuar gjithsej 75 aplikime nga kandidatët dhe ka intervistuar ata për dy ditë radhazi.

Në anën tjetër Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës bashkë me organizata tjera të shoqërisë civile kanë kritikuar procesin e intervistimit dhe përzgjedhjes së këtyre emrave. Ata e kanë quajtur procesin jo-transparent dhe kanë thënë se nuk plotëson standardet minimale profesionale.

AGK dhe OJQ-të e tjera kanë akuzuar LVV-në se po provojnë të përmbyllin procesin brenda një afati të shkurtër dhe kanë shmangur standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Për këtë, pikërisht këto organizata mbajtën konferencë për media dy ditë më parë duke shprehur kundërshtimin e tyre.

Kuvendi miraton në parim projektligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë me 81 vota pro

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur shqyrtimi i parë i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. 

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

81 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe 25 abstenime.  

Ky projektligj duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.

Kica: A jemi për një byro që funksionon sipas Kushtetutës

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se projektligji për Byronë shtetërore ka paqartësi brenda neneve e kundërthënie brenda ligjit.

Në këtë formë, Kica tha se është i papërfunduar.

Në seancën e Kuvendit, Kica tha se pyetja nuk është nëse janë për apo kundër, por për një byro që funksionin sipas Kushtetutës dhe nuk cenon të drejtat e qytetarëve, apo një byro që rrezikon të malltretojë të pafajshmit.

Kica: A jemi për një byro që funksionon sipas Kushtetutës

“Sot pyetja nuk është a jemi për apo kundër, por a jemi për një byro që funksionon sipas Kushtetutës që është e materializueshme, që nuk cenon apo nuk rrezikon të cenoj të drejtat të qytetarëve të Kosovës, apo për një byro që rrezikon të malltretoj të pafajshmit vetëm për diskurs publik elektoral. Edhe disa që ndoshta e kërkojnë këtë byro, nuk e kanë të qartë që nesër mund t’i nënshtrohen padrejtësisht për shantazh politik pa çka se nuk nënkupton detyrimisht nga kjo qeveri, mund të jetë cilado shumicë parlamentare.. Kemi të bëjmë në paqartësi brenda neneve, me kundërthënie brenda ligjit. Në vet terminologjinë e konfiskimit dhe kur ligji nuk është i qartë, ai nuk është neutral, ai automatikisht bëhet i rrezikshëm”, tha ajo. 

Gërvalla: Projektligji për Konfiskim nuk e ka objekt qytetarin e zakonshëm

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur shqyrtimi i parë i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, para deputetëve, këtë projektligj e quajti me peshë të veçantë për shtetin, sundimin e ligjit, rrugën drejt BE-së dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.

“Ky projektligj nuk është i zakonshëm, por një projektligj që thotë qartë se funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për pasurim të pajustifikueshëm”, tha ndër të tjera në fjalimin e saj ministrja e Drejtësisë.

Sipas Gërvallës projektligji është mesazh i qartë dhe shumë gjatë i pritur nga qytetarët e Kosovës.

“Shteti nuk mjaftohet me deklarime kundër korrupsionit, por ndërton mekanizma real, funksional dhe kushtetues për ta luftuar atë. Ky projektligj nuk i shërben ndonjë spektakli, por rezultateve konkrete. Nuk është shkruar për të prodhuar tituj, por për të prodhuar llogaridhënie. Kjo  nismë nuk ka ardhur rastësisht dhe as me nguti, ka një histori të gjatë institucionale. Fillon me koncept dokumentin e miratuar me 13 prill 2021 dhe është votuar për herë të parë në Qeverinë ‘Kurti 2’ me 29 dhjetor 2021. Që nga ajo kohë ka kaluar nëpër tri opinione të Komisionit të Venedikut dhe dy shqyrtime të Gjykatës Kushtetuese. Po flasim për një proces të gjatë, të testuar, të sfiduar, të rishikuar dhe të përmirësuar”, tha Gërvalla.

Ministrja shtoi se as Komisioni i Venedikut dhe as Kushtetuesja nuk e kanë kontestuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik, sipas saj, rekomandimet kanë qenë për më shumë qartësi, proporcionalitet dhe më shumë garanci procedurale. Ajo tha se këto rekomandime janë reflektuar në tekstin e projektligjit.

“Byroja nuk konfiskon, byroja nuk gjykon, byroja nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledhë, verifikon dhe analizon informacionin, vendimi për konfiskim merret nga gjykata, një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor. Ky ligj nuk merret me qytetarin e zakonshëm, merret me zyrtarët publik, me bartësit e funksioneve publike dhe me detyrimin e tyre për të dhënë llogari për pasurinë që kanë krijuar gjatë ushtrimit të funksionit publik”, deklaroi para deputetëve ministrja.

Sipas Gërvallës, narrativa se gjoja ky ligj cenon qytetarët e zakonshëm nuk është as interpretim juridik, as shqetësim real , por, sipas saj, propagandë kundër një mekanizmi që synon llogaridhënie nga ata që mbajnë pushtet publik. “Qytetari i zakonshëm nuk është objekt i këtij ligji”, përsëriti Gërvalla.

Sqaroi se procedurat nuk nisin arbitrarisht, ato, sipas saj, iniciohen në bazë të informatave kredibile.

“Projektligji nuk është ndërtuar mbi logjikën e ndëshkimit të verbër, por mbi logjikën e përgjegjësisë, provës, kontrollit gjyqësor e interesit publik".

LDK kërkon ndryshime të projektligjit: Ka paqartësi dhe kundërthënie

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se ky subjekt politik ka qenë nismëtare e ideës së Byrosë në vitin 2022. Sipas saj, një projektligj i tillë duhet të shoqërohet me konsultime publike dhe se duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.

“Ky ligj nuk po e bën mjaftueshëm dallimin në mes të atij që ka abuzuar dhe atij që ka punuar ndershëm. Kemi të bëjmë me paqartësi brenda neneve dhe kundërthënie brenda ligjit. Kur nuk është i qartë mund të jetë i rrezikshëm. Derisa komisioni nuk ka vetëm rol monitorues por rol aktiv në inicimin e emrit të drejtorit, nuk mund ta lëmë zgjedhjen e këtij komisioni me numra aq të thjeshtë, e pakta do të duhej të ishte dy e treta e deputetëve”, ka thënë ajo.

Kica – Xhelili ka theksuar se nëse ndodhin ndryshime brenda projektligjit, LDK do ta përkrahë atë. Ndërkaq nëse nuk bëhen, sipas saj, ngrit shqetësim dhe dyshim serioz.

“Byroja le të bëhet por të jetë e drejtë e pavarur dhe e qëndrueshme, nëse e bëjmë këtë kemi bërë diçka të drejtë. Nëse jo po bëhet propagandë politike. Për sot vota jonë është për”, theksoi ajo.

AAK përkrahë projektligjin, Tahiri: Kush nuk justifikon një cent, të ballafaqohet me ligjin

Besnik Tahiri i AAK-së ka shprehur përkrahjen për këtë projektligj. Ai ka thënë se misioni më fisnik kombëtar në liri është lufta kundër krimit e korrupsionit, në mënyrë që shteti të jetë i jetueshëm.

“Në Komisionin për Legjislacion ne kemi votuar për edhe sot do të votojmë për, për shkak se mendojmë që një institucion si ky, do të kishte qenë mirë me hy në fuqi ky projektligj në mënyrë që të shihet se cili është kontributi i këtij institucioni në forcimin e luftës  kundër korrupsionit por edhe në hetimin e secilit prej nesh, të pasurisë që e kemi dhe konfiskimin e tyre dhe kthimin te qytetari e shteti. Kushdo që nuk mund të justifikojë një cent si zyrtar publik duhet të ballafaqohet me forcën e ligjit”, tha ai.

Kuvendi debaton për Projektligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë

Në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajusfikueshme, i cili sipas ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka peshë të madhe për drejtësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës.

Në paraqitjen e projektligjit, Gërvalla tha se ai e thotë qartë se “funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për pasurim të pajustifikueshëm”.

“Është një projektligj që e bën të qartë se në Kosovë, atëherë kur ushtron funksion publik askush nuk mund të jetë mbi detyrimin për ta justifikuar, arsyetuar pasurinë e vet. Ky projektligj është mesazh i qartë dhe shumë i pritur nga qytetarët se shteti nuk mjaftohet me deklarime kundër korrupsionit, por ndërton mekanizma realë, funksionalë për ta luftuar atë”, tha ajo.

Gërvalla kujtoi se hapat e parë për këtë ligj u ndërmorën më 2021 dhe projektligji ka kaluar në tri opinione të Komisionit të Venedikut dhe dy shqyrtimeve nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“As Komisioni i Venedikut, as Kushtetuesja nuk e kanë kundërshtuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik”, tha Gërvalla, duke shtuar se rekomandimet janë përfshirë në projektligj.

“Procedurat nuk nisi arbitrarisht”, theksoi Gërvalla. “Ato iniciohen në bazë të informacioneve kredibile”.

Sipas saj, Byroja nuk konfiskon, gjykon apo zëvendëson gjykatat.

“Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Pra, një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor”, tha ajo.

Po ashtu, Gërvalla i cilësoi si “propagandë” informacionet se projektligji synon qytetarët e zakonshëm, duke theksuar se cak janë zyrtarët publikë që kanë pasuri të pajustifikuar.

Në fund të marsit, Qeveria e Kosovës e miratoi projekligjin dhe e procedoi në Kuvend për miratim në dy lexime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët e ka cilësuar këtë projektligj si një nga prioritetet e ekzekutivit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisës së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka kishte dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit se e shfuqizoi ligjin për byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat