Ish-ministrja Fitore Pacolli ka deklaruar se ajo dhe bashkëpunëtorët e saj po përgatiten për një rikthim të fuqishëm në udhëheqjen e shtetit.
Në një postim publik, Pacolli tha se në fillim të mandatit kanë ndërmarrë vendime të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e sigurisë e cilësisë së jetës, duke theksuar se këto nisma janë penguar nga opozita dhe grupe të interesit.
Ajo shtoi se do të vazhdojnë me “edhe më shumë angazhim dhe punë”, duke theksuar se pushteti për ta është mjet shërbimi dhe jo përfitimi personal.
Postimi i Pacollit:
Vazhdojmë me vullnet të çeliktë e vizion që nuk zhbëhet!
E nisëm këtë mandat mbarë e mirë, me punë konkrete dhe vendime të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës, duke sjellë një qasje të re dhe më të përgjegjshme.
Për më pak se tre muaj, dëshmuam se me përvojën tonë dhe vullnetin e palëkundur, mund të marrim vendime të prera në mbrojtje të natyrës e të vendosim standarde që përmirësojnë sigurinë dhe cilësinë e jetës. Por, opozitës dhe grupeve të interesit u penguan këto rezultate.
E kësaj do t'i përgjigjemi me edhe më shumë angazhim e punë të mira.
Ne kemi përvojën e mandateve të kaluara dhe vrullin e këtyre muajve për të dëshmuar se jemi të vetmit që nuk bëjmë kompromis me mjedisin dhe shtetin.
Po përgatitemi për rikthim edhe më të madh, me një mandat edhe më të fuqishëm. Kemi treguar se për ne, pushteti është mjet për të shërbyer, jo për t’u pasuruar.
Kemi nisur projekte që nuk mund të ndalen dhe kemi ndërtuar një vizion që nuk mund të zhbëhet.
Ne do të jemi prapë në krye të shtetit, me përvojën e djeshme dhe guximin e sotëm, për ta bërë Kosovën ashtu siç e meriton!
Sepse atdhe tjetër nuk kemi!