Nuk ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje

Aktuale

Nuk ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje

Më: 27 prill 2026 Në ora: 20:32 Përditësuar në ora: 14:29 më 28.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e LVV-së kthehen në sallën e Kuvendit

Në sallën e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të hyjnë disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, rreth 20 minuta pas orarit të paralajmëruar për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Sërish, asnjë deputet i opozitës nuk është parë të jetë i pranishëm. Seanca që nisi dje dhe vazhdoi edhe sot paradite është bojkotuar nga opozita, që ka bërë thirrje të ndërpriten punimet e kësaj seance meqë nuk ka kuroum.

Nagavci: LDK nuk na e solli listën me nënshkrime

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci tha se LDK nuk i ka ofruar nënshkrimet për kandidatin për president, as asaj e as kryeministrit Albin Kurti.

Ajo i bëri thirrje përsëri opozitës që të marrin pjesë në seancë.

LVV ka edhe një thirrje për opozitën

“Do të bëjë edhe një thirrje për opozitën. Jemi dëshmitarë që edhe deputetë të opozitës janë shumica prej tyre në kuvend dhe i bëjmë thirrje që të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm dhe t’i ofrojmë vendit presidenten dhe të vazhdojmë tutje punën duke shmangur edhe një palë zgjedhje të reja. Kemi parë dje kryetarin e LDK që prezantoi një listë me nënshkrime ndonëse pa një emër specifik, por e vërteta është që ato nënshkrime mesa jam në njohuri nuk i janë ofruar as kryeministrit Kurti e as mua si shefe e grupit në mënyrë që të bashkëngjitëm nënshkrimet e deputetëve tanë dhe nuk ka asnjë lëvizje përtej një deklarate”, tha Nagavci.

Nagavci tha se procesi i votimit të fshehtë lejon mundësinë që deri në përmbyllje të saj të marrin pjesë të gjithë deputetët, e për këtë sipas saj nuk është antikushtetuese.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci u pyet edhe për mesazhin e deputetit Naim Bardiqi, i cili kishte thënë “do t’i hymë karate”.

Nagavci flet për deklaratën e Bardiqit

“Seanca është ftuar me 40 nënshkrime kemi qenë 61 deputetë ndërkohë që procesi i votimit me votë të fshehtë e lejon mundësinë që deri në përmbyllje të procesit të marrin pjesë të gjithë deputetët që janë të interesuar. Konsideroj që përtej fajësimit e rëndësishme është të gjejmë zgjidhjen. Nuk pajtohem me deklarata individuale, është gabim një qasje e tillë, si grup parlamentar I kemi qëndrimet publike dhe që i marrim si grup. Asnjë deputet në diskutime nuk ka pasur ndonjë vlerësim të tillë. Gjuha e tillë nuk është e duhura dhe nuk i bën nder një deputeti”, tha Nagavci.

Ndryshe, seanca e orës 10:00 është shtyrë për në ora 14:00, njoftoi kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu duke i bërë thirrje opozitës që të marrin pjesë. 

Gashi: Rrezik për përplasje sociale nëse shkelet Kushtetuta

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka shprehur shqetësimin, siç ka thënë, për rrezikun e një përplasjeje sociale nëse zgjidhet presidenti pa respektuar Kushtetutën.

Këto deklarata Gashi i dha në Kuvendin e Kosovës të martën.

Gashi paralajmëron rrezikun e një përplasjeje sociale

“Rendi juridik dhe Kushtetuta në Kosovë është shumë e qartë, ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që gjykon çështjen e kuorumit për çështjen e presidentit dhe thekson se duhet të jenë prezent dy të tretat e të gjithë deputetëve. Çdo tentim për ta tejkaluar këtë rregull kushtetues është shkelje e Kushtetutës dhe sjellje e dhunshme dhe e njëanshme për ndryshim të rendit kushtetues të Kosovës. Po kalohet përtej të arsyeshmes, logjikës dhe kushtetutshmërisë, po kalohet në përdorimin e forcës. Unë jam i bindur se këtë duhet ta ndalojmë dhe nuk duhet të lejojmë të shkojmë drejt një përplasjeje. Çdo luftë fillon kur një palë me vetëdije nuk dëshiron të respektojë rregullat të cilat janë vendosur. Përplasja sociale, politike që mund të ndodhë është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën dhe duhet ta ndalojmë... Nuk e di, është çështje që e merr Grupi Parlamentar”, tha ai. 

Shtyhet seanca

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u shty vetëm pak minuta pas nisjes.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se punimet do të vazhdojnë nga ora 14:00.

Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po i pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë.

Haxhiu tha se ky është obligim kushtetues i secilit deputet.

"E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pra në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje", tha Haxhiu pasi lexoi disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, opinione të Komisionit të Venecias dhe raporte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Nis seanca

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve t'i zënë vendet e tyre për të nisur seancën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Haxhiu ftoi deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë.

Tash për tash, ata nuk shihen në sallë.

Më herët, edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ftoi deputetët të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që vendi të ketë president dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

Seanca për presidentin nuk nis, partitë në mbledhje urgjente

Ende nuk ka nisur seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, ani pse kanë kaluar pesëdhjetë minuta nga ora 10:00 ku ishte e paraparë të fillojë.

Në sallën plenare nuk janë të pranishëm deputetët nga mazhoranca e as nga opozita.

KosovaPress ka mësuar se në hapësirat e Kuvendit janë të pranishme të gjitha grupet parlamentare duke mbajtur mbledhje.

LVV-ja dje ka propozuar dy kandidate për president, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Kjo e para në votimin e djeshëm mori 64 vota, mirëpo pas kësaj kryeparlamentarja ndërpreu seancën për ta vazhduar sot.

Haradinaj: Kushtetuta mund të mbrohet tani vetëm nga sovrani

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar pak para seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Para mediave, Haradinaj tha se mbrëmë ka ndodhur një shkelje e rëndë kushtetuese.

“Votimi pa 2/3, ashtu siç e parasheh Kushtetua, është shkelje e rëndë, drejtim i gabuar, drejtim i rrezikshëm që ka marrë vendi. Unë edhe një herë i bëj thirrje u.d të presidentes, kryetares së kuvendit, kryetari të qeverisë që të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm. Nëse shkojnë në këtë rrugë, nuk na lënë rrugë tjetër pos që të vihemi në mbrojtje të Kushtetutës”, u shpreh i pari i AAK-së.

“Kjo është një situatë shumë ndryshe. Kushtetuta mund të mbrohet tani vetëm nga sovrani, ai i zgjedh mënyrat e veta, të protestave, e mënyra të tjera”, tha ai.

Kurti thotë se po bëhen përpjekjet maksimale për zgjedhjen e presidentit

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se po bëhen përpjekjet maksimale për të zgjedhur presidentin/en e vendit.

Pak para seancës së jashtëzakonshme, shefi i qeverisë tha se mbetet të shihet nëse në sallë do të paraqiten deputetët e opozitës.

“Ne po bëjmë përpjekjet maksimale, tash do shohim a po vinë deputetët e opozitës, që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin”, tha Kurti.

Në ora 10 është parapa që të nisë senaca e sotme.

Deputeti i VV-së: Si askush tjetër, Feride Rushiti i plotëson standardet për shefe të shtetit

Deputeti i VV-së, Vigan Qorolli është deklaruar në lidhje me çështjen e zgjedhjes së shefit të shtetit.

Ai tha se Feride Rushiti, si askush tjetër i plotëson standardet për të qenë presidente e Kosovës. Sipas tij, ajo është kandidaturë konsensuale për tërë popullin e Kosovës, raporton Klankosova.tv.

“Feride Rushiti është kandidaturë konsensuale për tërë popullin e Kosovës. Si askush tjetër, zonja Rushiti i plotëson standardet për të qenë shefe e shtetit, nuk është kandidaturë veç e VV-së, por e përfaqëson më së miri se çka ka bërë në këto dy dekada”, deklaroi Qorolli.

Ai tha se pret që opozita të marrë pjesë në seancë.

“Presim që opozita të reflektojë dhe të vijë në seancë”, shtoi deputeti.

Ndërsa sa i përket mesazhit të Naim Bardiqit, deputeti tha se nuk i komenton mesazhet individuale.

“Nuk paraqet qëndrim të tillë, sepse presidenti paraqet unitetin e popullit. Kosova duhet të ketë president, kemi bërë përpjekje maksimale që t’i evitojmë zgjedhjet”, tha Qorolli.

LDK s’merr pjesë as në seancën e sotme për presidentin

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë as sot në seancën e thirrur për presidentin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Këtë e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Ai u përgjigj shkurt për mediat, duke thënë: “Jo, në këtë seancë jo”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat