Seanca e Kuvendit, deputetët miratuan ligje në disa fusha kyçe

Aktuale

Seanca e Kuvendit, deputetët miratuan ligje në disa fusha kyçe

Më: 23 prill 2026 Në ora: 07:42 Përditësuar në ora: 20:17 më 23.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare, miratoi dhjetë projektligje

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka miratuar në lexim të dytë një sërë projektligjesh të rëndësishme, që prekin fusha të ndryshme si ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe çështjet sociale, ndërsa debatet janë karakterizuar nga qëndrime të ndryshme mes pozitës dhe opozitës.

Ndër projektligjet e miratuara është ai për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si ligji për “çmimet tavan”, i cili u votua me 63 vota për, pa kundërshtime dhe abstenime.

Megjithatë, opozita e kundërshtoi mënyrën e hartimit të tij, duke shprehur shqetësime për mundësi arbitrariteti, derisa nga Qeveria u theksua se ligji do të zbatohet vetëm në raste të destabilizimit të tregut dhe për një numër të kufizuar produktesh bazë.

Me mbështetje të gjerë është miratuar edhe Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me 80 vota për, pa asnjë kundër apo abstenim.

Përfaqësuesit e institucioneve e cilësuan atë si hap drejt sigurimeve shëndetësore për qytetarët, ndërsa opozita kërkoi zbatim të kujdesshëm dhe më shumë debat, duke ngritur shqetësime për funksionalizimin praktik.

Kuvendi ka miratuar gjithashtu Projektligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” me 64 vota për, si dhe Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, për të cilin pati kundërshtime nga partitë opozitare lidhur me procedurat dhe përmbajtjen.

Po ashtu, deputetët kanë votuar edhe disa projektligje të tjera, përfshirë atë për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore (68 vota për), për Banim Social dhe të Përballueshëm (71 vota për), për Provimin e Maturës Shtetërore (66 vota për), Projektligjin për Lëndët Plasëse (72 vota për).

Poashtu Kuvendi i Miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, si dhe Projektligjin për Shërbimet e Pagesave.

Seanca u karakterizua nga diskutime të shumta, ndërsa shumica parlamentare siguroi votat për miratimin e projektligjeve, pavarësisht kritikave dhe rezervave të shprehura nga opozita.

Deputetët votojnë pro ligjit për shtetësinë e Kosovës

Më 68 vota ‘për’ ka kaluar Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës.

Paraprakisht deputetët kanë refuzuar përfshirjen e disa amandamenteve.

Dy vota ishin kundër.

Opozita në anën tjetër nuk mori pjesë në votim.

​Pozitë e opozitë bëhen bashkë, miratojnë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor

Kuvendi i Kosovës me 80 vota për i ka dhënë dritën e gjelbër Projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Ky projektligj mori mbështetjen e të gjitha partive përfshirë edhe atyre opozitare.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia teksa falënderoi të gjithë deputetët për mbështetjen që i dhanë këtij projektligji u zotua se së shpejti qytetarët e Kosovës do të kenë sigurime shëndetësore.

Vitia: Qytetarët shpejt do të bëhet me sigurime shëndetësore

“Falënderoj grupet parlamentare për dhënien e pëlqimit për këtë ligj jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ashtu siç kemi thënë për dinamikën dhe implementimin e tij se ne do të punojmë ditë e natë dhe natyrisht përgjegjësi do të na takoj neve por jam shumë i sigurisht që qytetarët shpejt do të bëhet me sigurime shëndetësore”, theksoi ai.

Deputeti nga grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli kërkoi përkrahjen e deputetëve për këtë projektligj të cilin e konsideroi vital për reformimin e sistemit shëndetësor.

Avdyli: Ligj me rëndësi vitale në reformimin e sistemit shëndetësor

“Rekomandon që të miratohet projektligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor në Komisioni na ka ardhur vetëm një amandamenti nga Besa Kabashi-Ramaj që nuk ka marr përkrahjen e komisionit funksional..në emër të LVV rekomandojmë që ky ligj të merr miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe iu ftoj me votën tuaj ta përkrahin këtë ligj me rëndësi vitale në reformimin e sistemit shëndetësor”,tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismajli shprehu mbështetjen e kësaj partie për projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ismajli tha se me këtë ritëm pas një dekade pritet funksionalizimi i tij teksa shtoi se ky ligj është i vonuar.

Ismajli: Ky ligj është i vonuar, qytetarët po blejnë barna

“Mendoj se ky ligj është vonë dhe reforma në shëndetësi sa i përket sigurimeve shëndetësore është shumë vonë mendoj se qeveria ka shpenzuar kohë të gjatë duke e larguar atë kohën e pandemisë më pastaj nuk e ka pas fokus dhe prioritet fare sigurimin shëndetësor dhe si e tillë ka krijuar një boshllëk të madh në reformat të cilat i ka proklamuar vetë çka është më e keqja se mungesa e sigurimit shëndetësor e varfëron qytetarin çdo ditë. Dëshmi e varfërimit të qytetarit është sot që QKUK e cila ka qindra qytetarët që blejnë barna material shpenzues, blejnë barna për kancer edhe pse janë në listën esenciale sepse mungojnë gjëra elementare që iu nevojitet qytetarëve...unë do ua mbështes dhe ne do t’ua mbështesim mirëpo nuk ka mundësi me pas debat të mirë”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se ky ligj nuk të trajtohet vetëm si një dokument në letër, por si themel i sigurisë shëndetësore por edhe dinjitetit të pacientit.

Ai tha se “do i japin një shans këtij ligji”, ani pse theksoi se ka shumë të meta.

Zemaj: Sigurimet shëndetësore nuk duhet të jetë mjet për fushatë zgjedhore

“Fatkeqësisht mënyra se si është trajtuar këto ditë, në mes të seancës së parë dhe seancës së sotme dhe mënyrës së shpejtuar pa mundësi debati publik, pa kohë të mjaftueshme për ekspertët e jashtëm, pa kohë të mjaftueshme për odat dhe profesionistët tjerë shëndetësor ose pjesën menaxheriale, organizative të sistemit tonë shëndetësor dhe kjo qasje shkel e shko jo vetëm që nuk funksionalizon këtë ligj, por e dëmton drejtpërdrejt besimin e qytetarëve edhe vet përpjekjet për të ndërtuar një shëndetësi të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Sigurimet shëndetësore nuk mund të mbesin premtime në letër, apo mjet për fushatë zgjedhore por këtë po e shohim para syve tanë. Kjo kërkon përkushtim real, planifikim serioz dhe mbi të gjitha zbatim të drejtë dhe transparent”, ka thënë ai.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi adresoi kritika karshi ministri të Shëndetësisë, Arben Vitia i cili nuk ka marr pjesë në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi kur është diskutuar për këtë projektligj.

Ajo tha se e mbështesin këtë projektligj, po siç u shpreh Bytyqi nëse nuk ka implementim “nuk është bërë asgjë hiç”.

Bytyqi: Nëse implementimi nuk është i realizueshëm atëherë nuk ke bërë asgjë,

“Forma dhe mënyra se si ka vazhduar me të vërtet është për keqardhje një projektligj kaq i rëndësishëm pa qenë prezent ministri me shqyrtuar nen për nen dhe duke parë që ka pas kërkesa të shumta për të ndryshuar projektligji dhe ministri mos me qenë i pranishëm atëherë nuk e di se si është normale me funksionale vetëm pse e keni shumicën parlamentare nuk është në rregull... Ne kemi parë që ky projektligj është shumë i nevojshëm për qytetarët tanë mungesa jote ka bërë që ky projektligj me qenë jo serioz e keni pas vetëm në fushata elektorale...projektligj ka shumë mangësi dhe ka shumë nevojë për tu plotësuar ne në parim e kemi mbështetur duke besuar që kërkesat tona gjatë shqyrtimit t’i fusim në projektligj mënyra se si ka ardhur se si ka shkuar në mënyrë të përshpejtuar atëherë është jo serioze normal jemi gjithmonë në mbështetje të këtij projektligji.. Nëse implementimi nuk është i realizueshëm atëherë nuk ke bërë asgjë, bash kurgjo hiç”,tha ajo.

Sa i përket kësaj kritike për mungesë, ministri Vitia tha se nuk ka qenë i ftuar në këtë takim.

Një replikë ndaj fjalës së ministrit, pati deputeti i PDK-së, Uran Ismaili.

Ismaili-ministrit Vitia: A ki aftësi të na tregosh se kur do kemi sigurimet shëndetësore

“Ministër e përfundove fjalën duke thënë që shumë shpejt do ta kemi sigurimin shëndetësor, duke qenë se je për një kohë shumë të gjatë ministër për shumë vite, a mendon që e ke dijeninë dhe aftësinë për të na treguar sot se kur është ajo shumë shpejt?”, ka pyetur Ismaili.

Më pas ka reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë nga LDK, Armend Zemaj i cili tha se nuk janë konsultuar as profesionistët e as odat për këtë ligj.

Zemaj: Profesionistët shëndetësor dhe organizatat do të na kritikojnë

“Mënyra se si e ka trajtuar shumica nuk të arsyeton zotëri ministër, sepse është ligji më i rëndësishëm, është bazik për reformën në shëndetësi. Jo për ty si person, por për gjithë qytetarët e Kosovës. asnjë odë e profesionistëve ne nuk e kemi dëgjuar, asnjë organizatë të shoqërisë civile nuk e kemi dëgjuar se cili është opinioni i tyre, as profesionistët shëndetësor. Ndoshta do të na krijojnë sepse bllankon në parim po i japim përkrahje një ligji që as vet nuk e dinim implementimin kur fillon”, shtoi ai.

​Kuvendi miraton Ligjin për Lojërat Mesdhetare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, me 64 vota për dhe asnjë kundër apo abstenim, duke i hapur rrugë organizimit të këtij eventi të madh sportiv në vend. Megjithatë, projektligji është shoqëruar me debat dhe kritika nga opozita, e cila ka ngritur shqetësime për transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin e financave publike.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu, ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me përmbajtjen e ligjit dhe mungesën e mekanizmave shtesë të raportimit institucional. Ajo ka theksuar nevojën që Komiteti Organizativ të raportojë edhe para Kuvendit, duke pasur parasysh se financimi kryesor vjen nga buxheti i shtetit, si dhe ka ngritur çështjen e shmangies së procedurave të prokurimit publik, për të cilat, sipas saj, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Arbnora Salihu -Deputete e Partisë Demokratike të Koosvës : BE ka ngritur shqetësime seriose për formën aktuale të ligjiit

“Kam kërkuar plotësim ndryshimin e nenit 11 që Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ t’i raportojë jo vetëm Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare por edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse burim kryesor i financimit është buxheti i Republikës së Kosovës. Gjithashtu shqetësim serioz i yni është përcaktimi në këtë projektligj për ta anashkaluar legjislacionin e prokurimit publik. Kjo nënkupton mosndjekjen e procedurave të prokurimit publik dhe dhënien e kontratave me negocim. Madje këto shqetësime nuk janë vetëm tonat, edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ngritur alarmin për këtë projektligj duke theksuar se në formën aktuale ai paraqet rreziqe serioze për menaxhimin e financave publike”, tha Salihu.

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adelina Thaqi-Meta, ka vënë në pah mungesën e qartësisë ligjore dhe të llogaridhënies në projektligj. Ajo ka përmendur vërejtjet e Bashkimit Evropian, duke theksuar shqetësimet për strukturën e bordit drejtues dhe përfshirjen e gjerë të përfaqësuesve qeveritarë në këtë organ.

Adelina Thaqi-Meta -Deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës: Mungesa e qartësisë ligjore dhe e llogaridhënies ngre shqetësime serioze

“Mungesa e qartësisë ligjore dhe e llogaridhënies ngre shqetësime serioze në lidhje me pajtueshmërinë me standartet për menaxhimin financiar publik. Këto janë vërejtje e BE-së, të cilat i kam theksuar edhe në seancën e kaluar ku rreth bordit drejtues theksojnë se si trupi më i lartë drejtues i gjithë projektit, pra të OSMG -së, atu ishin planifikuar të hyjë gjithë qeveria, prej kryeministrisë si drejtës, që nuk ngjanë askund e tutje edhe me katër ministra”, deklaroi Thaqi-Meta.

Kritika ka adresuar edhe deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, i cili ka theksuar rrezikun e anashkalimit të procedurave të prokurimit publik për një shumë të konsiderueshme të mjeteve buxhetore. Ai ka ngritur dilema për mënyrën e menaxhimit të këtyre fondeve dhe për kompetencat që i jepen trupit organizativ.

Arben Mustafa -Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës: Po kërkoni që deputet të iu lejojnë të hiqni dorë nga procedurat që i ka përcaktuar ky kuvend

“Po flasim për një anashkalim të procedurave të prokurimit publik në Kosovë për një shumë prej 254 milion euro para të buxhetit të Kosovës. Ju me këtë ligj po kërkoni që deputet të iu lejojnë të hiqni dorë nga procedurat që i ka përcaktuar ky kuvend me ligj për përdorimin e parasë publike dhe t’ia besojmë një trupi që ju si qeveri keni për ta krijuar për ta përcaktuar se si do të shpërndahen këto mjete. Mendoj se kjo është e pa drejtë”, theksoi Mustafa.

Në anën tjetër, ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka mbrojtur projektligjin duke theksuar se legjislacioni për prokurimin publik mbetet në fuqi për të gjitha shpenzimet që financohen nga buxheti i shtetit. Ai ka sqaruar se rregulloret e brendshme të Komitetit Organizativ janë në përputhje me ligjin dhe të domosdoshme për organizimin e Lojërave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga organet përkatëse.

Blerim Gashani – Ministër i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë: Ligji për prokurim mbetet plotësisht në fuqi për të gjitha shpenzimet

“Ligji për prokurim mbetet plotësisht në fuqi për të gjitha shpenzimet që financohen nga buxheti i shtetit. Rregulloret e brendshme të Komitetit Organizativ nuk mund të bien ndeshe me legjislacionin në fuqi dhe këto rregullore janë të domosdoshme dhe burojnë nga kërkesat dhe standartet e vendosura për këto ngjarje nga ICMG e cila është pronare e lojërave”, tha Gashani.

Kosova fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 me vendim të Komitetit Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, duke shënuar një moment të rëndësishëm për sportin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit. Ngjarja pritet të mbahet kryesisht në Prishtinë, me disa aktivitete që mund të shpërndahen edhe në qytete të tjera, në varësi të infrastrukturës sportive.

Kalon ligji për sigurimet shëndetësore me pakënaqësi nga opozita

Në seancën e sotme të Parlamentit, të zgjedhurit e popullit miratuan projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ligji për sigurime shëndetësore kaloi në shqyrtimin e dytë me:

80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë atestim.

Megjithatë, opozita nuk ishte fort e kënaqur me formësimin e këtij projektligji, të cilin e quajtën të mangët.

Miratohet projektligji për çmimet tavan

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kaloi edhe në shqyrtimin e dytë ligji për çmimet tavan.

Megjithatë, opozita nuk i doli në përkrahje këtij projektligji.

Sipas tyre, është antikushtetues.

Hoti i bën pyetje Kusari-Lilës për destabilizimin e tregut, thotë se projetkligji për çmimet tavan është antikushtetues

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Projektligji për caktimin e çmimeve tavan është antikushtetues dhe nuk definon asgjë.

Hoti ka pyetur ministren Mimoza Kusari-Lila se çfarë është destabilizimi i tregut dhe si do të përcaktohet devijimi i çmimeve në treg për të konstatuar që ka destabilizim.

“Ky ligj është fund e krye antikushtetues. E vetmja situatë kur ky ligj ka kuptim është nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe merren masat për t’i ruajt qytetarët. S’është ligj. Nuk definon asgjë. Çdo kapitull i Ligjit kërkon një rregullore se si duhet të zbatohet Ligji. Kjo pastaj iu jep diskrecion të madh zyrtarëve. Nuk e kam problemin me pavarësinë e bordit. E kam problemin me etikën e njerëzve që zgjidhen nëpër borde. Pyetja ime është për ministren, jam i interesuar sinqerisht, çka është destabilizimi i tregut nëse jo situatë e jashtëzakonshme. Sa duhet me deviju çmimet në treg, që ne të konstatojmë që ka destabilizim të tregut”, ka thënë Hoti.

“Kush ka diskrecion për me i llogarit kostot mbi bazën e të cilave duhet të caktohet çmimi tavan pastaj. Ku ke me i marrë të dhanat për me i llogaritë kostot e mallrave që i ke përcaktu e për të cilat do të caktohen çmimet”, ka shtuar ai.

“Pse s’po përdoren instrumentet ekzistuese. E ke diskrecionin e plotë me e përdore autoritetin e konkurrencës dhe inspektoratin. Çka sjell të re ky ligj përveç përcaktimit të çmimit tavan”, ka thënë Hoti.

Ligji për çmimet tavan nuk merr përkrahjen e opozitës

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk mori përkrahjen e opozitës në Kuvend.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa tha se nuk mund t’i lejohet një partie, “autoriteti” mbi përcaktimin e çmimeve.

Kurse, Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se partia ku ajo bën pjesë përkrah ligjin por jo mënyrën e ndërtimit të tij.

Mustafës e Ymërit i është bashkuar edhe shefi i Grupit Parlamentar i të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Ky ligj nuk është asgjë tjetër veçse krijon pesë vende kushte për atë bord, ndërsa e gjithë vendimmarrja është e koncentruar në Qeveri e MINT”, tha ai.

Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite një varg projektligjesh të rëndësishme

Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se sot, do të mbahet seanca e radhës në të cilën pritet të diskutohen një numër projektligjesh të rëndësishme.

Seanca do të nis në orën 10:00 dhe do të ketë dhjetë pika në rend të ditës.

Pikat e rendit të ditës:

1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,

2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,

4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-026 për Shërbimet e Pagesave,

5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina  2030,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,

9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-024 për Lëndët Plasëse,

10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore.

Gjatë ditë pritet të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit.

Sipas njoftimit, mbledhja pritet të mbahet duke filluar nga ora 09:00.

Po ashtu në njoftim janë bërë të ditura edhe pikat të cilat do të diskutohen në mbledhje.

Rendi i ditës

I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

II. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

1. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-007 për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes,
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-040 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-044 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore,
6. Emërimi i tre (3) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

III. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat